Style3[OneLeft]

Style3[OneRight]

Style4

Style5

Shkruan : Nënkryetar i PDSH-së, Dr. Bardhyl Dauti.
Amnistia fiskale bëhet në një shtet në raste të jashtëzakonshme nevoje për likuiditet. Qeveritë e të gjitha llojeve, në mënyre frekuente, kanë aplikuar politika qeveritare që amnistojnë evaziorët fiskale, politika të amnistisë fiskale apo taksës fiskale, si pjesë te programeve të tyre qeveritare. Kjo politikë, e shpjeguar në mënyrë tipike, lejon individët apo firmat, të paguajnë taksën e papaguar më herët, pa qenë subjekt penalitetesh,sanksionesh dhe interesash financiare, që kryesisht vijnë me dimensionin e evazionit fiskal.
Viteve të fundit, përafërsisht 40 shtete të SHBA-ve, kanë aktivizuar politikë të amnistisë fiskale. Gjithashtu, edhe disa vende evropiane kanë përvoja pozitive në këtë drejtim (Belgjikë, Francë, Irelandë, Itali dhe Zvicër) apo edhe vende tjera në tranzicion, në pjesë tjera të botës. Qëllimi kryesor i politikës së amnistisë fiskale është rritja e të ardhurave afatshkurtëra dhe freskimi i likuiditetit financiar në tregjet e kontrolluara.
Para aplikimit të politikës së amnistisë fiskale, autoritetet qeveritare, gjithsesi, duhet që të vlerësojnë nivelin e përgjithshëm të shlyerjes së detyrimeve fiskale nga agjentët ekonomik (personat fizikë dhe juridik), në aspektin cilësor dhe sasior. Në veçanti, autoritetet qeveritare, duhet të përkufizojnë në mënyrë precize faktorët dhe shkaqet që kanë ndikuar në paraqitjen e evazionit fiskal dhe rritjen e shkallës së mungesës së diciplinës fiskale si dhe problemet e pasojat që ka shkaktuar kjo politikë joeficente taksash, që për pasojë ka sjellur evazionin fiskal, në sistemin ekonomik të vendit. Nëse shkaqet dhe pasojat e evazionit fiskal, nuk mund të adresohen saktë, është e pëlqyeshme që amnistia fiskale të shkaktojë rigjenerim të evazionit fiskal. Në këtë rast, taksapaguesit do të kuptojnë që problemet e sistemit fiskal nuk janë zgjidhur dhe për pasojë do te kenë tendenca të rritjes së jodiciplinës fiskale.
Me fjalë të tjera, aplikimi i politikës së amnistisë fiskale, pa identifikuar shkakatrët kryesor të paraqitjes së evazionit fiskal, stimulon edhe më shumë rritje të jolikuiditetit ndërmjet palëve pjesëmarrëse në transakcion dhe paraqitje të ekonomisë së trampës, shkëmbimit mall me mall, në përputhje me kriterin e koincidencës së dyfishtë të nevojave. Prandaj është lehtësisht e kuptueshme që politikbërësit, gjenerues të politikës së gabuar fiskale, nuk mund të jenë promovues të politikës së saktë fiskale, që stimulon konkurrencën në sektorin privat, lufton evazionin fiskal dhe parandalon informalitetin në sektorin privat. Thënë ndryshe, politikbërësit që krijojnë evazion fiskal nuk mund të jenë amnistues të evazionit fiskal.
Vendimi i politikës së amnistisë fiskale duhet të plotësojë kriteret e pranueshmërisë dhe përfshirjes. Amnistia fiskale duhet të specifikojë taksapaguesit e pranueshëm për amnisti. Është praktikë standarde t’u lejohet të gjithë taksapaguesve evazorë fiskal, pranueshmëri në këtë politikë amnestie, për sa kohë, që detyrimet fiskale të pashlyera të evazorëve fiskal nuk janë të njohura nga organet fiskale. Këta taksapagues, zakonisht, përfshijnë personat fizik dhe juridik që janë dhe nuk janë të regjistruar në organet fiskale.
Amnistia fiskale, gjithashtu, duhet të specifikojë edhe llojet e taksave që përfshihen në këtë politikë, si: taksat në të ardhura personale, taksat në fitimet e korporatave, tatimin në fitim të firmave, tatimin në vlerën shtesë (TVSH) dhe taksat në patundshmëri. Kufizimi i llojit të taksave që mbulon politika e amnestisë fiskale, gjithashtu, kufizon edhe numrin e taksapaguesve që mund të përfshihen në këtë politikë. Prandaj, është krejtësisht e arsyeshme që politika e amnistisë fiskale të jetë joselektive. Amnistia fiskale, gjithashtu, duhet të mbulojë edhe kthimet e kapitalit, parave dhe ekuivalentëve të parave të qytetarëve rezident, të vendit të origjinës, që janë transferuar ilegalisht në vendin destinacion nga vendi i origjinës. Në këtë mënyrë, paratë jolegale, të legalizuara përmes politikës së amnestisë fiskale, në mënyrë të kontrolluar brenda një kuadri rregullues ligjor, gjithashtu, mund të përdoren për qëllime të investimeve produktive që gjenerojnë punëzënie dhe mirëqenie sociale.
Pa bërë një studim të detajuar empirik për rastin e Maqedonisë, një politikë ekonomike e amnestisë fiskale, e sugjeruar nga përvojat pozitive të shteteve që kanë aplikuar këtë politikë ekonomike, që teoritikisht pritet të ketë efekte pozitive në ekonominë e Maqedonisë, mund potencialisht të përfshijnë masat vijuese:
1. Evazorët fiskalë të jenë të lirë të deklarojnë të gjitha mjetet monetare të palegalizuara, që për kundërvlerë të këtij deklarimi do të ishte pagesa e një vlere simbolike të shumës së mjeteve të palegalizuara monetare, thuaj 1 deri 2 %, organeve fiskale.
2. Individëve t’u falen të gjitha taksat dhe tatimet e papaguara, qofshin taksa e tatime lokale apo shtetërore.
3. Detyrimet e papaguara të firmave, që lidhen me importet e aktiveve materiale, t’u falen gjobat dhe interesat e llogaritura doganore, nëse paguhet një pjesë e konsiderueshme e principalit të detyrimit, thuaj 50% të vlerës importuese të aktivit të importuar.
4. Bizneset që paguajnë 50% të principalit të borxhit doganor, të deklaruar në bilancet e tyre, në vitet e mëhershme, t’u falet borxhi i mbetur doganor. Ndërsa bizneset që paguajnë 100% të principalit të borxhit doganor, të deklaruar në bilancet e tyre në vitet e mëvonshme, t’u falen vetëm gjobat, penalitetet dhe kamat vonesat mbi vlerat kontabile të borxhit.
5. Biznesit të vogël, që nuk është i pajisur me arkë fiskale deri në një afat të caktuar, thuaj fundi i vitit 2015, t’i falen të gjitha gjobat dhe kamatë vonesat për mosvendosje të këtyre pajisjeve, me kushtin e vendosjes së tyre brenda një periudhe të caktuar kohe.
6. Të gjithë firmat e regjistruara në regjistrin qëndror, që operojnë në sektorin privat,që deklarojnë në bilancet e tyre aktive (pasuri të patundshme dhe mjete tjera materiale dhe jomateriale, si tokë, makineri, objekte ekonomike, goodwill, patenta, licensa) me vlerë kontabile më të ulët se vlera e tregut, t’u mundësohet rivlerësimi i pasurive të tyre, duke i deklaruar vlerat e rivlerësuara të pasurive në bilancet e viteve pasardhëse.
7. Firmave t’u falet i gjithë borxhi tatimor e doganor i deklaruar si i papaguar deri para 3 viteve. Ndërsa pas 3 viteve, thuaj pas vitit 2013, firmave t’u falen vetëm gjobat dhe kamatë-vonesat që lidhen me borxhet tatimore e doganore të papaguara. Kjo politikë do të stimulonte rigjenerimin e firmave të dala nga tregjet në të cilët kanë operuar deri nëvitin 2013 dhe gjithashtu rritje të numrit të bizneseve të vogla.
8. Të gjithë sipërmarësve individual (firmave të shitjes me pakicë dhe shumicë, firmave të shërbimit e ndërtimit etj.), që nuk kanë raportuar ushtrim të veprimtarisë profitabile në organet fiskale, t’u falen të gjithë gjobat dhe kamatë-vonesat në gjoba si dhe përndjekjet penale, duke u detyruar këto firma, në këmbim të regjistrohet në organet fiskale.
9. Të gjithë të punësuarëve, të padeklaruar si të punësuar në organet kompetente, t’u falen detyrimet ndaj kontributeve për sigurime shëndetësore, sigurime sociale si dhe gjobat e kamatë- vonesat e shoqëruara me këto gjoba, si rezultat i mosshlyerjes në kohë të këtyre detyrimeve, duke u detyruar këta të punësuar, në këmbim të deklarohen në organet kompetente.
Përgjithësisht, politika e amnistisë fiskale është domosdoshmëri e kohës që pritet të ketë efekte pozitive në disa dimensione, si: rritje të likuiditetit financiar në sektorin privat; rritje të numrit të bizneseve të vogla, që legalisht ushtrojnë veprimtari profitabile në përputhje me ligjet në fuqi; rritje të mundësisë së shlyerjes së detyrimeve tatimore e doganore të sektorit privat ndaj organeve fiskale lokale dhe shtetërore; rritje të të ardhurave publike në nivel të qeverisë lokale dhe shtetërore dhe projektim më të saktë të investimeve publike, të cilët do të gjenerojnë punëzënie dhe mirëqenie sociale.

About HIG

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
«
Next
Newer Post
»
Previous
Older Post

No comments:

Komento


Top