Style3[OneLeft]

Style3[OneRight]

Style4

Style5

Hetime të reja mbi origjinën e Covid-19


 Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të martën për nisjen e një faze të dytë hetimi mbi origjinën e COVID-19-s, e cila të jetë transparente e t’u mundësojë hetuesve ndërkombëtarë të kryejnë vlerësime të pavarura mbi këtë çështje të kontestuar. Kjo temë u diskutua gjatë takimit vjetor ministror të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shtetet e Bashkuara kërkuan që ekspertët ndërkombëtarë të lejohen të vlerësojnë burimin e koronavirusit në ditët e para të shpërthimit të sëmundjes në kuadër të fazës së dytë të hetimit mbi origjinën e virusit.

“Faza e dytë e studimit mbi origjinën e COVID duhet të fillojë me një metodologji më transparente, të bazuar në shkencë dhe që u jep ekspertëve ndërkombëtarë pavarësinë për të vlerësuar plotësisht burimin e virusit dhe ditët e para të shpërthimit të pandemisë”, tha Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Xavier Becerra, gjatë një video mesazhi në kuadër të takimit vjetor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sekretari Becerra nuk e përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë Kinën, vendin ku u identifikua rasti i parë me COVID-19 në qendrën e qytetit Wuhan në dhjetor 2019.

Sipas shtypit amerikan, agjencitë amerikane të zbulimit po vlerësojnë disa informacione se studiues në laboratorin e virologjisë në Kinë ishin sëmurë rëndë më 2019, një muaj para rastit të parë të identifikuar me COVID-19, ndonëse ende nuk ka prova që virusi të ketë dalë nga ndonjë nga ndonjë laborator.

Një ditë më parë zëdhënësi i Ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian mohoi njoftimet e shtypit se tre studiues të Institutit të Virologjisë në Wuhan ishin sëmurë në nëntor 2019 dhe se kishin kërkuar ndihmë mjekësore, duke hedhur dyshime për lidhje mes sëmundjes së tyre dhe origjinës së koronavirusit.

“Instituti i Virologjisë në Wuhan nuk është ekspozuar ndaj COVID-19 para 20 dhjetorit 2019 dhe të dhënat tregojnë për zero të infektuar mes stafit dhe studentëve. Prandaj, raporti që ju përmendët për tre njerëz që u sëmurën në institut është krejtësisht i pavërtetë”, tha ai gjatë një konference.

Në një raport të muajit mars të hartuar në bashkëpunim me shkencëtarë kinezë pas qëndrimit për katër javë të një ekipi të OBSH-së në Wuhan, thuhet se virusi ka shumë mundësi të jetë transmetuar nga lakuriqët tek njeriu përmes një kafshe tjetër, ndërsa një incident laboratorik u cilësua si një mundësi më e pamundur.

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tarik Jasareviç, tha dje se agjencia po rishikon rekomandimet teknike të raportit.

“Ekipet teknike do të përgatisin një propozim për studimet e ardhshme që do të duhet të kryehen, të cilin do t’ia paraqesin drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së për shqyrtim”, tha ai.

Nga fillimi i pandemisë sipas të dhënave të siguruara nga Universiteti Johns Hopkins në botë janë identifikuar 167,357,758 raste ndërsa 3,474,911 persona kanë humbur jetën.

Roth: Ndihem i detyruar ndaj premtimit për negociata deri në fund të vitit


 Si evropian i sigurt, çdoherë mbes optimist. Kemi dhënë premtim se gjatë kryesimit tonë me Këshillin do të mundohemi të marrim dritë jeshile për fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut. Edhe unë ndihem i detyruar ndaj këtij premtimi. Negociatat nuk janë të pasuksesshme, por duhet të bëhet edhe shumë punë, ka thënë ministri gjerman për Evropë Mihael rot në intervistën për “Uelt”.

“Në takimin e Këshillit të ministrave, pothuajse të gjithë delegacionet edhe një herë bënë të ditur se temat bilaterale midis dy vendeve duhet të qëndrojnë atje. Dhe se tani duhet të përqendrohemi në çështjet kryesore që janë të rëndësishme për fillimin e negociatave të pranimit. Kjo duhet të bëhet sepse urgjentisht kemi nevojë për një sinjal pozitiv për Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të pranojmë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë arritur rezultate të shkëlqyera në vitet e fundit. Maqedonia e Veriut bëri histori me Marrëveshjen e Miqësisë me Bullgarinë, por edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë, e cila zgjati gati 30 vjet. Kjo tani duhet të shpërblehet, thotë Rot kur u pyet ku e sheh zgjidhjen për veton bullgare në negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Sipas zëvendëskryeministrit Dimitrov bllokada e Bullgarisë e cila paraprakisht i ka mbështetur negociatat aderuese për vendin, nuk është befasi, por zhgënjim. Ai sqaron si erdhi deri në kontestin, por flet edhe për rëndësinë e Marrëveshjes për fqinjësi si mekanizëm, për debat për këto tema, në të cilat do të punojnë historianë nga dy vendet.

“Mendoj se nuk është aspak produktive që politikanët të diskutojnë rreth çështjes historike. Ne jemi një rajon me histori të pasur, por deri më tani nuk kemi arritur t’i ofrojmë brezit të ri perspektiva të mjaftueshme për të ardhmen. Prandaj, ideja ishte: të lëmë historianët të debatojnë mbi historinë – dhe le të kujdesemi për çështjet më të rëndësishme tani dhe në të ardhmen. Që do të thotë se nuk u habitëm, por jemi të zhgënjyer. Bashkimi Evropian, bazuar në Marrëveshjen e Lisbonës, është një Bashkim që respekton diversitetin kulturor dhe gjuhësor. Dhe është me të vërtetë e vështirë për t’u shpjeguar qytetarëve të Republikës së Maqedonisë Veriore se si ka ndodhur, gjuha e tyre, gjuha maqedonase, të jetë një pengesë për të hyrë në një komunitet që vlerëson diversitetin gjuhësor si një thesar të veçantë. Dhe gjithashtu është e vështirë të shpjegohet edhe pse gjuha është një pengesë në rrugën drejt marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, e cila nga rruga duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë”, tha ai.
rëndësinë strategjike të rajonit për stabilitetin e BE-së dhe të Bullgarisë.

“Aktualisht ne çdo ditë jemi në kontakt të ngushtë me të dy palët. Në fund të ditës, ky është argumenti kryesor: Ballkani Perëndimor nuk është “oborri i prapëm” i jonë, por “oborri i brendshëm” i Evropës. Stabiliteti, paqja, pajtimi rajonal janë të rëndësisë thelbësore për Evropën. Dhe sidomos për fqinjësinë. Siguria dhe stabiliteti i Bullgarisë, gjithashtu do të ishin të lëkundura nëse nuk do të arrinim stabilitet më të madh në fqinjësi. Në parim, njihet edhe ky argument. Qëllimi ynë negociues është të sqarojmë gjërat që janë më se të nevojshme për negociatat e pranimit, të cilat duhet të merren parasysh nga BE-ja. Dhe pastaj kemi disa probleme bilaterale, të cilat, sipas qëndrimit bullgar, lindin nga zbatimi i papërshtatshëm i Marrëveshjes për Fqinjës”, shpjegon Rot.

Në këtë drejtim, shtoi ai, i inkurajuam të dy vendet për të gjetur zgjidhje që do t’i çojë këto çështje bilaterale në një proces të strukturuar, në mënyrë që ato të zgjidhen hap pas hapi.

“Pastaj në Bruksel, me kërkesë të Parisit, ishte përgatitur metodologjia e re për bisedime për anëtarësim. Tani pengesa e fundit vjen nga fqinji ynë lindor”, tha zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, në intervistën e përbashkët me ministrin gjerman për Evropë, Mihaell Rot për “Velt”.

E vërtetë apo trillim? Izraeli thotë se ka zbuluar një tunel të thellë “që vjen” nga Gaza


 Ushtria izraelite tha të martën se militantët në Rripin e Gazës hapën një tunel të thellë dhjetëra metra që kaloi rrethimin e sigurisë rreth territorit, para se të zbulohej nga sensorët nëntokësorë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nënkoloneli Jonathan Conricus, një zëdhënës ushtarak, tha se tuneli kaloi në territorin izraelit por nuk përbënte “asnjë kërcënim” për komunitetet izraelite aty pranë dhe se nuk kishte ende një dalje në anën tjetër.

Ai tha se trupat do të “neutralizojnë” tunelin në ditët në vijim.

Siç thuhet më tej, Izraeli ka zbuluar rreth 20 tunele të tilla që nga lufta e vitit 2014 me grupin militant islamik Hamas.

Militantët palestinezë kanë kryer sulme vdekjeprurëse përmes tuneleve të tilla gjatë luftës.

Conricus tha se tuneli u zbulua nga sensorë të montuar në një pengesë nëntokësore që po ndërtohej përgjatë kufirit 55 kilometra dhe është tuneli i parë i tillë që zbulohet në më shumë se një vit.

Ai tha se nuk ishte ende e qartë nëse tuneli ishte ndërtuar nga Hamas apo një grup tjetër militant, por që do të kërkonte një investim të konsiderueshëm financiar.

Ndryshe, Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për të gjitha sulmet që vijnë nga Gaza.


Një shkëndijë larg luftës! Turqia në “zonën e zjarrit”, Greqia: Kemi bërë gati avionët për sulm

 


Greqia është gati për të reaguar nëse Turqia do të futet akoma më shumë në zonën e “zjarrit” në detin Mesdhe. Mediat greke citojnë burime ushtarake të forcave të armatosura, që theksojnë se janë në gatishmëri të plotë. Mëngjesin e sotëm anija turke “Oruc Reis”përshkallëzoi më tej sfidën e Ankarasë kundër Athinës duke u afruar në një distancë edhe më të shkurtër, 8-9 milje nga Kastellorizo. Por aty po e prisnin forcat e armatosura greke, të gatshme për gjithçka.

Forcat e Armatosura nuk kanë ndaluar për asnjë sekondë për të monitoruar nga afër lëvizjet e anijes “Oruc Reis” dhe flotës turke. Personeli ushtarak edhe një herë është vënë në gatishmëri të lartë, me anijet tona luftarake (siç tregojnë fotot përkatëse) që janë vendosur në zonën e provokimeve turke, duke marrë pozicione kyçe, të gatshëm për të reaguar.

 Në të njëjtën kohë, avionët tanë të luftës janë në gatishmëri të lartë në skuadriljet e tyre, ndërsa formacionet e ushtrisë kanë vënë njësitë e tyre në gatishmëri të plotë, duke qëndruar në gatishmëri të menjëhershme në përputhje me rrethanat” thanë burimet ushtarake.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare shpjeguan për mediat greke se “Skenari provokues nga turqit dy herë kohët e fundit kundër të drejtave tona sovrane përsëritet për herë të tretë, tani edhe më afër Kastellorizo, duke dërguar forcat e armatosura”. “Vetëm tani komandantët tanë, oficerët, ekuipazhet dhe i gjithë personeli i forcave të armatosura janë gati për të kryer me sukses misionin e tyre duke mbrojtur interesat tona sovrane” theksojnë të njëjtat burime.

Erdogan kërkon me çdo kusht një fitore, qoftë edhe një simbolike, ose një revansh“, shprehet një burim i informuar ushtarak me të cilin foli protothema.gr. Pas vizitës së Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Evros fundjavën e kaluar, zyrtarët nuk përjashtojnë mundësinë që vetë Rexhep Tajip Erdogan të vizitojë rajonin e Edirnes si kundërpërgjigje.  Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë vijojnë të jenë në pikën e tyre më të nxehtë / db/Abcnews.al 

Marrëveshja në SHBA është arritur, këto mund të jenë opsionet


 Pak orë kanë mbetur nga takimi në Shtëpinë e Bardhë ne mes të Kosovës dhe Serbisë, ku do të bëhet nënshkrimi trepalësh nga presidenti amerikan, Donald Trump. Por, çfarë pritet nga ky takim, derisa ende nuk dihet se çfarë do të nënshkruhet?

Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se takimi i organizuar në Shtëpinë e Bardhë duket se ka pasur arritje në fushën ekonomike.

“Çka pritet nga takimi në Washington! Takimi i organizuar në Shtëpinë e Bardhë në Washington duket se ka pasur disa arritje, sidomos në fushën ekonomike, si dhe të qarkullimit të mjeteve, të mallrave dhe të njerëzve. A kanë suksese këto çështje pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse është një çështje në vete dhe shumë rëndë për të përcaktuar tash”, është shprehur ai.

Kelmendi vlerëson se pjesëmarrja e Trump në takim tregon se ndonjë marrëveshje është arritur dhe do të nënshkruhet, pasi ai nuk do të merrte pjesë.

“Pjesëmarrja e z.Trump në takimin dy pakësh në mes Kosovës dhe Serbisë tregon se ka përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe se ndonjë marrëveshje është arritur dhe do të nënshkruhet. Përndryshe z. Trump nuk merr pjesë. Është e kuptueshme kjo. Administrata e SHBA-ve nuk munden të organizojë një takim të tille pa suksese, sepse zgjedhjet janë në nëntor dhe çdo mos sukses është humbje. Prandaj, sukseset janë faktor kryesor për z. Trump”, ka thënë profesori.

Sipas tij, marrëveshja do të realizohet në disa fusha.

“E nga kjo pjesëmarrje mendohet se në disa fusha do të realizohet ndonjë marrëveshje: 1. Fusha ekonomike dhe e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, e transportit tokësor dhe ajror etj. 2. Fusha organizative e minoritetit serb dhe të kishave ortodokse dhe 3. Çështjet në fushën e tërheqjes së kufirit që kërkon kohë dhe dialog më të gjerë dhe shumë të ngadalshëm”, ka theksuar Muhamet Kelmendi.

Më tej, ai shton se nuk pritet njohje reciproke, derisa thotë se nuk duhet të priten përmirësime nga takimi i sotëm me prezencën e Trump, për shumë çështje që ndikojnë në marrëdhëniet në mes të dyja vendeve.

“Këtu nuk priten njohje reciproke. Aktualisht janë dominuese temat ekonomike dhe telekomunikacionit, sikundër dhe qarkullimi i lirë mallrave dhe të njerëzve. Këtej do të kemi marrëveshje. Çështjet nga fusha organizative brenda Republikës varen shumë nga raportet midis dy shteteve dhe nga faktorët bisedues. Mund të pritet ndonjë asociacion dhe vendim mbi kishat! Si do të duket ai? Sigurisht do të këtë kompetenca! Mund të priten përmirësime gjoja të raporteve Prishtinë-Beograd. Por, sado të jenë këto produktive, është vështirë të themi se kanë suksese. Dhuna dhe terrori, gjenocidi ka qenë i lartë dhe intensiv mbi popullin tonë. Edhe 1600 shqiptarë janë të pagjetur. Kemi dëme të mëdha materiale dhe morale. Është një papërgjegjësi penale e lartë e pushtetit serb. Askush nuk është përgjigjur për përdhunimet e bëra të nënave dhe të motrave shqiptare. Këto janë tema që çdo marrëveshje, pa zgjidhjen e tyre, kurrë nuk i përmirëson marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Është marri të presim përmirësime të dukshme sot nga takimi në Washington me prezencën e z Trump. Të shpresojmë në më të mirën”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

“Lionel Messi drejt ikjes nga Barcelona”


 “Lionel Messi, e ka zgjedhur tashmë ekipin e ri, ai është Inter”. Ish agjenti I yllit argjentinas ka lëshuar një deklaratë që bën të ëndërrojë të gjithë tifozët zikaltër.

Josep Maria Minguella ka deklaruar për median e njohur “COPE” se arsyeja e kësaj zgjedhje të Messit është fakti se në Itali paguhet shumë më pak taksa në raportet me vendet e tjera.

“ Për mua Messi që tani e ka skuadrën e tij të re, Inter. Në Itali paguajnë më pak taksa sesa në shtetet e tjera ku aim und të shkojë. Edhe Ronaldo prandaj është atje, për këtë arsye. Është më e vështirë që ta shohim në Angli ndonëse miqtë e tij Aguero dhe Guardiola janë tek Man City, u shpreh ish agjenti i 33 vjecarit.

Ndërkohë nga ana tjetër prestigjozja “Mundo Deportivo” bën të ditur se Leo Messi ka zhvilluar disa telefonate ditët e fundit me Pep Guardiolen dhe opsioni Manchester City është më i mundshmi.

Ndërsa gazeta argjentinase “Ole” bën të ditur se edhe PSG po lëviz fort për transferimin e shekullit.

Problemi më I madh tani është nëse Messi dhe Barcelona do të shkojnë në gjyq për klauzolën 700 milionë euro apo jo. Mbetet për tu parë…

OBSH: EVROPA MUND TA MENAXHOJË CORONAVIRUSIN, PA PASUR NEVOJË QË TË MBYLLET SËRISH

 Është e mundur të mbahet nën kontroll pandemia e coronavirusit në Evropë gjersa funksionon ekonomia dhe sistemi arsimor, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetit (WHO).

Duke folur gjatë një konference për shtyp, mjeku Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, pohoi se, megjithëse, ekziston rreziku i “ringjalljes” së COVID-19, ne tani dimë se si të veprojmë me virusin, raporton euractiv.

“Me masat themelore në shkallë vendi dhe masat shtesë të synuara – ne jemi në një pozitë shumë më të mirë për ta kontrolluar coronavirusin. Ne mund ta menaxhojmë virusin, por edhe ta mbajmë ekonominë në funksion si dhe sistem arsimimor”, tha ai, duke theksuar se virusi tani mund të menaxhohet më mirë se sa kur u shfaq në fillim, transmeton Telegrafi. Kufizimet e fundit kanë treguar se “ne jemi duke u mësuar se si të zbatojmë masa të zgjuara, të kufizuara në kohë dhe të bazuara në rrezik, të afta për të zvogëluar përhapjen e COVID-19 dhe ndikimin në shoqëri dhe ekonominë e gjerë”, shtoi ai.

Sidoqoftë, ai paralajmëroi se Evropa duhet të sigurohet që të miratojë masat e duhura të shëndetit publik në mënyrë që ta ketë nën kontroll coronavirusin ndërsa rifillon jeta normale, duke theksuar në mënyrë të veçantë që sezoni i afërt i gripit do të rrisë presionin mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Edhe pse epiqendra e pandemisë tani është në Amerikë, rajone të tjera po shohin gjithashtu një rritje të madhe të rasteve.

Ndryshe, Kontineti i Evropës ka regjistruar 3.9 milionë raste që korrespondojnë me 17 për qind të totalit global që kalon mbi 22 milionë të të infektuar. /Telegrafi/

Numër i kufizuar myslimanësh nisin Haxhin këtë vit

Pelegrinazhi vjetor i Haxhit është duke nisur të mërkurën në Arabinë Saudite, ndonëse me numër shumë më të vogël të besimtarëve myslimanë, për shkak të pandemisë me koronavirus.
Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin.
Çdo vit, më shumë se 2 milionë pelegrinë nga 180 vende të botës udhëtojnë në Mekë, në atë që zakonisht është një prej organizimeve më të mëdha fetare.
Megjithatë, këtë vit, pandemia me koronavirus ka ndryshuar mënyrën e organizimit.
Fluksi i njerëzve që vizitojnë zonat fetare gjatë pelegrinazhit ka rrezikuar përhapjen e koronavirusit në territorin saudit.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Arabia Saudite ka regjistruar më shumë se 270,000 raste të infektimit dhe 2,789 vdekje, si pasojë e koronavirusit.
Ministria për Haxh dhe Umrah e Arabisë Saudite ka thënë muajin e kaluar se vetëm “një numër i kufizuar i myslimanëve” që jetojnë në Arabinë Saudite, do të mund të jenë pjesë e organizimit.
Është raportuar se numri i besimtarëve në Haxhin e këtij viti do të jetë nga 1,000 deri në 10,000.
Vendimi për të mos lejuar pelegrinë nga vendet tjera, përveç atyre në Arabinë Saudite nga kryerja e Haxhit, është i pari në historinë moderne të mbretërisë saudite.
Kulmi i ritualit të Haxhit këtë vit bie më 30 korrik, ka thënë një agjenci e lajmeve saudite.
Koha e Haxhit vendoset varësisht nga pozita e Hënës, në përputhje me kalendarin hënor islam./alsat


Vaksina e Oksfordit kundër Covid-19, kompania R-Farm nënshkruan marrëveshje për prodhim në Rusi

Prodhuesi rus i medikamenteve R-Farm nënshkroi marrëveshje me kompaninë farmaceutike AstraZeneka për prodhimin e vaksinës kundër Kovid-19, të cilën e zhvillon ky gjigant farmaceutik dhe bioteknik britanik dhe Universiteti i Oksfordit.
Pas akuzave nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe SHBA-ja se hakerë rusë kanë tentuar ta vjedhin vaksinën për Covid-19 dhe rezultatet nga hulumtimi, drejtori i bordit të kompanisë ruse R-Farma, Aleksej Repik, deklaroi se kjo marrëveshje tregon se Moska nuk ka nevojë të vjedhë asgjë.
“Ne e zyrtarizojmë këtë plan në formë të marrëveshjeve të nënshkruara në fushën e prodhimit të vaksinës dhe furnizimeve që i zhvillojnë AstraZeneka dhe Universiteti i Oksfordit dhe projektin do ta zbatojë R-Farm”, theksoi ai.

OKB: Të ndërpritet menjëherë konflikti i armatosur Armeni-Azerbajxhan

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka shprehur shqetësimin e thellë për raportet mbi përleshjeve e dhunshme të armatosura në kufirin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që ka rezultuar deri tani me vdekjen e katër ushtarëve azerë. Guterres bëri apel për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve dhe ftoi palët ”të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të qetësuar situatën” dhe ”të përmbahen nga retorika provokuese”.
Shefi i OKB përsëriti mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet e bashkëkryetarëve të grupit të Minskut të OSBE-së që në një deklaratë dënuan shkeljet e fundit të armëpushimi midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe kanë ftuar palët “të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm”.
Guterres i nxiti ata të përballen me këtë situatë të rrezikshme dhe të kërkojnë një zgjidhje paqësore.
Armenia dhe Azerbajxhani luftojnë për kontrollin e Nagorni-Karabahut, një rajon me shumicë armene brenda të kufijve zyrtarë të Azerbajxhanit, që nga fillimi i viteve ’90.

Zvicra nuk kontrollon dot të kthyerit: Gjithçka i lihet “vullnetit të tyre të mirë”

Ata që kanë shkuar ose do të shkojnë me pushime në Suedi, Kosovë, Serbi etj., sipas vendimit të marrë ditë më parë nga Këshilli Federal, pas kthimit në Zvicër duhet të futen në karantinë për 10 ditë. Kështu është të paktën “me letra”. Por efektiviteti i kësaj mase po rezulton i diskutueshëm, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, Keystone-SDA.
Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), për zbatimin e kësaj mase mbështetet në vullnetin e mirë të qytetarëve, transmeton albinfo.ch. Por, a është e mjaftueshme për të parandaluar një valë të dytë?
Shkurt, masat federale për njerëzit që kthehen nga vendet me rrezikshmëri të infeksionit me koronavirus nuk janë të lehta për tu zbatuar, konstaton agjencia e lajmeve. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ajo mund të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të qytetarëve dhe denoncimet e mundshme nga palët e treta. Njerëzit që kthehen në Zvicër nga njëri prej 29 vendeve të listuara si problematike, doganat janë të autorizuara t’ua kujtojë detyrat e tyre, përcjell albinfo.ch. Kjo detyrë është: që ata të raportojnë tek autoritetet në kantonin e tyre brenda 48 orëve të ardhshme. Personat e ndaluar në këtë mënyrë duhet të sigurojnë vetëm në mënyrë verbale se do t’i përmbahen këtij detyrimi.

Marrëveshja e fundit atomike mes SHBA-Rusi para fundit

Ajo është marrëveshja e fundit e rëndësishme e çarmatimit mes SHBA dhe Rusisë, dhe ndodhet para dështimit. Të hënën Moska dhe Uashingtoni negociojnë në Vjenë për të ardhmen e saj. Në Vjenë takohen të hënën (22.06) përfaqësues të mbrojtjes të qeverisë amerikane dhe asaj ruse për të diskutuar mbi vazhdimin e marrëveshjes "New Start” SHBA-Rusi, që skadon në shkurt të vitit të ardhshëm. Po me aq këmbëngulje dhe pa sukses, SHBA kërkon pjesëmarrjen e Kinës në këto bisedime. Ekspertët shohin aty një strategji për të bërë që bisedimet të dështojnë, shkruan agjencia e lajmeve, dpa.
Marrëveshja "New Start" i vë përpara detyrimit si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusinë të kufizojnë arsenalin strategjik atomik. I dërguari i SHBA-së, Marshall Billingslea rriti së fundmi presionin ndaj Pekinit që t'i bashkangjitet negociatave për një marrëveshje pasuese. Ky është një faktor vendimtar për suksesin e bisedimeve, tha Billingslea. Kina e përjashton pjesëmarrjen në negociata, megjithëse arsenali atomik i së cilës rritet në mënyrë të shpejtë, por si fuqi atomike qëndron shumë pas SHBA dhe Rusisë.
Ekspertët pesimistë për suksesin e negociatave
Eksperti, Daryll Kimball nga Instituti Amerikan i "Arms Control Association” e lidh këmbënguljen e Uashingtonit me një strategji të qeverisë së Donald Trumpit. Ajo nuk ka vullnet për të zgjatur këtë marrëveshje dhe do që „mosinteresimin e Kinës për bisedimet trilaterale ta përdorë si arsye cinike", për t'i dhënë fund marrëveshjes, citon dpa, ekspertin amerikan.  
Rusia prezantoi vitin e kaluar raketat e tipit SSC-8/9M729

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Riabkov, që drejton delegacionin për bisedimet në Vjenë ka propozuar që të zgjatet kjo marrëveshje, me qëllim që të fitohet kohë për negociata me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të re. Teksti i marrëveshjes aktuale të „New Start" u negociua nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama. Ai parashikon që SHBA dhe Rusia të zotërojnë maksimalisht 1550 koka atomike dhe të përgjysmojnë sistemet mbajtëse atomike.
Përfaqësuesi amerikan, Billingslea akuzoi Rusinë në maj se po modernizon mijëra armë atomike të tipit „jo-strategjik", kontrolli i të cilave nuk është rregulluar me marrëveshjen aktuale. Sipas tij, Moska ka përqafuar një „doktrinë shumë provokuese atomare". Kurse eksperti Shannon Kile nga Instituti për Studimet e Paqes, SIPRI e shikon qorrsokakun ku janë futur negociatat si mundësi „për fundin e marrëveshjeve atomare bilaterale mes Rusisë dhe SHBA-së". Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte marrëveshja e tretë e rëndësishme e çarmatimit me Rusinë, nga e cila SHBA do të hiqnin dorë. 
la/dpa
dw,shqip

Arelena Shala, kosovarja e parë që diplomohet në Akademinë Ushtarake West Point në SHBA

Kosovarja, Arelena Shala është diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point, që është institucioni më elitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Shala është kosovarja e parë e cila arrin diplomohet me merita vetanake në këtë akademi.
Ndryshe, Shala vitin e kaluar është përzgjedhur rreshtere majore në Akademinë Ushtarake West Point, që është institucioni më elitar në SHBA.
Nga kjo akademi udhëheqin jo vetëm me ushtrinë, por edhe me shtetin dhe se procedura e rekrutimit është tepër rigoroze.
Në këtë akademi pos Shalës është edhe një kadet nga Kosova, që po shkollohet.

Rrahje me grushte ndërmjet deputetëve në hyrje të Parlamentit të Serbisë (VIDEO)

Protesta në parlamentin serb mes deputetëve, ka degraduar në grushte. Lideri i lëvizjes opozitare Dveri, Boshko Obradoviç i shoqëruar nga deputetë dhe përkrahës sot bllokoi hyrjen e Parlamentit të Serbisë dhe sulmuan deputetët e mazhorancës të cilët po tentonin të futeshin brenda. Opozita bllokoi shkallët e kuvendit në shenjë proteste në hyrje të Kuvendit të Serbisë dhe kreu i opozitës u përplas me ministrin e shëndetësisë Zlatibor Lončar. 

Boris Johnson është lëshuar nga spitali ku u trajtua për shtatë ditë për coronavirus

Kryeministri britanik, Boris Johnson është lëshuar nga spitali, ku u trajtua për coronavirus dhe tani do të vazhdojë të pushojë në shtëpi, derisa gjendja e tij të jetë plotësisht nën kontroll.
Doëning Street ka konfirmuar se ai është liruar nga spitali, por se nuk do të kthehet menjëherë në detyrë. “Me këshillën e stafit mjekësor, kryeministri Johnson nuk do të fillojë menjëherë punën, pasi për një kohë i duhet të pushojë. Ai i ka falënderuar mjekët për ndihmën, ndërsa mendimet e tij janë me ata që janë të prekur nga kjo sëmundje”, thuhet në raportin e kryeministrisë. Kryeministri britanik falënderon mjekët që ia shpëtuan jetën, miqtë e tij thonë se ishte shumë afër vdekjes. Fillimisht, kryeministri britanik ishte pranuar në spital më pesë prill, me disa simptoma të coronavirusit, ndërsa brenda disa ditësh është nevojitur të trajtohej në kujdes intensiv, për shkak të gjendjes së rënduar.
Derisa Johnson i ka falënderuar stafin shëndetësorë që ia shpëtuan jetën, miqtë e tij kanë bërë të ditur se ai ka pasur gjendje shumë të rëndë dhe mund të vdiste.

Pamje nga tërmeti që tronditi Zagrebin

Sipas Qendrës Gjermane për Gjeoshkencë, (GFZ), tërmeti me magnitudë 5.3 kishte epiqendrën në veri të Zagrebit. Fillimisht nuk është raportuar për të lënduar, por tërmeti ka rrënuar shumë objekte e ka detyruar njerëzit të dalin në rrugë.
“Zgjati rreth dhjetë sekonda. Ka qenë më i fuqishmi që kam ndier ndonjëherë”, ka thënë një dëshmitar për Reutersin, duke shtuar se ky tërmet erdhi pas disa lëkundjeve më të lehta.
Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozinoviq, ka kërkuar përmes Twitterit që njerëzit që dalin në rrugë të mbajnë distancë teksa vendi po përballet edhe me shpërndarjen e koronavirusit. Deri tash, në Kroaci janë raportuar 206 raste me infeksion, ndërsa një person ka vdekur.   







Shtëpia e Bardhë e anuloi vizitën e mbretit spanjoll për shkak të koronavirusit

Uashington, 18 mars – Shtëpia e Bardhë sot komunikoi se e ka anuluar vizitën e planifikuar të mbretit spanjoll Filipi i Dytë dhe bashkëshortes së tij Leticia për shkak të pandemisë nga koronavirusi.Vizita e çiftit mbretëror spanjoll, në të cilën është kyçur edhe darka solemne me presidentin amerikan Donald Tramp dhe zonjën e parë Melania, ështe caktuar për më 21 mars, transmetojnë mediat amerikane.
Paraprakisht këtë javë Melania Tramp komunikoi se i ka anuluar të gjitha ngjarjet e pashkëve për shkak të shqetësimit nga Kovid-19.

Shtatë të vdekur në protestat kundër Ligjit për shtetësi në Indi

Së paku shtatë njerëz u vranë dhe rreth 150 u plagosën në protestat kundër ligjit të ri për shtetësinë në Delhi të Indisë
Autoritetet thanë se një polic dhe gjashtë civilë janë në mesin e të vrarëve, ndërsa e hëna u përshkrua si dita më vdekjeprurëse prejse kanë nisur protestat, mbi dy muaj më parë.
Përleshjet shpërthyen në një rreth verilindor të Delhit, midis mijëra njerëzve që demonstronin për dhe kundër ligjit. Policia përdori gazin lotsjellës dhe granatat e tymit kundër protestuesve. Pamjet televizive treguan flakë dhe tym nëpër ndërtesa. Situata e tensionuar vazhdon edhe sot, me disa shkolla dhe stacione të metrosë të mbyllura.
Ligji i ri u ofron shtetësinë indiane emigrantëve jomyslimanë në Afganistan, Pakistan dhe Bangladesh.
Kritikët thonë se ligji i diskriminon myslimanët. Por, sipas qeverisë, protestat janë të panevojshme, pasi ajo po përpiqet t’i ndihmojë minoritetet e persekutuara në vendet fqinje, shkruan REL. Protestat në Indi kanë nisur qysh në fillim të muajit dhjetor, menjëherë pasi autoritetet e kanë miratuar ligjin e ri.

Macron: Britania nuk mund të jetë edhe brenda edhe jashtë BE-së

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar të premten se ndonëse Franca ka dëshiruar të mbajë lidhje të forta me Britaninë pas Brexitit, tani ky shtet nuk mund të presë që të trajtohet në të njëjtën mënyrë sikur në kohën që ishte pjesë e Bashkimit Evropian.
“Nuk mund të jetë brenda dhe jashtë”, ka thënë Macron, duke iu referuar Britanisë. “Populli britanik ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian. Nuk do të ketë obligimet e njëjta, andaj edhe nuk do të ketë të drejtat e njëjta”.
Macron ka thënë se ai do të mbrojë interesat e peshktatarëve, bujqve dhe punëtorëve francezë, në negociatat që do të zhvillohen në të ardhmen mes Britanisë dhe BE-së.
“Në këto negociata, të 27 vendet do të jemi të bashkuara”, ka thënë ai.
Lideri francez njihet për një linjë të ashpër ndaj Brexitit, që nga fazat fillestare të këtij procesi.
Pas largimit të Britanisë nga BE-ja më 31 janar, Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një periudhë tranzitore 11-mujore, në të cilën do të zbatojë rregullat e bllokut evropian mirëpo nuk do të përfaqësohet në institucionet e tij.
Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​/REL

Qante Merkeli, qanin delegatët, emocione për lamtumirën e “Zonjës së hekurt” (VIDEO)

1001 delegatë të partisë gjermane, CDU e kanë zgjedhur kryetaren e re, që do të jetë pasardhëse e Angela Merkel.
Por, lamtumira për zonjën e fuqishme, Angela Merkel nuk ka qenë aq e lehtë.Me plot emocione, kancelarja gjermane i dha fund nga posti i drejtueses së partisë pas 10 vitesh.
Si rrallë herë, emocionet kapluan zonjën e fuqishme gjermane, ndërsa lotë e emocione shiheshin edhe në fytyrat e delegatëve të CDU-së. Merkel mbajti fjalimin lamtumirës, për herë të fundit si kryetare e partisë, fjalim që i zgjati plot 35 minuta./Indeksonline/  


Top