Teksa mjekët alarmojnë për rreziqet që shkakton ndotja e ajrit dhe pasojat vdekjeprurëse, në Tetovë tashmë ka filluar të ndizet alarmi i koncentrimeve të larta të grimcave PM 10.
Në matjet e Ministrisë së Shëndetësisë për ditën e enjte, janë regjistruar tejkalime të kufirit normal prej 50 mikrogram për metër kub, pasi ajri i Tetovës ka pasur 102.24 mikrogram për metër kub me grimca PM 10. Për t’u ndezur alarmi shtetëror për ndotjen duhet që mbi 35 ditë gjatë vitit të jenë me grimca pm 10, mbi nivelin e lejuar. Sot matjet e ministrisë tregojnë se ajri është i ndotur në nivel mesatar por kjo nuk mund të merret si informatë e gatshme pasi të dhënat ndryshojnë nga momenti në moment.
Kur flasim për ndotjen në Tetovë, asocimi shkon tek Jugohromi të cilin tetovarët e konsiderojnë si ndotësin kryesor të ambientit të tyre. Ministria e Ekologjisë vetëm po ia prolongon afatet për vendosjen e filtrave ndërsa qytetarët po vazhdojnë të thithin ajrin helmues dhe të protestojnë pasi nuk gjejnë mekanizëm tjetër për të detyruar Qeverinë që ta mbyll Jugohromin, raporton SHENJA.
Deri më tani Ministria e Ekologjisë nuk ka gjetur ndonjë zgjidhje afatgjate për këtë fabrikë. Zyrtarët e ministrisë së ekologjisë dhe të qeverisë vazhdojnë të pohojnë se Jugohromi nuk është ndotësi kryesor por se do ti vendos filtrat. Megjithatë afatet për vendosjen e filtrave po i vazhdohen për vite me radhë. Afati i tjetër i cili është afër skadimit është 31 tetor. Mbetet të shohim nëse ky kombinat do të përmbush detyrimin për afro një muaj.

No comments: