Revoltë dhe pakënaqësi të madhe ka shkaktuar te pjesëtarët e Grupit të Kumanovës vendimi i trupit gjykues që të mos thirren dëshmitarët të cilët i ka propozuar mbrojtja e tyre, merr vesh Gazeta Lajm.
Mbrojtja si dëshmitarë pat propozuar të jenë edhe përfaqësues të lartë të VMRO-së dhe BDI-së, në mesin e të cilëve Sasho Mijallkov, Mitko Cavkov, Ali Ahmeti, Artan Grubi e të tjerë, mirëpo gjykata ka pranuar vetëm kërkesën që dëshmitar të jetë Shenasi Mehmeti. Kjo ka revoltuar tej mase pjesëtarët e Grupit të Kumanovës prandaj është ndërprerë seanca e sotme gjyqësore. Këtë informacion e konfirmon për Gazetën Lajm edhe avokati Mefail Arsllani.
“Pjesëtarët e Grupit të Kumanovës zëshëm reaguan ndaj vendimit të Gjykatës që të mos pranojë dëshmitarët që i propozuam. Më të zëshëm ishin Val Zekaj, Ardijan Bujari dhe Shefqet Hallaçi, prandaj propozova që të ndërpritet seanca, gjë që e kërkuan edhe pjesëtarët tjerë të Grupit. Dyshimet e tyre ishin se duke refuzuar dëshmitarët e propozuar, Gjykata po dëshiron të fshehë të vërtetën lidhur me Lagjen e Trimave”, deklaroi avokati Arsllani.
Ai shpreh dyshime se refuzimi i dëshmitarëve të mbrojtjes është bë në koordinim mes trupit gjykues dhe Prokurorisë.
“Trupi gjykues dhe prokuroria u paraqitën me deklaratë copy-paste. Kjo i revoltoi pjesëtartë e Grupit të cilët anetareve te trupit gjykues iu drejtuan me fjalët: ‘Sot na kanë tradhtuar neve, nesër dikush do të ju tradhtojë juve, familjarët tuaj”, tregon Arsllani, duke përshkruar situani e krijuar në gjykatë.
Sipas tij, nga vendimi i trupit gjykues janë shprehur të pakënaqur edhe mbrojtja dhe familjarët e policëve të vrarë në Kumanovë, të cilët poashtu dyshojnë se në këtë mënyrë po tentohet të fshehet e vërteta lidhur me Lagjen e Trimave.
No comments: