Style3[OneLeft]

Style3[OneRight]

Style4

Style5

Akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit: Janë të traumatizuar, kjo është frika e madhe e tyre


 Ditëve të fundit, ka pasur paralajmërime se mund të merret një iniciativë për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, prokurorët e së cilës së cilës tashmë kanë propozuar aktakuzë ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit, ku ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë. E kjo nuk është hera e parë që në Kosovë tentohet të zhbëhet Gjykata Speciale, një gjë e tillë kishte ndodhur me 22 dhjetor të vitit 2017, por që ishte kundërshtuar ashpër nga ambasadat e huaja, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kishin paralajmëruar pasoja të tmerrshme për Kosovën.

Por sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Gani Qarri.

“Siç dihet tanimë publikisht nga i gjithë opinioni, Prokuroria Speciale në fund të qershorit ka bërë publike aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura zyrtarisht qysh me 24 prill të vitit 2020, duke e arsyetuar edhe bërjen publike në mënyrën e parakohshme të të këtyre akuzave, pikërisht për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës. Për aq më tepër, edhe vet loja më e re tragjikomike me “Dosje të Speciales”, deri më tani e shfaqur në dy akte, brenda zyrave të OVL-së, hynë në kuadër të këtyre përpjekjeve për të denigruar Gjykatën Speciale dhe arsyetuar veprimet e autorëve të apostrofuar për pengimin e punës së saj”, thotë Qarri për “Bota sot”. 



Gani Qarri

Sipas tij, prapa tentativave për shfuqizimin e Speciales qëndron presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Kështu që tendencat e tilla primitive, kanë bërë që edhe ambasada e SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, të dalin me një komunikate të përbashkët për media kundër përpjekjeve që po bëhen, për të penguar dhe shfuqizuar misionin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndaj një gjë duhet ditur nga të gjithë se përpjekjet e çfarëdo forme të personave të traumatizuar nga ethet e Gjykatës Speciale si Thaçi & CO, për minimin apo shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, jo vetëm që do të linin të pagjykuar autorët e vërtetë dhe nxitësit e vrasjeve, plagosjeve dhe të gjitha llojeve të krimeve të para dhe të pas luftës, por të gjitha pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të mbeteshin përgjithmonë njollë e zezë, e pashlyer mbi kurrizin e Kosovës, si dhe do ta dëmtojnë rëndë kredibilitetin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thekon më tej analisti Qarri.

“Kështu që edhe ambasadat e vendeve mike, në komunikatën e lëshuar, me plot të drejtë u bëjnë thirrje publike Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), duke kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën”.

Më tej, analisti Qarri thotë se Thaçi dhe Veseli janë në ankth nga Gjykata Speciale.

“Siç është cekur edhe nga vet Prokuroria e Dhomave të Specializuara, autorët e përpjekjeve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, janë personat e traumatizuar nga ethet e kësaj gjykate si Hashim Thaçi e Kadri Veseli me shokë, të cilëve u ka hyrë frika deri në palcë nga kjo gjykatë, por edhe ata dhe bashkëmendimtarët e tyre, duhet të jenë të vetëdijshëm se pas votimit të saj në Parlament, nëse nuk duan edhe SHBA-të dhe vendet tjera të QUIN-tit, Gjykata Speciale, as që mund të zhbëhet pa përfunduar misionin e saj”, deklaron Qarri.

Për fund, analisti politik, Gani Qarri ka paralajmëruar pasoja të rënda për Kosovën në rast se ndodhë shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Përndryshe, nëse rastësisht ndodhë që kjo gjykatë edhe të shfuqizohet, si shpresa e vetme për dënimin e autorëve të krimit, jo vetëm se do të mbeteshin të pagjykuar dorasit dhe nxitësit e vërtetë të vrasjeve, plagosjeve dhe të gjitha llojeve të krimeve të para dhe të pas luftës, por edhe të gjitha llojet e pretendimeve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të mbeteshin përgjithmonë njollë e zezë, pashlyer kurrë, mbi kurrizin e Kosovës, si dhe do të dëmtohej rëndë e në mënyrë të pandreqshme edhe kredibiliteti i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

Kujtojmë se së fundit Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një komunikate të përbashkët për media sa i përket përpjekjeve për të prishur misionin e Dhomave të Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale.

Ambasadat i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), si dhe që të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën.

Grenell: Zhvillimi ekonomik do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit

 


Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës me delegacionin amerikan dhe emisarin Richard Grenell.

Emisari i presidentit Donald Trump, Richard Grenell ka deklaruar se marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë do të ndikojë në arritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti, ish-ambasadori Grenell tha se qëllimi i vizitës së tyre në Prishtinë është që të shtyjnë përpara zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik. Qytetarëve të Kosovës u janë bërë shumë premtime në të kaluarën, dhe ne përmes kësaj marrëveshje po bëjmë një zotim para jush që është zbatimi i marrëveshjes ajo për çka kemi ardhur.  Ajo që ne po bëjmë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të gjithë stafet nga SHBA dhe përmes ambasadës amerikane, është që të shprehim përkushtimin tonë. Ajo që duam ne është përmbushja e marrëveshjes dhe të ecim përpara për një zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe energjia, do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit”, tha Grenell.

Ndërsa, kryeministri Avdullah Hoti tha se prezenca e delegacionit të qeverisë amerikane tregon seriozitetin e administratës Trump për zbatimin e marrëveshjes historike të 4 shtatorit, e cila sipas tij, do të çojë drejt finalizimit të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

“Prezenca e tyre e tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e presidentit Trump dhe administratës së tij për zbatimin e një marrëveshje , qe po cilësohet me të drejtë marrëveshje historike. Kjo marrëveshje do të krijojë mijëra vende të reja pune. Presim në javët e ardhshme ministrat dhe administrata e Trump të lëvizin konkretisht në zbatimin e marrëveshjes”, tha Hoti.

Prof. Feraj: “Marrëveshja” Hoti cënon sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës


 “Marrëveshja” Hoti cënon sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës:

1. Sovraniteti është kontrolli, pushteti, i vetmi dhe më i larti mbi një territor dhe popullsi.
Me ndarjen e pushtetit të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë mbi territorin e Republikës së Kosovës, qoftë sipërfaqe, qoftë thellësi, është tashmë shkelje e sovranitetit, bashkëndarje e pushtetit të shtetit të Kosovës, që do duhej me qenë i vetmi, me një shtet tjetër.
2. Kufijtë janë ndërgjegjja e palëve për territorin që kontrollohet nga një sovran, pushtet, i vetmi dhe më i larti. Vijat dhe shenjat fizike të territorit janë vetëm manifestimi pamor i asaj ndërgjegjeje. Kufiri vlen pa shenjat fizike: edhe sikur të mos ketë asnjë shenjë pamore, kufiri ekziston kur palët janë të ndërgjeshme për deri ku shtrihet pushteti i tyre i vetëm, dhe përtej të cilit nuk kanë pushtet. Shenjat fizike nuk vlejnë pa atë ndërgjegje dhe vullnet.
Me “marrëveshjen” për ushtrimin e përbashkët të pushtetit nga RK dhe RS, kufiri ndërmjet RK dhe RS ka rënë, sepse, qoftë dhe bashkërisht, megjithatë hapësira e ushtrimit të pushtetit të RS është shtrirë brenda hapësirës që RK e mëtonte për të vetin. Palët janë të ndërgjegjshme se nuk ka asnjë pikë deri ku shtrihet pushteti i vetëm i RK. “Marrëveshja” Hoti, e shkel kufirin e RK jo vetëm në Ujman, por pa përcakim, kudo ku ka burime natyror, kisha serbe, etj.
Ky është ndryshim i kufirit të RK më i rëndë sesa në rastin e Çakorrit, dhe madje sesa të vetë “këmbimit” të përfolur të territoreve, por sipas të cilit së paku do të dihej territori i secilit shteti sovran.
Të dy shkeljet janë të lidhura, sepse vetë shkelja e sovranitetit të shtetit sjell domosdo shkeljen e kufirit, përderisa sovraniteti kupton kontrollin e vetëm të territorit dhe popullsisë.
3. “Marrëveshja” Hoti nuk mund të paraqitet për miratim në Kuvendin e RK, sepse nuk përmbush kushtet e marrëveshjes: nuk ka së paku dy palë që e kanë miratuar, duke e shprehur këtë miratim me nënshkrimin e tyre, nuk i ka të identifikuar sakt subjektet me zotësi juridike për të vepruar, etj. Thjesht “Serbia” dhe “Kosova”, “Beogradi” dhe “Prishtina”, pa emërtimin zyrtar të tyre, i njohur si i tillë, nuk janë subjekte të së drejtës ndërkombëtare.
Në një dokument të vlefshëm juridikisht, synektoda, përdorimi i emrit të pjesës për të tërën, dhe akronimet, shkurtimet në shkronjat e para të emrave, kanë vlerë vetëm mbasi është përdorur në fillim emërtimi i plotë dhe pastaj është thënë se në vijim do të shënohen akronimet. Ndërsa synektoda është e pazakontë në dokumentet juridikë, duke iu lënë kryesisht letërsisë si figurë stilistike, dhe Kuvendi nuk miraton vepra letrare.
Sigurisht “marrëveshja” ka shumë elementë të tjerë që e zhbëjnë natyrën e saj të një dokumenti juridik, por këtë veshtrim mund ta bëjnë mirë vetë juristët.

Marrëveshja në SHBA është arritur, këto mund të jenë opsionet


 Pak orë kanë mbetur nga takimi në Shtëpinë e Bardhë ne mes të Kosovës dhe Serbisë, ku do të bëhet nënshkrimi trepalësh nga presidenti amerikan, Donald Trump. Por, çfarë pritet nga ky takim, derisa ende nuk dihet se çfarë do të nënshkruhet?

Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se takimi i organizuar në Shtëpinë e Bardhë duket se ka pasur arritje në fushën ekonomike.

“Çka pritet nga takimi në Washington! Takimi i organizuar në Shtëpinë e Bardhë në Washington duket se ka pasur disa arritje, sidomos në fushën ekonomike, si dhe të qarkullimit të mjeteve, të mallrave dhe të njerëzve. A kanë suksese këto çështje pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse është një çështje në vete dhe shumë rëndë për të përcaktuar tash”, është shprehur ai.

Kelmendi vlerëson se pjesëmarrja e Trump në takim tregon se ndonjë marrëveshje është arritur dhe do të nënshkruhet, pasi ai nuk do të merrte pjesë.

“Pjesëmarrja e z.Trump në takimin dy pakësh në mes Kosovës dhe Serbisë tregon se ka përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe se ndonjë marrëveshje është arritur dhe do të nënshkruhet. Përndryshe z. Trump nuk merr pjesë. Është e kuptueshme kjo. Administrata e SHBA-ve nuk munden të organizojë një takim të tille pa suksese, sepse zgjedhjet janë në nëntor dhe çdo mos sukses është humbje. Prandaj, sukseset janë faktor kryesor për z. Trump”, ka thënë profesori.

Sipas tij, marrëveshja do të realizohet në disa fusha.

“E nga kjo pjesëmarrje mendohet se në disa fusha do të realizohet ndonjë marrëveshje: 1. Fusha ekonomike dhe e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, e transportit tokësor dhe ajror etj. 2. Fusha organizative e minoritetit serb dhe të kishave ortodokse dhe 3. Çështjet në fushën e tërheqjes së kufirit që kërkon kohë dhe dialog më të gjerë dhe shumë të ngadalshëm”, ka theksuar Muhamet Kelmendi.

Më tej, ai shton se nuk pritet njohje reciproke, derisa thotë se nuk duhet të priten përmirësime nga takimi i sotëm me prezencën e Trump, për shumë çështje që ndikojnë në marrëdhëniet në mes të dyja vendeve.

“Këtu nuk priten njohje reciproke. Aktualisht janë dominuese temat ekonomike dhe telekomunikacionit, sikundër dhe qarkullimi i lirë mallrave dhe të njerëzve. Këtej do të kemi marrëveshje. Çështjet nga fusha organizative brenda Republikës varen shumë nga raportet midis dy shteteve dhe nga faktorët bisedues. Mund të pritet ndonjë asociacion dhe vendim mbi kishat! Si do të duket ai? Sigurisht do të këtë kompetenca! Mund të priten përmirësime gjoja të raporteve Prishtinë-Beograd. Por, sado të jenë këto produktive, është vështirë të themi se kanë suksese. Dhuna dhe terrori, gjenocidi ka qenë i lartë dhe intensiv mbi popullin tonë. Edhe 1600 shqiptarë janë të pagjetur. Kemi dëme të mëdha materiale dhe morale. Është një papërgjegjësi penale e lartë e pushtetit serb. Askush nuk është përgjigjur për përdhunimet e bëra të nënave dhe të motrave shqiptare. Këto janë tema që çdo marrëveshje, pa zgjidhjen e tyre, kurrë nuk i përmirëson marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Është marri të presim përmirësime të dukshme sot nga takimi në Washington me prezencën e z Trump. Të shpresojmë në më të mirën”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Hoti kërkon bashkërendim veprimesh institucionale në fushë të sigurisë, në veçanti me KFOR-in

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka mbajtur sot një takim virtual me drejtuesit e institucioneve të sigurisë së vendit, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale në fushë të sigurisë.

Pjesëmarrës të këtij takimi ishin ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në njoftimin për media thuhet se Hoti i falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19.

Po ashtu, ai kërkoi që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë.

HARADINAJ PARALAJMËRON PRISHJEN E KOALICIONIT, I PAKËNAQUR ME KRYEMINISTRIN HOTI

Ish-kryeminsitri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar prishjen e kolaicionit qeverisës sepse është i pakënaqur nga kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti “Nëse vazhdon kështu kryeministri Hoti, unë nuk e mbështes në qeveri”, është shprehur Haradinaj. Ai gjithashtu ka kritikuar mospërfilljen dhe shmangien që Hoti i kishte bërë ministrit të Drejtësisë Selim Selimi në takimin e Brukselit me presidentin serb Aleksander Vuciq.“Ja kam thënë zyrtarisht i kam dërguar edhe shkresë ku i kemi vërejtjet, nuk ka pasur arsye me marrë shefen e kabinetit të tij përball takimit me Aleksander Vuciqit që tash e ka përvojën e parë e me lënë jashtë takimit Selim Selimi”, tha Haradinaj në Klan Kosovë.Tutje, Haradinaj tha për ish-kryeministrin Kurti se ky i fundit e ka rrëzuar vetën nga pushteti.“Kurti ka rrëzuar vetën, sa për mua edhe 8 vjet do të qëndronte në pushtet, arsyeja pse u bënë bashkë partitë e vjetra vjen si pasojë e gabimeve të tij”, shtoi Haradinaj

Arelena Shala, kosovarja e parë që diplomohet në Akademinë Ushtarake West Point në SHBA

Kosovarja, Arelena Shala është diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point, që është institucioni më elitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Shala është kosovarja e parë e cila arrin diplomohet me merita vetanake në këtë akademi.
Ndryshe, Shala vitin e kaluar është përzgjedhur rreshtere majore në Akademinë Ushtarake West Point, që është institucioni më elitar në SHBA.
Nga kjo akademi udhëheqin jo vetëm me ushtrinë, por edhe me shtetin dhe se procedura e rekrutimit është tepër rigoroze.
Në këtë akademi pos Shalës është edhe një kadet nga Kosova, që po shkollohet.

Nisin hetime per korrupsionin e ish ministrit të PDK-së

Ndërtimi i lagjes super luksoze në Bellopojë të Pejës, nga babai dhe familjarë të ministrit Besim Beqajt, duket se nuk do të kalojë pa hyrë në “llupën” shtetit. Agjencia  Kundër Korrupsionit (AKK) ka nisur ta trajtojë këtë rast, pasi ka dyshime se si mund të bëhet ndërtimi i saj, kur pronari Jakup Beqaj nga deklarimet ndër vite nuk ka pasur në llogarinë bankare më shumë se 22 mijë euro para të gatshme.

Kjo lagje super luksoze në Bellopojë të Pejës ka filluar të marrë formë. Plani i familjes Beqaj është që të ndërtojë 57 shtëpi luksoze, ndërkohë deri më tani janë ndërtuar vetëm gjysma. E ndërtimi i kësaj lagjeje është duke u parë me dyshime edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).
Në një përgjigje për FaktePlus zyrtarë nga ky institucion kanë treguar se tashmë janë duke u marrë me këtë çështje.
Siç kanë thënë në Agjencinë Kundër Korrupsionit lënda ndaj “Peja Hill” është duke u trajtuar.
“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar dhe është në procedurë,  pra duke u trajtuar”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.
Kujtojmë edhe një herë se pronarë të kësaj lagjeje janë Jakup Beqaj, babai i ministrit aktual Besim Beqaj, ndërsa si pronar figuron edhe një familjar tjetër i tij që e ka emrin Veton Beqaj, e i cili është një djalë i ri që është diplomuar në mars të vitit 2016.
 Ndërsa, në kohën e njëjtë të diplomimit  me Veton Beqajn është regjistruar si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve edhe ndërmarrja “Peja Hill”, shkruan FaktePlus.
Megjithëse ndërtimi i lagjes duket të ketë kosto shumë të lartë prej miliona euro, ministri Besim Beqaj kur e ka deklaruar pasurinë në vitin 2018, ka treguar se në llogarinë bankare të babait të tij janë vetëm 22 mijë euro para të gatshme, të fituara nga pagat në biznesin e Jakup Beqajt, “The Cambridge School”.
Ndonëse, ka deklaruar të hyrat e babait, vetëm nga kolegji, ato nuk janë deklaruar edhe nga kompania “Peja Hill”.
Të hyrat e babait janë deklaruar nga viti 2015, dhe ato nuk e kapin shifrën e më shumë se 22 mijë euro para të gatshme në bankë, mjete këto që janë përfituar kryesisht nga kolegji.
Lagja “Peja Hill” ka nisur të ndërtohet në vitin 2016 në pjesën jug-perëndimore të Pejës, 2 km nga qendra e qytetit. Sipas ueb faqes zyrtare të “Peja Hill” lagja do të ketë 57 shtëpi banimi me 3 lloje të shtëpive (lloji A, B dhe C), të cilat kanë sipërfaqe të ndryshme.
Planin e shtëpive e ka bërë N.SH. “Cena” nga Peja dhe deri më tani “Peja Hill” është pajisur me 29 leje të ndërtimit nga Komuna e Pejës.
Me 14 leje të ndërtimore, Beqaj është pajisur në vitit 2018 për ndërtimin e shtëpive individuale. 6 leje i ka marr në nëntor, 1 në gusht dhe 7 në korrik. 12 leje janë marr në vitin 2017.  Ndërsa, në korrik të vitit 2016 janë lëshuar 3. Në Komunë e Pejës kryetar që dy mandate është Gazmend Muhaxheri i LDK-së.

Shtohet numri i KFOR-it Gjerman, ska prekje kufiri në Kosovë

Të mërkurën Bundestagu debatoi për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it, ku doli në pah edhe njëherë se si e shohin deputetët gjermanë zgjidhjen e konfliktit politik Serbi-Kosovë.Është e njëjta procedurë çdo vit: Nga mesi i majit, deputetët gjermanë vendosin me shumicë votash zgjatjen e angazhimit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë. Një vendim që kërkon formalisht miratimin e Bundestagut. Dhe gjithmonë debatohet dy herë, njëherë kur kërkesa e qeverisë gjermane u shtrohet ligjvënësve, dhe më pas, kur miratohet. Dhe deputetët gjermanë që merren me Ballkanin Perëndimor nuk e humbin rastin të kujtojnë edhe njëherë qëndrimet e tyre ndaj Luftës së Kosovës, legjitimitetit të misionit të Bundeswehr-it dhe problemeve aktuale të vendit.
Të mërkurën ishte debati i parë, prej të cilit u bë e qartë edhe se përveç dy partive ideologjikisht të skajshme, E majta, dhe Alternativa për Gjermaninë, katër partitë e qendrës: dy partitë e koalicionit, Unioni Kristian-Demokrat/ Unioni Kristian-Social (CDU / CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD), si edhe liberalët (FDP) dhe Të Gjelbrit (Grüne).do te votojne pro zgjatjes se mandatit.
Pikërisht këto katër parti e refuzojnë kategorikisht edhe këmbimin territorial si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, siç doli në pah nga deklaratat e folësve të tyre. null
Maas: Të largohemi nga zgjidhjet kufitare
Qeveria gjermane planifikon të vërë në dispozicion deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it. Siç bëri të ditur ministri i jashtëm, Heiko Maas, aktualisht veprojnë në Kosovë 70 ushtarë të Bundeswehrit. Ministri socialdemokrat e përshkroi gjendjen e sigurisë relativisht të qëndrueshme, por tha se në aspektin politik marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar, dhe premtoi angazhimin e mëtejmë të Gjermanisë për vazhdimin e dialogut,e dhe në kuadër të presidencës gjermane të BE-së, që fillon më 1 korrik. Maas shfrytëzoi rastin ta hidhte poshtë idenë për këmbimin e territoreve:
“Qëllimi është që të largohemi nga zgjidhjet me kufij, të cilat janë parashtruar në tryezë jo vetëm nga palët, por edhe nga të tjerë, që duan të ushtrojnë ndikim atje. Por kjo do të arrinte vetëm një gjoja-përparim, nëse do të quhej përparim, duke pasur parasysh gjendjen e atjeshme. Lojëra me ide të tilla vetëm sa e shtyjnë zgjidhjen për problemet komplekse dhe nuk çojnë askund vetëm se në një rrugë qorre.”
E Majta dhe AFD per ndryshim kufijsh
Anton Friesen, nga AfD-ja, ashtu siç edhe pritej, e hodhi poshtë arsyetimin për angazhimin e Bundeswehrit, në Kosovë, i cili sipas tij, qysh në vitin 1999 filloi me një gënjeshtër. „Operacioni Patkoi nuk ka ekzistuar kurrë”, tha deputeti i partisë së djathtë populiste, Friesen duke shtuar se përralla vazhdon edhe në ditët e sotme.
„Përrallën e një Kosove shumëetnike paqësore nuk e besojnë as ata që e shpërndajnë këtu”, tha Friesen.
„Në vend që të vazhdohet me këto gënjeshtra të përjetshme, qeveria gjermane do të bënte mirë të angazhohej për një këmbim territoresh, në mënyrë që serbët në Kosovën e Veriut të mbrohen në kuadër të shtetit të tyre, dhe zonat shqiptare të prirura për destabilizim në jug të Serbisë, të stabilizohen duke u bashkuar me territorin e Kosovës”.
Alexander Neu, nga partia E Majta, megjithëse ideologjikisht diametralisht kundër AFD-së nacionaliste, argumentoi më afër në linjën e ekstremistëve të djathtë: Neu u shpreh pro këmbimit të territoreve duke dhene si argument se ideja mbështetet nga dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiç dhe Rusia, dhe disa zera ne BE.
„Kush është kundër? Qeveria gjermane! Sepse kembimi i territoreve mund të sjellë destabilizime në Evropën Juglindore”, tha Neu, duke e quajtur Kosovën për këtë shkak „një koloni gjermane”.

Kurti kërkon opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me kompetencat e Presidentit për mandatarin

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit. Sipas Qeverisë, në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venecias do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese.
“Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision. Duhet theksuar që është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Albin Kurti mbetet kryeministër, Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Thaçit për Hotin

Gjykata Kushtetuese ka aprovuar kërkesën e Lëvizjes “Vetëvendosje” për pezullimin e dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për kryeministrin e ri, Avdullah Hoti. Kjo u bë e ditur nga avokati, Arianit Koci.
“U pezullu!. S’kishte rrugë tjetër. Kosova s’po mundet me nje Qeveri e lere më me dy. Gjykata Kushtetuese po e ndërton narracionin se Kosova është shtet normal me politikane adoleshenta. Mos u ngutni priteni njoftimin me shkrim. Le te mos kuptohet ky status si presion mbi asnjërën pale”, ka shkruar ai.

Janë prishur raportet e Hashim Thaçit me partinë e tij, PDK?

Afaristi i njohur nga Kosova, Burim Piraj, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar edhe gjendjen aktuale politike në Kosovë. Ai thotë se dikush është në siklet të madh nga politikanët, pasi nuk mund të ketë shpjegim tjetër gjendja në të cilën jemi me pandeminë dhe politikën.
Sipas tij, janë dy plane A dhe B.
Ai shton se ose janë prish raportet e PDK-së me Hashim Thaçin, ose po dëshirohet që partitë politike të i fut në ndonjë kurth politik nga e cila do të dobësohen shumë para elektoratit në zgjedhjet e ardhshme.
Postimi i plotë:
Duke i vëzhguar zhvillimet politike në vend, njeriu nuk mund të mos vjen në përfundim se diçka e madhe në prapavijë po zihet. Derisa ne si qytetar të thjesht po merremi më shumë me pandeminë politika e vendit po zien.
Dikush është në siklet të madh!
Të them të drejtën unë nuk po mund të gjej shpjegim për shumë fenomene e njëri nga to është relacioni i PDK-së me qeverinë që po formohet!
Thjesht nuk e di pse PDK-ja nuk po pranon ta voton qeverinë a nga ana tjetër kemi par një angazhim jashtëzakonisht të madh të presidentit për të arritur të krijohet ky koalicion!
A janë prish raportet PDK- President apo ndoshta është në pyetje plani B i cili dëshiron që partitë e tjera ti fus në ndonjë kurth politike nga e cila do të dalin shumë të dobësuar para elektoratit në zgjedhjet e ardhshme.
Një opsion mund të jetë dhe mandati i dytë i presidentit duke i fituar votat e partive në koalicion plus PDK-së.
Vërtetë po zihet po s’po dihet çka!

Kurti: Qëllimi i rrëzimit të qeverisë është arritja e Marrëveshjes me Serbinë

Kryeministri kosovar Albin Kurti po mban fjalim para Kuvendit për mocionin e parashtruar nga LDK-ja.
Kurti tha se qëllimi i këtij mocioni është që populli dhe shteti të mbetet pa qeverinë që e ka votuar.
Të mbetet pa qeveri që ka program punësimi dhe të mbetet populli kosovar pa qeveri mu në mesin e pandemisë, në mënyrë që është shembull jo vetëm për rajonin.Motori i këtij mocioni nuk ka të bëjë me ministrin, as me tërheqjen e trupave të SHBA-së, por është i nxitur nga marrëveshja për shkëmbim të territoreve.
Kurti tha se Hashim Thaçi në takimin e përbashkët që kanë pasur haptazi i ka thënë që ta heqë taksën për produktet serbe “të shkojmë bashkë në Uashington, ta bëjmë marrëveshjen dhe ta heqim qafe përgjithmonë Serbinë”.
Deri sa unë jam kryeministër, territori i Kosovës nuk ndahet as me marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, as në Shtëpinë e Kuqe, e as në Shtëpinë e gjelbër, tha Kurti.

Kryeministri Kurti flet për paralajmërimin amerikan lidhur me tërheqjen e trupave nga Kosova

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk beson se do të ketë sanksione nga SHBA-ja ndaj Republikës së Kosovës.
Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë, kur është pyetur për paralajmërimin e senatorit amerikan David Perdue se nëse Kosova nuk e heq taksën, SHBA-të duhet ta konsiderojnë largimin e trupave të tyre. Përpos kësaj, Kurti tha se njëherë për njëherë nuk mund të implementohet plani i tij për heqjen e tarifës për shkak se ai e do një konsensus brenda qeverisë në mënyrë që kur të votohet ky vendim në Kuvend të marrë mbështetje unanime.
Sa i përket takimit me emisarët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron – Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne – Kurti deklaroi se ky ka qenë takim i frytshëm. Ai po ashtu, për dallim nga presidenti Hashim Thaçi i cili është skeptik, tha se beson se deri në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në muajin maj në Zagreb, mund të ketë lëvizje për heqjen e vizave për Kosovën. 

Grenell lë postin e ambasadorit në Gjermani, mbetet vetëm emisar për dialogun Kosovë – Serbi

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, do të japë dorëheqje nga posti i tij si ambasador në Gjermani. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter nga gazetari i Daily Wire, Ryan Saavedra.
Grenell do të largohet nga pozita e ambasadorit në Berlin, kur John Ratcliffe të konfirmohet nga Senati Amerikan si shef i ri i Inteligjencës Kombëtare.
“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Richard Grenell, e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë se ai do të japë dorëheqje nga pozita e ambasadorit amerikan në Gjermani sapo John Ratcliffe të konfirmohet nga Senati në këtë pozitë”, ka shkruar Saavedra.
Ndërkaq, postimin e Saavedras në Twitter, e ka shpërndarë edhe djali i presidentit Trump, i cili e ka falënderuar Grenellin për kontributin e tij.
Falendërimin e djalit të Trump-it e ka shpërndarë edhe vetë Grenell pastaj.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kishte emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell si drejtor në detyrë të Zbulimit Kombëtar.
Richard Grenell është i dërguar i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi.
Njeriu më i fuqishëm i botës, Donald Trump, kishte thënë se do të emërojë një ambasador të ri në Berlin pasi Grenell është emëruar shef i Agjencive të Sigurisë Kombëtare në SHBA.
“Do ta emëroj një ambasador në Gjermani”, iu ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një udhëtim në Indi.
Derisa ishte ambasador në Gjermani, Grenell ishte emëruar i dërguari i posaçëm i SHBA-së për bisedimet Kosovë – Serbi.
Trump pati deklaruar se ka në mendje pesë kandidatë për pozitën e shefit të inteligjencës amerikane, njëri prej të cilëve do të bëhet drejtor i përgjithshëm.
“Në një të ardhme jo edhe aq të largët, do t’i bëjmë të ditur emrat e këtyre kandidatëve”, ka thënë Trump-it. /GazetaExpress/

Rrugëtimi politik i Kurtit deri në majën e Qeverisë

Pas 23 vjetëve aktivitet politik Albin Kurti gjatë ditës së djeshme mori pozitën e kryeministrit të ri të Kosovës. Për katër vjetët e ardhshëm Kurti pritet ta udhëheqë Qeverinë dhe të merret personalisht me çështje, të cilat me dekada i ka kundërshtuar në rrugë e nëpër institucione, shkruan sot gazeta Zëri. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në seancën e djeshme të Kuvendit është zgjedhur kryeministër i Republikës së Kosovës. 13 vjetët e opozitarizmit politik jashtë Kuvendit dhe 10 vjetët tjerë si opozitar në Kuvend sot ia mundësuan Kurtit ta marrë pozitën më të rëndësishme të shtetit. Si kryeministër i ardhshëm Albin Kurtin do ta presin shumë sfida me të cilat është përballur edhe sa ka qenë në opozitë, por kësaj radhe prej një këndi tjetër. Albin Kurti u lind më 24 mars 1975, në Prishtinë.
Pas përfundimit të shkollimit fillor dhe atij të mesëm, Kurti vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe të Telekomunikacionit. Gjatë kohës sa ishte student, më 1997-n Kurti u bë pjesë e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, në të cilin shërbente si anëtar i kryesisë dhe më vonë edhe zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare. Përveç kësaj, ai ishte edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore prej ku kundërshtonte regjimin e Slobodan Milosheviqit dhe kërkonte lirimin e ambienteve universitare nga pushtimi serb. Gjatë aktivitetit të tij për të drejtat e njeriut, më 1 tetor 1997, Kurti u bë njëri ndër organizatorët kryesorë të protestës historike studentore. Në fillim të luftës në Kosovë, më 1998-n, Kurti nisi punën si sekretar i zyrës së përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit. Përgjatë kësaj kohe ai qe angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë.
Më 27 prill 1999, gjatë kohës kur po vazhdonin bombardimet e NATO-s, Albin Kurti u arrestua nga policia serbe dhe qëndroi në burgjet e Kosovës deri më 10 qershor prejse së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet e Serbisë. Më 13 mars të vitit 2000 në Nish ai u dënua me 15 vjet burgim nga Gjykata e Serbisë ndonëse e kontestonte legjitimitetin e saj. Pas marrjes së dënimit Kurti deklaroi se nëse do të kishte mundësinë prapë do të vepronte njëjtë. “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti do të veproja sërish njësoj”. Pas presionit ndërkombëtar, më 7 dhjetor të vitit 2001, Albin Kurti u lirua nga burgu. Pas kthimit në Kosovë dy vjet më vonë ai diplomoi në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe të Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës. Albin Kurti u martua me Rita Augestad Kndusen, me të cilën ka edhe një vajzë të quajtur Lea.
“Lëvizja” e Kurtit
Pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2003 ai nisi aktivitetin e tij në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), organizatë kjo që qëllim kishte ndryshimet shoqërore dhe krijimin e një qytetarie aktive. Bashkë me aktivistë të tjerë të kësaj organizate, dy vjet më vonë, Kurti themeloi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) si organizatë politike. Lëvizja e Kurtit, e cila më vonë u kthye në parti, rrugën e saj nisi me kundërshtimin e përfshirjes së të huajve në punët e brendshme të vendit. Ajo vazhdoi me fushata për të drejta e mundësi të barabarta për qytetarët duke kërkuar me ngulm të drejta për vetëvendosje. Për 15 vjet radhazi Lëvizja Vetëvendosje nuk e ndali asnjëherë aktivitetin e saj, me raste edhe radikal, duke kundërshtuar marrëveshje të ndryshme për Kosovën, të cilat ajo i konsideronte të dëmshme, por duke kundërshtuar edhe veprime e vendime të presidentit e të qeverive të Kosovës ndër vite.
Në krye të Vetëvendosjes Kurti qëndroi për një dekadë derisa në zgjedhjet e brendshme të LVV-së më 2015 kryetar u zgjodh Visar Ymeri, i cili në këtë pozitë qëndroi për tre vjet deri kur e la përfundimisht LVV-në. Pas dorëheqjes së tij, Kurti sërish mori udhëheqjen e Vetëvendosjes në krye të së cilës qëndron edhe sot. Kësisoj në vitin 2010 Vetëvendosja hyri për herë të parë në zgjedhjet nacionale, ku fitoi 12,66% të votave duke u përfaqësuar me 14 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në zgjedhjet e vitit 2014 Vetëvendosja mori 13,59% të votave ose 16 ulëse në Kuvend. Ndërsa në vitin 2017 partia e Kurtit bëri një kthesë të madhe duke dalë si partia e dytë në zgjedhje dhe mori 27,49%, kështu duke fituar 31 ulëse në Kuvend. Në zgjedhjet e fundit, që u mbajtën në tetor të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 26,27% të votave dhe fitoi 28 ulëse në Kuvend e me këtë rast lideri i saj Albin Kurti arriti të marrë postin e te parit të Qeverisë.
Protestat dhe arrestimet
Bashkë me aktivistë të Vetëvendosjes, më 10 shkurt 2007 Kurti organizoi një demonstratë kundër Pakos së Martti Ahtisaarit, e cila sipas tij e dëmtonte Kosovën dhe nuk do të sillte pavarësi. Në këtë demonstratë morën pjesë mbi 60 mijë persona dhe pas eskalimit të saj, policë të UNMIK-ut vranë dy persona dhe lanë shumë të tjerë të plagosur. Protestat e Vetëvendosjes në krye me Kurtin vazhduan edhe më tej. Në vitin 2012 Kurti organizoi protestë nën moton “Serbia nuk kalon”, ku protestuesit tentonin t’i bllokonin mallrat që vinin nga Serbia në Kosovë me qëllim të reciprocitetit tregtar Kosovë – Serbi. Edhe në këtë protestë mbetën shumë protestues e policë të lënduar.
Tre vjet më vonë pas ofendimit të nënave gjakovare nga ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, Kurti organizoi protestë gjithëpopullore në Prishtinë si ultimatum ndaj qeverisë së atëhershme të Isa Mustafës për shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të tij. Pas pjesëmarrjes së rreth 45 mijë qytetarëve në këtë protestë, Mustafa e shkarkoi Jabllanoviqin nga posti i tij qeveritar. Më 2016-n Kurti organizoi një protestë tjetër me të cilën kundërshtoi marrëveshjet e Brukselit për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Pjesë e kësaj proteste përveç Vetëvendosjes ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate. Sipas organizatorëve të saj, në protestë morën pjesë rreth 100 mijë pjesëmarrës përderisa Policia e Kosovës tha se aty morën pjesë 8 mijë protestues. Protestat nuk u ndalën më kaq, Lideri i LVV-së organizoi edhe një protestë tjetër në shtator të vitit 2018 kundër presidentit Thaçi.
Me këtë protestë Kurti kundërshtonte, siç i quante ai “pazaret për territore” mes Thaçit dhe Vuçiqit. Përgjatë shumë protestave që ai kishte organizuar dhe kishte udhëhequr, Kurti ishte arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës. Përveç protestave jashtë institucioneve, ai kishte kundërshtuar veprimet e Qeverisë edhe brenda Kuvendit të Kosovës, duke hedhur gaz lotsjellës disa herë në sallën e seancave, për t’u arrestuar më pastaj dhe për t’u dënuar me burg për këto vepra. Kurti disa herë kishte dalë kundër vendimeve të Qeverisë së Isa Mustafës me partinë e të cilit tashmë ka krijuar qeverinë e re, të cilën pritet ta udhëheqë për katër vjetët e ardhshëm.

Kandidatët për kryeministër flasin për dialogun Kosovë-Serbi, ky është qëndrimi i tyre

Qeveria e re e Kosovës do të duhet të përballet me temën e dialogut me Serbinë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të ketë në këtë proces.
Kjo është një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare e posaçërisht e SHBA-së, e theksuar disa herë nga i ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.
“Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat, të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar Palmer, shkruan DW.
Kosova tani gjendet në fushatë zgjedhore dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tema për të cilën kanë shfaqur pikëpamjet e tyre edhe të nominuarit për kryeministër të Kosovës.
Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, thotë se në rast fitoreje, dialogun me Serbinë do ta udhëheqë vetë ajo dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën që dialogu, sidomos i fazës së fundit, të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës.
Vjosa Osmani: Dialogun do ta udhëheq unë
“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria e Kosovës, këtë proces do ta udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe dialogut, kam përvojë më shumë se secili nga kandidatët për kryeministër. Pasi ne si qeveri ta negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshjen me Serbinë, natyrisht në bashkëpunim gjatë gjithë kohës me Kuvendin e Kosovës dhe kur marrëveshja të ratifikohet në Kuvend, atëherë presidenti e ka vetëm një detyrë ceremoniale që ta vendosë nënshkrimin në dekretin për ratifikimin e marrëveshjes”, ka thënë në premtimet e saj në fushatë Vjosa Osmani.
Kandidati tjetër për kryeministër nga koalicioni AAK dhe PSD, Ramush Haradinaj, që dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe që gjatë qeverisjes së tij u vendos taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë, thotë se ky vendim për taksën i ka treguar Serbisë që Kosova nuk hyn në dialog me kushte, ashtu siç po kërkon Serbia.
Haradinaj: Dialogu pa kushte
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë për fqinjësi të mirë me njëra tjetrën. Ne jemi të gatshëm për këtë. Por, nuk jemi të gatshëm për rinënshtrim dhe për çfarëdo situate të dorës së dytë. Pra, vetëm si dy shtete si dy fqinje që kanë interesa. Këtë situatë kurrë më të qartë nuk e ka pasur Serbia dhe këtë ia ka treguar taksa”, thotë Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti,  thotë se  në rast se zgjidhet kryeministër, fillimisht sipas tij, duhen rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë-Serbi.
Ai thotë se, në rast se zgjidhet kryeministër, me qeverinë e tij do ta formojë një ekip negociator ku do të shqyrtohet secila fushë.
Kurti: Duhet të rishqyrtohen të gjitha marrëveshjet
“Ne duhet ta krijojmë një ekip negociator, i cili duhet ta ketë strategjinë përkatëse dhe duhet t’i ketë edhe parimet e dialogut, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kakofonie në këtë aspekt dhe natyrisht kjo nuk mund të bëhet menjëherë. Për këtë nevojitet një komision që e mbyll shpejt kapitullin e 33 marrëveshjeve të arritur në dialog, prej vitit 2012 deri 2017”, ka theksuar Albin Kurti.
Unitet të spektrit politik për  dialogun e ardhshëm me Serbinë po kërkon kandidati i Nismës për kryeministër të Kosovës, Fatmir Limaj.
Ai i kërkoi spektrit politik kosovar një unitet për t’iu qasur dialogut me Serbinë, një unitet, sipas të cilit kishte munguar në mandatin e kaluar të legjislativit.
Limaj kërkon unitet
“Të vetëdijshëm, se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit. Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë”, shkroi Fatmir Limaj në një letër drejtuar gjithë spektrit politik.
Veseli ende pa qëndrim
E kandidati i PDK-së për kryeministër Kadri Veseli akoma në këtë fazë nuk ka dalë me ndonjë qëndrim për dialogun e ardhshëm më Serbinë në rast se zgjidhet kryeministër.
Në këtë fazë të fushatës ai plotësisht është koncentruar në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se ata nuk kanë parë ndonjë opsion të qartë në qasjen e kandidatëve për kryeministra karshi dialogut me Serbinë.
Blerim Burjani analist politik i tha DW-së se të gjithë kandidatët për kryeministër nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e partive të tyre.
Prandaj asnjë nga kandidatët gjatë kësaj fushate nuk ka ofruar diçka esenciale që e lëviz dialogun në një kahje të duhur.
Analistët: Nuk ka ofertë konkrete
“Pa marrë parasysh se kush do të fitojë, atë e pret tema e dialogut që mund të ndikojë në jetëgjatësinë e qeverisë së ardhshme. Mendoj se është e domosdoshme që pas zgjedhjeve të krijohet një qeveri me një kryeministër kredibil, të guximshëm, të gatshëm për ndonjë zgjidhje përfundimtare. Kryeministri duhet të ketë një koalicion të shumicës në Kuvend, të ketë 80 vota për të aprovuar ndonjë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi. E këtë unë mendoj, mund ta bëjë vetëm një koalicion i gjerë apo konsensus i gjerë i spektrit politik. Në të kundërtën është një sfidë e kalueshme”, thotë Blerim Burjani.
Vendet e QUINT-it, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova pezullimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe rifillimin e dialogut, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese ndaj të dyja palëve.

LDK: Kryeministre e ardhshme e Kosovës do të jetë Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka vendosur që ish deputeten e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin ta kandidojë për kryeministre nga radhët e kësaj partie.
Kjo është konfirmuar nga kreu i LDK-së Isa Mustafa gjatë një konference për media.
“Ne biseduam për kandidatin dhe arritëm marrëveshje me pajtim të plotë për kandidatët kemi pasur Lutfi Haziri, është një personalitet që ka merita të veçanta në LDK që nga themelimi. Dhe po ashtu Vjosa Osmani e cila deri para 3 ditësh ka qenë deputete, kryetare e komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare, me të cilën kemi bashkëpunuar. E kemi vlerësuar kontributin e të dyve. Por edhe mbi bazën e vullnetit edhe propozimit të Lutfi Hazirit, jemi dakorduar që kandidatit jonë për kryeministër të jetë Vjosa Osmani”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë ky subjekt politik ka shprehur gatishmërinë që të shkojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme, teksa për koalicionin me VV kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk do të nguten dhe se do të shohin cili është interesi i partisë. /Lajmi.net/

Adem Jashari, simboli i pavarësisë së Kosovës

Simboli i pavarësisë së Kosovës, Adem Jashari, përkujtohet në 21 vjetorin e masakrimit të tij, bashkë me familjen dhe mysafirët, pasi forcat serbe rrethuan shtëpinë e tij në Prekaz më 5-7 mars të vitit 1998 gjatë luftës në Kosovë. Mbi 50 njerëz në mesin e të cilëve edhe Jashari, një ndër themeluesit dhe komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkujtohen me aktivitete të ndryshme në përvjetorin e “Masakrës së Prekazit” ose ndryshe e njohur edhe si “Epopjea e UÇK-së”, në mbarë Kosovën si dhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut.
Adem Jashari, u lind më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Drenicës. Me fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990-ta, Jashari bashkë me shokët e tij duke u shqetësuar nga nacionalizmi serb, kishin formuar UÇK-në e cila më pas do të luante rol të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës. Ai mori pjesë në radhët e para në lëvizjet popullore dhe të pavarësisë. Në vitin 1991 kaloi në Shqipëri ku edhe stërviti grupin e vullnetarëve ndërsa morri përsipër edhe detyrën e Komandës së Drenicës në UÇK.
Masakra e Prekazit
Ushtarët, policia dhe njësitet paramilitare serbe në vitin 1998 filluan një operacion kundër kosovarëve që kërkonin pavarësi. Në luftën në të cilën humbën jetën mijëra njerëz si dhe u zhvendosën qindra mijëra të tjerë, ishin kryer edhe shumë krime lufte. Ngjarja e cila ndryshoi kahjen e luftës në Kosovës, ishte masakrimi i mbi 50 personave së bashku me Adem Jasharin. Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ndodhi më 30 dhjetor 1991, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz, si pasojë e së cilës humbën jetën nga të dyja palët.
Në sulmin e dytë ndaj familjes Jashari më 22 janar 1998, dy persona nga kjo familje ishin plagosur. Forcat serbe më pas më 28 shkurt të vitit 1998 kishin kryer sulme ndaj shtëpive për të cilat mendonin se kanë lidhje me familjen Jashari, si pasojë e së cilës humbën jetën 17 persona. Më pas më 5 mars të të njëjtit vit, forcat serbe sërish rrethuan shtëpinë ku gjendej Adem Jashari dhe familja e tij me tanke dhe artileri të rëndë. Në përleshjet që vazhduan deri më 7 mars, forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari dhe mysafirët e tyre, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë.
Simboli i shqiptarëve të Kosovës
Pas vdekjes, Adem Jashari, u bë simboli i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit. Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, e kishte dekoruar Jasharin me urdhrin “Heroi i Kosovës”. Shtëpia e famljes Jashari e shndërruar në rrënoja nga forcat serbe, pas pavarësisë së Kosovës ishte bërë shtëpi përkujtimore. Ndërsa përballë shtëpisë gjenden edhe varrezat e dëshmorëve që humbën jetën në sulm. Në fshatin Prekaz gjithashtu gjendet edhe një muze ku ekspozohen veshjet dhe gjërat e familjes Jashari. Sot, Adem Jashari mbahet gjallë me një ndër fotografitë e tij të rralla të printuara në këmisha dhe sende të ndryshme. Fotografia e “Che Guevara-s” shqiptare shpesh shoqërohet edhe nga thënia “Bac, u kry”. Në çdo cep të rrugëve të Kosovës mund të haset emri ose fotografia e Adem Jasharit. Ndërkohë edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ka rrugë dhe buste në nder të komandatit të UÇK-së, Jashari. Emrin i tij e mban stadiumi i qytetit të Mitrovicës si dhe aeroporti në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndërsa edhe në Turqi gjendet një park në nder të Adem Jasharit.
Lufta në Kosovë dhe shpallja e pavarësisë
Gjatë viteve 1998-1999 të luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë kosovarë, nga të cilët mbi 8 mijë shqiptarë ndërsa afro një milion njerëz, rreth 800 mijë prej të cilëve shqiptarë, u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre në Kosovë. Më 24 mars në orën 20:00 NATO nisi “Operacionin e Forcave Aleate” që do të zgjaste deri më 10 qershor. Me përjashtim të Greqisë, të gjithë anëtarët e NATO-s kishin mbështetur operacionin. Operacioni poashtu u mbështet edhe nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) me 10 avionë të tipit F-16. Kosova, rreth 10 vite pas luftës, më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj. Sot Kosova njihet nga gjithsej 116 shtete.

Top