Pas takimit të LR-PDSH-së me Bashkimin Demokratik për Integrim, ku u shqyrtua dokumenti i propozuar nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë për formimin e Qeverisë, Ziadin Sela tani po zhvillon takime brenda Aleancës.
Sela e ka konfirmuar takimin e fundit të Aleancës, por për të njëjtën nuk ka zbuluar detale se çfarë është vendosur.
Nga ana tjetër kemi heshtje absolute në Bashkimin Demokratik për Integrim në lidhje me dokumentin e Zoran Zaev.
Nga kjo parti mund të dëgjojmë zëra vetëm për përplasje brenda partiake për shkrime të porositura se janë pro LSDM-së apo pro VMRO-DPMNE-së. Kështu edhe më tepër theksohen fraksionet brenda partiake.
Ky ishte qëndrimi i fundit i nënkryetarit të BDI-së Izet Mexhiti pas akuzave në adresë të tij se ai po bisedon me VMRO-DPMNE-në: “Së pari, qartazi bëhet fjalë për një tekst të sajuar, të pasaktë dhe të shkruar me porosi politike. Unë nuk kam qenë dhe as nuk jam pjesë e ekipit të Bashkimit Demokratik për Integrim që negocion rreth formimit të qeverisë së re me VMRO-DPMNE. Së dyti, së bashku me dy nënkryetarët Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta, jemi mandatuar nga kryesia e BDI-së për të negociuar rreth formimit të qeverisë me LSDM-në. Së treti, unë përherë kam qenë ithtar i idesë që debatet interne partiake të mos zhvillohen nëpër media, përmes teksteve të porositura dhe “burimeve anonime”. Por, meqë duhet dhënë shpjegim, e informoj opinionin se unë jam kundër koalicionit me Nikolla Gruevskin dhe kundër koalicionit me VMRO-DPMNE-në.
Ndryshe, zëdhënësi i LR-PDSH-së Agon Ferati për Portalb ka zbuluar se ekspertët e partisë po merren me dokumentin e propozuar nga kreu i LSDM-së Zoran Zaev.
“Tani hyjmë ne në detaje me ekipet tona. Nuk përjashtohet mundësia që të kemi takim të veçantë, pra të drejtpërdrejtë me LSDM-në. Tani ka disa çështje internet, prioritare që na intereson që patjetër duhet ta diskutojmë me ata, sidomos mekanizmi i buxhetit se si duhet të ndahet. Prandaj ka disa pika që në mënyrë shtesë drejtpërdrejt të bisedojmë”, ka thënë Ferati.
Nga Lëvizja Besa mbeten në qëndrimin për të mos negociuar me persona të dyshuar nga Prokuroria Speciale. Nga aty shprehen të gatshëm të mbështesin një koalicion me LSDM-në, nëse pranohet platforma shqiptare me afatizime në zbatimin e saj si dhe nëse në qeverinë e re nuk do të ketë personalitete të dyshuara për shpërdorim të pushtetit.
No comments: