Komuna e Sarajit po ngulfatet nga mbeturinat. Deponi ilegale janë ngritur thuajse në çdo fshat dhe cep të kësaj komune, ndërsa pamjet më të rënda janë në brigjet e lumit Vardar dhe Treska, ku persona të papërgjegjshëm kanë hedhur mbeturina nga më të ndryshmet, duke filluar nga produkte të prishura ushqimore e deri te materialet ndërtimore.
Pamjet e këtilla mund të hasen që në hyrje të Sarajit, në afërsi të qarkores Tetovë-Shkup përgjatë bregut të lumit Vardar. Vetëm qindra metra më larg, në qendër të Sarajit mbeturinat ndodhen në rrugë dhe në greminën buzë lumit Treska. Banorët lokal thonë se këtë gjendje e kanë krijuar persona të papërgjegjshëm nga Komuna e Sarajit, por edhe nga vendbanimet e tjera. Por, ata më të revoltuar janë me neglizhencën e Komunës së Sarajit e cila thonë se as nuk i pastron dhe as nuk pengon hedhjen e mbeturinave.
“Normal që pengon, aty keq është. Komuna e Sarajit duhet të reagojë, jo vetëm qytetarët. Qytetarët normal duhet të dërgojnë ankesa në Komunë, mirëpo komuna si komunë nuk funksionon. Ti shkon të ankohesh me dokument, thotë do bëhet, por në realitet asgjë nuk bën. Edhe populli i ka humbur më moralin dhe shpresat”, tha njëri nga qytetarët.
“Katastrofë, gjitha mbeturinat nëpër rrugë. Qentë endacak i mbajnë i hedhin nëpër rrugë. Edhe në shtëpi nuk mund të rish. Kur të shohësh thasët I kanë shpërndarë nëpër rrugë”, tha një qytetar tjetër.
Ekipi i televizionit SHENJA vizitoi edhe fshatin Krushopek që graviton në Komunën e Sarajit, ndërsa banorët lokal thonë se këto pamje mund të hasen edhe në pjesën më të madhe të fshatrave të kësaj Komune.

No comments: