“Allahu ua merr shpirtrat atyre që u
ka ardhur çasti i vdekjes... Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar
vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë,
këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.” (Ez Zumer, 42)
Shkruan: Abaz Islami
Vdekja i zë të gjitha krijesat. Nuk
ka gjë që është krijuar e që nuk do të vdesë. Gjithçka është e vdekshme. Të
gjitha vdekjet, absolutisht që të gjitha, e kanë shkakun e vet! Vdekja është
akt i trishtueshëm, i dhembshëm, i refuzueshëm, i frikshëm, i pështirë,
dekurajues, dëshpërues... Kjo për diktatorët, për ata që mendojnë se akoma kanë
çka t’i japin jetës, për ata që vetes ia kanë “dhuruar” tiparet e “zotërave”!
Tipat e kësaj kategorie njerëzish, e ndjejnë fuqishëm kur t’i afrohet vdekja
sepse vdekja atyre ju vie përmes sëmundjve të rënda, sëmundje që ua prishë
rehatinë, ua pështirosë të mirat e kësaj jete, ua dobëson fuqinë, ua ligështon
themelet e sistemeve që kanë ngritur. Thellë në shpirt ata e ndjejnë edhe
lumturimin e masës me vdekjen e tyre, prandaj dhe, për inat të masës,
diktatorët, zakonisht, (dhe këtë fakt e njeh edhe historia e njerëzimit), e
fshehin sëmundjen e tyre, nuk e tregojnë, madje kërkojnë dhe insistojnë që të
fshihet edhe vdekja e tyre deri pasi të varrosen, sepse, deri në lopatën e parë
të dheut mbi fytyrën e tyre, ata mendojnë se do të mund të ringriten dhe të
vazhdojnë me sundimin e tyre. Diktatorët mendojnë se janë të të njëjtit rang me
“perënditë” mitike të cilat Zoti i ka zgjedhur të drejtojnë me njerëzimin deri
sa të zgjasë jeta në këtë botë.
Megjithatë, te diktatorët ka diçka
që është përtej dëshirës së tyre për sundim, ka diçka që është përtej nevojës
për t’i shijuar përfitimet nga të qenurit diktator, ka diçka përtej nevojës
permanente për ta demonstruar fuqinë e pushtetit mbi masën të cilën e ka
nënshtruar dhe e eksploaton pa asnjë pikë dhembshurie. Është frika dhe inati,
dy përbërës të helmit të vdekjes së tyre. Të gjithë diktatorët, thellë në
vetëveten e tyre, e kanë ndjerë uratën, dëshirën dhe lutjet e fuqishme të masës
së sunduar për vdekjen sa më të shpejtë të “mbretit” të tyre. Asnjë diktator në
historinë e njerëzimit nuk ka shijuar paqe të plotë dhe nuk ka përjetuar
dashuri të sinqertë në mes të masës së pushtuar dhe pushtuesit. Gjithmonë në
mes ka ekzistuar një urrejtje e tmerrshme e ndërsjellë. Diktatori, për sundimin
e vet ushtron urrejtje të frikshme kundër masës, kurse masa, për lirinë e vet
ushqen gjithmonë urrejtje për diktatorin. Prandaj, si jeta e vet ashtu edhe
vdekja e diktatorit duhet të jetë sa “më misterioze”. Sëmundja e rëndë dhe
afrimi i vdekjes së diktatorit duhet të mbahen në fshehtësi të plotë, sepse ky
fakt do të shkaktonte gëzim dhe lumturi të madhe ndër popull. Të gjitha vdekjet
e diktatorëve kanë shënuar fundin e periudhës diktatoriale.
Kurse, njerëzit e popullit, ata që
janë rritur e plakur me dashurinë e popullit, ata që kanë bashkëjetuar me
popullin, në të mirë e në të keq, në luftë e në liri, liderët e tillë assesi
nuk do të pajtoheshin që t’i mbajnë gjërat sekret.
Ju kujtohet Ibrahim Rugova? Sapo e
kapi sëmundja e rëndë, punën e parë që bëri, këtë fatkeqësi e ndau me popullin
shqiptar. Iu drejtua popullit publikisht dhe ia bëri të qartë se vdekja po i
afrohej dhe se shërim për të nuk kishte! Me këtë gjest të njerëzishëm Rugova deshti
që ta presë vdekjen i lumtur, sepse, pas kumtit për sëmundjen e tij, mbarë
populli shprehi gatishmëri për të bashkëjetuar me këtë dhembje, për ta ndarë
atë, për ta zbutur kafshimin e tmerrshëm të sëmundjes që e kishte kapluar, me
të vetmin qëllim që LIDERI i tyre ta shijonte ëmbël vdekjen e tij. Rugova nuk e
përjetoi dëshirën dhe lutjet e popullit që të vdesë sa më parë, nuk e përjetoi
asnjë mallkim dhe asnjë urrejtje, por, përjetoi dhembjen, trishtimin dhe lutjet
e popullit për një vdekje të lehtë.
Pra, të gjithë ata liderë të
mëdhenj, që edhe vdekjen e tyre e kanë bërë transparente, në çastet e fundit
kanë përjetuar tërë dashurinë dhe dhembjen e popullit të vet, kurse, të gjithë
diktatorët, uzurpatorët dhe shkatërruesit e perspektivës së popullit, nuk kanë
dashur ta njohtojnë popullatën me fundin e tyre, sepse, janë frikuar se vdekja
e tyre do të rëndohej edhe më shumë me dëshirën dhe lutjet e popullatës për një
vdekje sa më të shpejtë dhe sa më të trishtueshme.
Ky
është fakti më tipik që dallon liderin nga diktatori, njeriun e popullit nga
armiku i popullit, krenarinë kombëtare nga turpi kombëtar, dashurinë popullore
nga urrejtja popullore. Të gjithë ata që i fshehin sëmundjet vdekatare, të
pashërueshme, në fakt vetëm sa e vërtetojnë konstatimin se të tillët janë
urrejtja më e madhe popullore, që nuk gëzojnë kurrfarë keqardhje dhe dëshpërimi
për sekondat e fundit të jetës së tyre.
No comments: