Përveç komisionarit Hahn i cili do të udhëtojë për në Shkup në ditët e para të javës së ardhshme, gjithashtu, të hënën do të vijë edhe përfaqësuesja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit Viktoria Nulland
Përpjekjet për të arritur zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni përmes dialogut u shpallën të dështuara nga kryetari socialdemokrat Zoran Zaev.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar vazhdimin e publikimit të materialeve të njohura si “bomba” në kuadër të projektit “E vërteta për Maqedoninë”.
Fajtori kryesor për dështimin e bisedimeve, sipas VMRO DPMNE-së është LSDM-ja opozitare, e cila sipas tyre ka bërë gjithçka që marrëveshja politike të dështojë. VMRO-ja vlerëson se LSDM-ja hoqi dorë nga marrëveshja me qëllim që t’i shmanget zgjedhjeve të parakohshme prillin e ardhshëm, por edhe të shkaktojë krizë ekonomike.
“Për VMRO DPMNE-në është e papranueshme pjesëmarrja në bisedime nëse dhe për aq kohë sa LSDM-ja e manipulon opinionin me materiale të montuara dhe të përvetësuara ilegalisht. VMRO DPMNE-ja e përshëndet përpjekjen e komunitetit ndërkombëtar dhe konfirmon sërish se është e gatshme të zbatojë marrëveshjen e 2 qershorit, por thekson se nuk ka ndërmend të vazhdojë me lëshime ndaj kërkesave jo logjike të LSDM-së. Ndryshimi i ministrave dhe kryeministrit është çështje që VMRO DPMNE-ja nuk do ta pranojë”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e VMRO DPMNE-së.
Ky vendim i Zaevit ka nxitur reagime të menjëhershme edhe nga faktori ndërkombëtar të cilët thonë se është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu konstruktiv për gjetjen e kompromisit.
“Bisedimet ndërmjet liderëve të partive janë në fazën kritike. BE pret që të gjithë të sillen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive të punojnë për të zgjidhur problemin e madh. Duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet vendi, nuk ka kohë për të humbur. Rikujtojmë se katër liderët nënshkruan marrëveshje më 2 qershor, të cilën marrëveshje e riafirmuan më pas 19 qershor. Ata duhet t’i zbatojnë përpjekjet që i bënë, ndërsa interesi i shtetit duhet të jetë parësorë. Komisioneri ngelet në kontakt të afërt me liderët dhe planifikon ta vizitojë Shkupin në ditët e para të javës së ardhshme. Kompromisi është mjet thelbësorë në demokraci. Energjia politike duhet të fokusohet jo në partinë por në reformat që janë potencuar në rekomandimet e KE-së”, thuhet në kumtesën e Komisionit Evropian.
Përveç komisionarit Hahn i cili do të udhëtojë për në Shkup në ditët e para të javës së ardhshme, gjithashtu, të hënën do të vijë edhe përfaqësuesja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit Viktoria Nulland.
Se si do të zhvillohet kriza pas tërheqjes së Zoran Zaevit nga këto negociata, çfarë zgjidhje mund të arrihet dhe në çfarë forme mund të arrihet, a kërcënohet Maqedonia nga një destabilizim i mundshëm si pasojë e kësaj krize, janë pyetjet të cilat “Lajm” ua parashtroi njohësve të rrethanave politike.
Nëse deri në fund të gushtit zgjidhja e krizës nuk do të arrihet në tavolinën e bisedimeve, atëherë epilogu i saj do të arrihet në rrugë, thekon analisti Xhelal Neziri.
“Nëse shtatori e gjen Maqedoninë pa marrëveshje, atëherë logjikisht të pritet shtim të aktiviteteve në teren jopolitik, gjë që do të prodhonte destabilizim. Një destabilizim eventual do të ishte një skenar i rrezikshëm jo vetëm për vendin, por për tërë rajonin”, pohoi Neziri.
Kjo krizë politike, thotë Neziri, reflektohet keq edhe në sferën ekonomike, sociale dhe atë të sigurisë.
“Stërzgjatja e krizës do të shtojë frustrimet kolektive, të cilat mund të shpërthejnë në një konflikt serioz politik, por edhe ndëretnik. Përpjekjet e faktorit ndërkombëtar vendosën bazën për zgjidhje të krizës Marrëveshjen e 2 qershorit dhe raportin e Pribes” ka deklaruar Neziri.
Pafuqia e opozitës për të detyruar Gruevskin dhe partnerët e tij të dorëhiqen nga qeveria, sipas tij sollën që ai tash të rikthejë pozicionet e padronit në shtet, nga i cili varet rrjedha e mëtejshme e procesit.
Lëvizja më e mençur për opozitën në këtë çarje të situatës monolite të qeverisjes që e bënë ndërkombëtarët me presionin e tyre, është që ato të provojnë dhe të hyjnë në sistem dhe të fillojnë procesin e ndryshimit drejt demokracisë së vërtetë pluraliste, madje pa marrë parasysh në atë se a do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme apo jo, tha profesori Denko Malevski.
Pas anketës së fundit të IRI-t, vazhdon Malevski, çështja është se a duhet të luajnë në kartën e zgjedhjeve të ndershme, fer dhe demokratike, sepse pikëpyetje është nëse të njëjtat do t’i fitonin.
“Konsideroj se është me rëndësi që të krijohen kushtet për zgjedhje të tilla dhe rrjedhje të tillë të ngjarjeve. Mendoj se ky është Shansi i tyre historik, sepse duhet shumë mënd, strategji të mirë dhe bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.
Ndërsa analisti Mersel Bilalli mendon se që në fillim ka qenë gabim mendimi se përmes bisedimeve do të eliminohet, siç tha ai, një grup i organizuar.
Veçanërisht është gabim që është lëshuar shansi, vazhdon Bilalli, kur në opinion kishte masë kritike për rrëzimin e qeverisë, siç ishin forumet studentore, protestat e tyre, protestat e të falimentuarve, honoraristëve e të tjera.
Por tani sipas tij nuk është tajmingu i duhur për ato manifestime radikale.
“Unë jam i mendimit se duhet të punohet duke filluar nga bombat deri te mobilizimi i qytetarëve që të bëhen përgatitje që në shtator të rrëzohet qeveria” ka përfunduar Bilalli./Lajm
No comments: