Ali Ahmeti përmes kandidimit të Sulejman Rexhepit, alias Mulla Sulës, e priste një aleat të mirë partiak në terren, i cili duke menduar se ka autoritet të plotë, do të ndikonte në sigurimin e sa më shumë votave për BDI-në. Në fakt, ky plan ishte iritues për të gjithë hoxhallrët dhe myftinjtë e tjerë, të cilët sakaq u pozicionuan nëpër parti të tjera, ngjashëm si “reisi i tyre”. Kjo dukuri ka gjasa që të evulojë deri në përmasat e sektarizimit partik të BFI-së
Shkruan Zeqie Veseli
Se Sulejman Rexhepit dhe Ali Ahmetit do t’ju shterrej dashuria kjo dihej me kohë, sepse, dashuria e tyre nuk kishte për bazë miqësi të hershme e të sinqertë, por, interesa meskine. Ali Ahmeti e donte Mulla Sulën sa për t’ia ruajtur bastionin e BDI-së në Derven, kurse Mulla Sula e done Ali Ahmetin sa të siguronte garancion se nuk do të përndiqej penalisht nga gjykatat e Shkupit. As njëra dhe as tjetra nuk do të funksionojnë, sepse ndikimi i Mulla Sulës në Dërven është zbehur deri në maksimum, kurse, edhe ndikimi i funksionarëve partiak po vjen duke u zbehur në gjyqësorin e Maqedonisë – të gjithë janë nën llupën e Prokurorisë Speciale, kështu që, asnjëri nuk po dëshiron që të njolloset për shkak të kushtëzimeve joracionale në mes të “mulla” Ali Ahmetit dhe mulla Sulejman Rexhepit.
Mulla Sula me shumë nervozizëm ia tregon vendin Ali Ahmetit
I ndikuar tmerrësisht nga Mulla Sula, madje deri nën efektin e “magjisë së zezë”, Ali Ahmeti kohëve të fundit nisi t’ju mbajë vaze sipmatizantëve të vet politikë. Të njëjtin avaz po e çon edhe nëpër odat ku po i realizon takimet dëshpëruese partiake. Me këtë e ka prekur shumë keq në kallo (zhul) Mulla Sulën, sepse, sa për hoxhallëk në terrenin e BDI-së këtu është Mulla Sula, nuk ka se çka ia futë Ali Ahmeti si “kau pelës”! Një përzierje të tillë Mulla Sula nuk e duron jo prej Ali Ahmetit por, ndjesë o Zot, nuk do ta duronte edhe prej Pejgamberit a.s. sikur të ishte gjallë.
Në këtë drejtim të mosdurimit mjaft e kanë ngacmuar edhe disa hoxhallarë fanatikë ( të tipit të Ruzhdi Latës) të cilët e nxehën që urgjentisht të dalë me një shkrim, me një reagim publik ku do t’ia tërheqte vërejtjen me emër e mbiemër Ali Ahmetit për përzierjen e tij në punët e hoxhës. Megjithatë, Mulla Sula, si finok që është, zgjodhi metodën “përreth Kinës”! Lëshoi në opinion një kumtesë përmes të cilës, tërthorazi e urdhëron prerazi Ali Ahmetin që mos të merret më me punët e hoxhallkut, në fakt, mos të manipulojë në emër të fesë islame. Asnjë prej liderëve politikë, as të bllokut ortodoks e as ata mysliman, nuk ka mbajtur vaz para simpatizantëve të vet përveç Ali Ahmetit. Sëkëndejmi, edhe kjo komunikatë e BFI-së së Sulejman Rexhepit i adresohej direkt liderit të BDI-së. Madje edhe vetë përmbajtja e reagimit në kontekst të vetin përmbanë adresën e Ali Ahmetit. A do të thotë kjo se këto mrëdhënie “të ngrohta” deri dje, tashmë u ftohën e po ngrihen si pasojë e keqpërdorimit të fesë islame nga ana e Ali Ahmetit, apo, eventualisht si pasojë e kërkesave ndërkombëtare, pasi që të gjitha faktet fasin se tashmë BFI e Mulla Sulës është shndërruar në filiale klasike të BDI-së. Mbetet të shihen pasojat më vonë, menjëherë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit!
Sektarizimi partiak i BFI-së
BFI-ja e Mulla Sulës është në prag të shkatërrimit të tërësishëm. Se ka filluar një sektarizim partiak i këtij Institucioni fetar, këtë nuk mundet ta vë në dyshim asnjë mysliman i vendit. Mulla Sula nuk arriti që ta luajë mirë lojën që pikët politike t’ia arkëtojë BDI-së. U pozicionua shumë hapur në krahun e BDI-së. Madje me letër qarkore i kërcënoi të gjithë nëpunësit fetarë, përfshirë këtu edhe hoxhallarët, muezinët, vaizët etj. që mos të pëfshihen nëpër propaganda partiake por të vepronin ashtu siç vepron “reisi i tyre”! Derisa Mulla Sula po mundohej që ta demonstrojë një autokratizëm që anon kah totalitarizmi, të gjithë nëpunësit fetarë (por ama të gjithë) zgjodhën metodën “e urithit” dhe nisën të punojnë ngjashëm si “reisi i tyre”, por, natyrisht, secili në llogari të partisë ku aderon nëpunësi por edhe xhemati i tij prej nga edhe mbahet gjallë!
Kësisoj, Mulla Sula mbeti grupacioni më i vogël i cili është në shërbim të BDI-së, të tjerët, me të madhe u pozicionun në krahun e partive për të cilat kanë bindjen se do të fitojnë. Nuk është sekret fakti që, me humbjen dhe fluturimin e BDI-së do të fluturojë edhe Mulla Sula, prandaj edhe oponentët e tij të fshehtë u pozicionuan përkrah pative të tjera. Myftinia e Resnjes, Shtipit dhe e Manastirit janë pozicionuar në anën e LSDM-së. Myftinia e Ohrit, Velesit, Prilepi dhe Kërçovës janë pozicionuar në krah të VMRO-së, Struga dhe Dibra në krah të LR PDSH-së, Gostivari, Tetova dhe Kumanova tërësisht janë në krahë të Lëvizjes Besa, kurse Shkupi i fragmentarizuar deri në bezdi te të gjithë ngapak, me përjashtim të “pashallëkut” të Sulejman Rexhepit që është këmbë e kokë me BDI-në. Kurse, gjithandej territorit të Maqedonisë ku funksionon dhe lëvizë Nisma për Reforma në BFI, janë të pozicionuar në krahun e PDSH-së, jo për shkak të bindjeve politike, jo për shkak të interesave partiake, por, thjesht, më tepër për inat të Mulla Sulës sa për t’i bërë karshillëk edhe partiak!
Pse Mulla Sula e refuzoi ofertën e BDI-së për deputet?
Të gjitha mediat por edhe portalet kanë informuar se Mulla Sula ka pasur ofertë nga ana e BDI-së për të qenë bartës i listës së kandidatëve të BDI-së në ndonjë nga njësitë zgjdhore. Këtë ofertë në emër të Ali Ahmetit ia ka ofruar kryetari i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri i cili është parë tek futet në kabinetin e Mulla Sulës dy-tre ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë. Fillimisht, Mulla Sula ka qenë shumë i befasuar dhe, është shprehur se e ka të vështirë ta refuzojë këtë ofertë dhe këtë respekt të Ali Ahmetit. Madje Ali Ahmeti ia ka pranuar edhe kushtin Mulla Sulës që të bëhet bartës i listës në njësinë zgjedhore numër një. Do me thënë, Ali Ahmeti ka pranuar që ta djegë Artan Grubin për Mulla Sulën. Megjithatë, Artan Grubit i buzëqeshi fati fill pas dy ditëve pas dorëzimit të kësaj oferte dhe pas pranimit të kushtit të Mulla Sulës. Sepse, Mulla Sula është dashur që ta plotësojë një kusht shumë të rëndësishëm. Është dashur të sigurojë dëshmi se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i UDB-së dhe i shërbimeve sekrete të vendit. Kjo e ka hamendësuar shumë rëndë Mulla Sulën dhe, më në fund, është tërhequr duke e lënë Ali Ahmetin me një krah të thyer. Ali Ahmeti i ka garantuar se do t’ia eliminojë këtë problem, por, Mulla Sula është frikësuar që të futet në garë pa sigurimin e një dokumenti të tillë.
Ali Ahmeti përmes kandidimit të Mulla Sulës e priste një aleat të mirë në terren, i cili duke menduar se ka autoritet të plotë, do të ndikonte në sigurimin e sa më shumë votave për BDI-në. Në fakt, ky plan ishte iritues për të gjithë hoxhallarët dhe myftinjtë e tjerë, të cilët sakaq u pozicionun nëpër parti të tjera, ngjashëm si “reisi i tyre”. Kjo dukuri ka gjasa që të evulojë deri në përmasat e sektarizimit partik të BFI-së. Prandaj këtu shtrohet një pyetje shumë racionale deri te Mulla Sula: kush po dëshiron ta shkatërrojë BFI-në – BDI-a apo PDSH-ja? S’do mend se BDI-ja ia ka arritur deri në një masë të konsiderueshme që ta realizojë atë plan shkatërrimtar që e kanë hartuar të huajt, natyrisht me ndihmën e Mulla Sulës naiv…



No comments: