Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev të premten publikoi incizime, të cilat tha se janë dëshmi se si Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij kanë shfrytëzuar postin për të keqpërdorur procesin zgjedhor duke vjedhur zgjedhjet. Zaev publikoi biseda mes ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe funksionarëve të tjerë të VMRO-së, ku sipas tij, ajo pranon si kanë vendosur nga 40-50 persona nëpër shtëpi,votues të VMRO-së. Në bisedë dëgjohet si ato bëjnë plane që kjo skemë mos të zbulohet nga mediat dhe OSBE. Në bisedë zbardhet plani si VMRO sjellë votues nga Pusteci për të votuar për këtë parti. Dëgjohet si Gruevski, dukr iu referuar votuesve, thotë se “Këto të Prespës na mbarojmë punë”. Gjithashtu dëgjohet si Jankullovska me përqeshje dhe nënçmim flet për votuesit e Pustecit, të cilët dorë për dore shkojnë e votojnë për VMRO-në. Në bisedën mes ministrit të Transportit Mile Janakievski dhe drejtorit të DAP-it GoranTrajkov, dëgjohet si ministri jep urdhër për aksion nga DAP-i dhe si ka pasur dënime të mëdha. “Ulërima dhe britma kishte, dënuam disa me mijëra denarë. Je i kënaqur?”, e pyet Goran Trajkovi i DAP-it ,ministrin Janakievski.
Në një bisedë tjetër mes pronarit të “Kanal 5” Emill Stojmenov dhe shefit të kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, sipas Zaevit, tregojnë trysninë që Qeveria ua bën mediave. Si ata merren vesh që një emision që nuk u konvenon mos të del mirë në TV, të ketë pengesa madje dhe bisedohet për ta ndalë rrymën vetëm e vetëm të mos shkojë emisioni. Dëgjohet si Jankullovska kërkon të merret lista nga KSHZ që të shihet se kush si ka votuar. Gjithahstu në njërën nga bisedat, gjithnjë sipas Zaevit, dëgjohet se si Gruevski kërkon në Komunën Qendër të dalin sa më shumë fleta të pavlefshme. Jankullovska tregon për marrëveshjen që duhet të bëhet mes BDI dhe VMRO-së për ta fituar Kumanovën. Në njërën prej bisedave Jankullovska i thotë Janakievskit taktikën që e përdorë VMRO, të njëjtën e bën edhe BDI. Ajo thotë që strategjinë e njëjtë për bllokime të mitingjeve si VMRO e përdor edhe BDI.
Në pyetjen “A do të kërkoni azil, për këtë që e bëni, a e ndjeni veten fajtor”, Zaev u përgjigj se nuk e ka ndër mend të ik askund. Në pyetjen se a ka dëshmi që edhe BDI është e përfshirë në këto manipulime me zgjedhjet, ai deklaroi se u publikua vetëm një pjesë e dëshmive, por se edhe partia shqiptare në pushtet është e përfshirë dhe do të ketë edhe incizime të tjera që do ta dëshmojnë këtë. Në pyetjen e gazetareve se e ka biseda telefonike ku ka ndërhyrje tek gjykatësit për rastin “Monstra” si dhe biseda pse u kërkua të anulohet regjistrimi i popullatës në vitin 2011, lideri i opozitës Zoran Zaev u përgjigj se do të shpalos në vazhdim audio incizimet në lidhje me këto dy raste. “Duhet të keni durim deri kur do të bëjmë publike bisedat për rastin ‘Monstra’. Do të dëgjoni se si ka ecur gjithë procesi gjyqësor si dhe do të dëgjoni se kush dhe pse u kërkua që të ndërpritet procesi i regjistrimit të popullatës në vitin 2011”, tha Zaev. Në fund ai tha se të martën do të publikojë audio incizime të reja në Sallën Universale të Shkupit, të cilat do të jenë edhe më shokuese.

No comments: