Zaevi as sa gjysma e Gruevskit
Rreth 23 për qind e qytetarëve kanë besim tek VMRO-DPMNE, ndërsa më pak se gjysma, ose vetëm 11 për qind i besojnë partisë opozitare LSDM që udhëhiqet nga Zoran Zaev. Kështu tregojnë rezultatet e një ankete të realizuar nga Instituti Republikan Amerikan - IRI, rezultate të cilët tregojnë gjithashtu se BDI kryeson para PDSH-së së Menduh Thaçit me 7:3 për qind. Sipas po të njëjtës anketë, kryeministri Gruevski mbetet tek qytetarët maqedonas si lideri më i besuar, pasi 18 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kanë besim të plotë tek ai, ndërsa te lideri i opozitës, Zoran Zaev, besim kanë shprehur mezi 7 për qind e të anketuarve. Tek liderët shqiptarë, situata është ndryshe. Ali Ahmeti pothuajse ka rejting të përafërt me Zaevin, që do të thotë se 6 për qind e të anketuarve kanë besim të plotë në politikën që udhëheq Ahmeti. Ndërsa besueshmëri tek kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi kanë shprehur vetëm 2 për qind e të ankeruarve. Anketa e IRI-it ka trajtuar edhe çështjen e problemeve sociale, sundimin e drejtës dhe raporteve ndëretnike. Mbi 28 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se VMRO po e zhvillon mirë ekonominë dhe po ulë papunësinë, ndërsa vetëm 11 për qind besojnë se këtë e bën edhe LSDM-ja. Sa i përket sundimit të së drejtës, 23 për qind e të anketuarve kanë besim dhe japin mbështetje për VMRO-në, ndërsa 10 për qind kanë deklaruar se këtë e bën edhe LSDM-ja. Anketa ka treguar se partia e Gruevskit me sukses ballafaqohet me problemet ndëretnike, edhe atë 21 për qind e të anketuarve i besojnë VMRO-së, ndërsa LSDM-së vetëm 9 për qind. Ndryshe, anketa e fundit e IRI-t është realizuar në terren gjatë periudhës prej 6 deri më 15 qershor të këtij viti, ku janë anketuar 1105 qytetarë./koha/
No comments: