Ndërsa vijon të thellohet kriza politike, mbretëron një qetësi absolute në skenën politike të Maqedonisë. Ka një javë që kur asnjëri nga liderët partiak, e as përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar nuk kanë hapur gojën të thonë qoftë edhe një fjalë se ç’po ndodh me këtë shtet?!
Ismet Ramadani: Është një heshtje para një stuhie që pritet të ndodhë javën e ardhëshme
“Është një farë heshtje e liderëve të partive politike sa i përket mundësisë për tu takuar dhe për të bërë hapin tjetër më tutje rreth Marrëveshjes së Përzhinos dhe datës së zgjedhjeve. Është një taktizim i opozitës dhe një pritje se si do të reagojë kryetari i shtetit lidhur me abolimet selektive. Unë mendoj se në javën që vjen do të ketë lëvizje më radikale në skenën politike. Prej ditës së hënë pritet që edhe numri i protestuesve nga sektori civil të rritet dhe të radikalizohet sepse ka të dhëna ku thuhet se në këto protesta drejtpërdrejt do të kyqet edhe opozita maqedonase. Nuk e di, por mendoj se do të ftohen edhe opozitarët shqiptarë, dhe në këtë formë do të përcillet një mesazh shumë më serioz për partitë të cilët janë në pushtet. Pritet që edhe Prokuroria speciale të dalë me diçka më të re në drejtim të hetimeve të tyre dhe me aktakuza të reja për kriminalitetin e pushtetarëve. Gjithashtu brenda javës së ardhshme do të bisedohet për ndonjë datë zyrtare të mbajtjes së zgjedhjeve, mundet ato të jenë në muajin tetor, eventualisht me një alternativë bashkë me zjedhjet lokale. Kështu pra, pritet të intensifikohen aktivitetet e opozitës, dhe pastaj të shihet cili do jetë reagimi i partive në pushtet, po me këtë sigurisht edhe reagimi i ndërkombëtarëve. Me siguri që kjo është një heshtje para një stuhie, që pritet të ndodhë brenda javës së ardhshme”, ka deklaruar Ismet Ramadani për portalin tesheshi.
No comments: