“Në murin e kësaj shtëpie, para një viti, i ashtuquajturi “grupi i Kumanovës”, ishte dorëzuar para policisë së Maqedonisë në aksionin e 9 Majit. Pas një viti, kjo shtëpi ka pamje të re, mirëpo problemet dhe plagët e vjetra janë akoma aktuale në këtë lagje.”
Përveç fasadave të shtëpive, të cilat janë në ndërtim e sipër, asgjë tjetër e re nuk është si para një viti. Infrastruktura e lagjes, mbetet e shkatërruar deri në atë masë sa që disa prej banorëve, edhe pse i kanë përfunduar shtëpitë e tyre, thonë se nuk mund të jetojnë këtu. Ekrem Fejzullahu, paguan qira prej një viti, sepse shtëpinë e tij nuk e kanë kyçur në kanalizim dhe si pasojë ujërat përreth i kanë dëmtuar shtëpinë e re.
“Jemi në zor të madh, dikush duhet të ankohet për këtë popull. Në kohën e zgjedhjeve vijnë kërkojnë vota në çdo shtëpi. A ku është rruga, ku është ujësjellësi, ku është kanalizimi? Ky është turp! Dikush duhet të interesohet për neve banorëve. Unë jetoj me tetë anëtarë diku tjetër e që një vit paguaj qira, se s’kam ku ti vijë”, thotë Fejzullahu.
Rruga e kësaj lagje është në gjendje të mjerueshme. Problem edhe më të madh kanë personat e hendikepuar, të cilët banojnë me qira, sepse nuk mund të kalojnë nëpër këtë baltë e gropa. Qemal Azemi, që është i verbër thotë se ka problem me lëvizjen e tyre në këtë rrugë.
“Është turp të mbetet rruga në këtë gjendje, se në këtë lagje jetojnë mbi 10 invalid. Nuk mund të lëvizin me karroca, madje unë jam i verbër dhe kam vështirësi të eci në këtë rrugë. Kemi qenë disa herë tek kryetari i Komunës, por vetëm premtime. Rrugët tjera madje asfaltohen, kurse këtu nuk është shtruar as me zhavorr”, shprehet Qemal Azemi.
Nga Komuna e Kumanovës thonë se kjo rrugë do të asfaltohet posa të sanohen problemet e ujësjellësit dhe kanalizimit. Në këtë rrugicë të Lagjes së Trimave, më 9 maj të vitit të kaluar ndodhi përleshja e armatosur mes policisë dhe një grupi të armatosur, ku si pasojë u vranë 8 policë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur. Por përveç kësaj kjo lagje gati tërësisht ishte shkatërruar nga luftimet. Banorët thonë akoma po vuajnë pasojat e 9 majit dhe se është vështirësuar edhe më shumë jeta e tyre.
No comments: