Zgjidhja mbetet arritja e një kthese në zhvillimit e shoqërisë dhe të shtetit apo të një momenti të tillë psikologjik ku njerëzit më nuk do të thonë nuk bëhet gjë këtu, por do të kenë opsion të zgjedhin të jetojnë në vendlindjen e tyre me anët pozitive dhe negative të jetesës këtu, dhe të mund të zgjedhin edhe jetesën jashtë me të gjithë anët negativ dhe pozitive që mbart jetesa në perëndim.
Nga Fisnik PASHOLLI
Mbi 200 kompani me kapital gjerman punojnë në Maqedoninë e veriut që punësojnë mbi 20 mijë punëtorë dhe marrin pjesë në këmbimin tregtar të vlefshëm afër 3.6 miliardë euro .Ato kanë rritur eksportin prej 590 milionë euro në vitin 2010 në 2 miliardë e 700 milionë euro në vitin 2018. Ato me 50 për qind e vlerësojnë të keqe situatën ekonomike në vend , dhe me 43 për qind të kënaqshme. Njëherazi perspektivat e ekonomisë vendore i vlerësojnë me 45 për qind të mira dhe me 43 për qind të pandryshuara. Andaj edhe anketa e fundit për vitin 2018 për problemet, telashet dhe ankesat e tyre lidhur me kushtet për udhëheqjen e biznesit duhet dëgjuar me kujdes të veçantë.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar ndikon në punën e tyre në mënyra të ndryshme. Një faktor i tillë me nga gati 50 për qind në mesatare e pengon procesin e prodhimtarisë, zvogëlon planet për investime dhe ndikon në refuzimin e porosive shtesë. Njëherazi këto biznese në anketën e fundit për ambientit e udhëheqjes së biznesit në vend, e vlerësojnë situatën ekonomike me 56 për qind si të keqe dhe me 39 për qind si të kënaqshme, ndërsa me vetëm 22 për qind i vlerësojnë perspektivat e ekonomisë si më të mira, me 24 për qind si më të këqija, dhe me 54 për qind si të pandryshuara.
Kompanitë gjermane në vend lidhur me kënaqësinë e kushteve të biznesit në mënyrë të kënaqshme janë shprehur për harxhimet e punës dhe produktivitetin dhe përgatitjen e punëtorëve. Të pakënaqur janë me luftën kundër korrupsionit, administratën publike , sigurinë juridike dhe ngarkesën tatimore. Është optimist dhe shpresëdhënës fakti se kompanitë gjermane në vend , përkundër problemeve të caktuara që i kanë theksuar në anketë , megjithatë në pjesën dërmuese do të investojnë sërish në Maqedoninë e veriut.
Nga ana tjetër , Banka Botërore vlerëson se për Maqedoninë e veriut, sfidat kryesore për rritjen ekonomike do të jetë produktiviteti i ulët dhe në rënie i kompanive lokale, institucionet e dobëta shtetërore, kapitali i ulët njerëzor, mospërputhja midis shkathtësive dhe kërkesave të tregut të punës të një ekonomie bashkëkohore si dhe pengesat politike ndaj konkurrencës dhe investimeve. Njëherazi korniza ligjore, ende nuk është për përkthyer në një sektor privat të gjallë që nxit rritjen ekonomike dhe hap vende të reja pune.
Janë për tu përshëndetur në këtë drejtim angazhimet qeveritare , për një llogaridhënie më të madhe për harxhimin e parave publike, miratimi i ligjit të ri për furnizime publike ….por megjithatë një sfidë e vërtetë mbetet puna e kompanive në pronësi të shtetit apo komunave që duhet të rrisin efikasitetitn e punës së tyre, të ulin humbjet në punën e tyre , të përmirësojnë cilësinë e punës së tyre…
Nevojitet edhe krijimi i një situate ku bizneseve që veprojnë dhe punojnë në ekonominë e zezë apo informale, më shumë do t’ju shpaguhet të punojnë në binarët e ekonomisë formale dhe të rregullt. Gjithashtu nëse pagat në sektorin privat përcaktohen në treg në bazë të produktivitetit, atëherë nevojitet që edhe pagat në sektorin publik të bazohen në produktivitetin e punëtorëve. Apo të përcaktohet lartësia e pagës në sektorin publik në bazë të kompetencës, përgjegjësisë, ndërlikueshmërisë së punës, kushteve të punës dhe të ngjashme .
Njëherazi reformat strukturore për të cilat me vite me radhë flitet në Ballkanin perëndimor, nuk nënkuptojnë asgjë tjetër përveç ndryshimit të marrëdhënies së institucioneve politike dhe biznesit, të mënjanojnë shtetin nga rruga e afaristëve me qëllim që biznesi të punësojë , të paguajë tatime, dhe të realizojë profit. Të ulen vonesat në pagesa , të vendoset ekonomia informale në përmase optimale, të anulohen pritjet e shumta për një leje , apo të ndryshohet në aspekt real dhe jo vetëm formal kushtet e të bërit biznes në shtet.
Në këtë drejtim do të ishte i mirëseardhur, një debat njëmujor midis afaristëve apo biznesit, shkencës, dhe politikës që do të përcaktojnë të gjitha masat imediate dhe të nevojshme që së paku një pjesë e të rinjve të mos mendojnë të ikin, por të qëndrojnë në vendlindje, që të mos na ikin jashtë edhe ata që këtu fitojnë paga më se solide, por nuk janë të kënaqur me funksionimin e shoqërisë.
Na nevojiten masa afatshkurta dhe strategji afatgjate që do të adresojnë rrugën e vërtetë të zhvillimit ekonomik, apo të zgjidhin shkaqet dhe jo pasojat e problemeve të ndryshme .Vendi ndodhet në një apati në të cilën është mbërthyer një pjesë e konsiderueshme e popullatës. Zgjidhja e çështjes së emrit, anëtarësimi në NATO, dhe pritja që të fillohet me negociatat për anëtarësimi në BE nuk nënkupton se të jashtmit do të na e rregullojnë shtëpinë tonë , por ne vetë duhet të kryejmë detyrat e shtëpisë për të mirën e të gjithëve, si dhe për të hapur një perspektivë të qartë të jetesës edhe për të rinjtë që nesër do të jenë shtylla e zhvillimit të Maqedonisë së veriut. Ndaj, zgjidhja mbetet arritja e një kthese në zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit apo të një momenti të tillë psikologjik ku njerëzit më nuk do të thonë se nuk bëhet gjë këtu, por do të kenë opsion të zgjedhin të jetojnë në vendlindjen e tyre me anët pozitive dhe negative të jetesës këtu, dhe të mund të zgjedhin edhe midis jetesës jashtë me të gjithë anët negativ dhe pozitive që mbart jetesa në perëndim. (koha.mk)

No comments: