Bashkimi Demokratik për Integrim “de facto” nga sonte nuk është pjesë e Qeverisë. Pas presionit të madh nga opinioni për skandalet e njëpëasnjëshme me të cilët partneri i tyre koalicionues VMRO-DPMNE nënçmoi ata dhe nëpërmjet tyre të gjithë popullin shqiptar, rasti i fundit me Kryqin gjigant në Butel si duket e mbushi kupën, shkruan Fakte.
Me të kuptuar se këshilltarët “analfabet” të BDI-së kishin përkrahur trukun e partnerit, partia e Ahmetit u mobilizua për ta parandaluar fizikisht vënien e guthemelit të Kryqit, që Gruevski do e vëndonte nëpërmjet Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov. Të pamundësuar nga forcat e shumta policore, mllefi u derdh mbi Petrovin, si dhe me deklarata skandaloze të deputetes edhe më skandaloze Ermira Mehmeti se “andej ures munden maqedonasit të vendosin edhe dreqin”. Dhe gjatë ditës që kaloi u organizua marsh protestues dhe kampim 24 orësh në vendin e ngjarjes derisa Nikolla Gruevski t’i urdhërojë Petre Llatinovskit ta tërheqë Vendimin për Kryqin.
Funksionarë të BDI-së nga të gjitha nivelet e pushtetit dhe nga të gjitha qytetet e Maqedonisë tanimë po protestojnë pandërprerë kundër vendimeve të partnerit të tyre VMRO.
A mund të thuhet se kjo parti akoma është pjesë e Qeverisë?! “De jure” mbase mund të jetë. Ministrat dhe drejtorët e Ali Ahmetit vazhdojnë t’i shfrytëzojnë benefitet e pushtetit: veturat zyrtare, truprojet, mëditjet e majme, tenderët,..etj. Ata mbase mund të marin pjesë edhe në mbledhjet e Qeverisë dhe të organeve e komisioneve qeveritare. Mund të vazhdojnë të përkrahin projekte antishqiptare si në ekzekutiv ashtu edhe në Kuvend. Por, më se e sigurtë dhe e dukshme është se nga sonte, BDI “de facto” nuk është pjesë e Qeverisë. Në pamundësi për të ndikuar aspak në veprimet e VMRO-së në qeverisje, si dhe e ballafaquar me paaftësinë dhe korrupcionin e funksionarëve të saj, ajo zgjodhi protestat, rrugën, dhunën… Ajo lëshoi përfundimisht veprimin institucional.
Në rrjetet sociale tanimë po flitet edhe për incidentet e para mes individësh nga përkatësi të ndryshme etnike. Të gjithë e kanë të qartë se edhe BDI por edhe VMRO do të bëjnë ç’mos që të ngritet nacionalizmi, të ngritet pasiguria, të inskenohen incidente ndëretnike në të cilat fatkeqësisht zakonisht pësojnë qytetarë të pafajshëm, vetëm për të qëndruar në pushtet.
Kësaj rradhe do duhej të jetë ndryshe. Populli më nuk mashtrohet. “Mbreti është i zhveshur”!FAKTE.Net
No comments: