Arritja fondamentale e Planit të Ahtisaarit është se e ka zgjidhur problemin e statusit të Kosovës njëherë e përgjithmonë, edhe nëse Pavarësia e shpallur para nëntë vjetësh nuk është njohur ende nga të gjitha palët. Kështu thotë ish-ndërmjetësi në negociatat për status të Kosovës, Albert Rohan.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, me rastin e nëntëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Rohan, i cili bashkë me presidentin Martti Ahtisaari kanë udhëhequr bisedimet e Vjenës, flet për problemet e mbetura në funksionimin e shtetit të Kosovës, si dhe për çështjet që ai mendon se duhet të jenë prioritet për vendin.
Qëllimi më i rëndësishëm që Kosova duhet ta ketë përpara vetes në vitet e ardhshme është ta zërë hapin me Serbinë në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian, “ashtu që dy vendet të mundë të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë”, thotë Rohan, derisa Gjykatën Speciale e sheh si të dobishme për vendin, meqë, përmes saj, “duke e individualizuar fajin, çdo nocion për një përgjegjësi kolektive të Kosovës apo UÇK-së do të hiqet”.
No comments: