Sot, deputetët në Kuvend diskutuan për projektbuxhetin e vitit 2017. Sipas ministrit të financave Kiril Minovskit, me këtë projektbuxhet planifikohen projekte me të cilët do të punësohen 11 mijë persona. Ai premton inflacion të ulët dhe rritje të ekonomisë prej 3%.
“Shkalla e inflacionit për vitin 2017 pritet të mbetet e ulët dhe e njëjta është projektuar në 1%. Lëvizjet pozitive në tregun e punës pritet të vazhdojnë edhe në vitin 2017, me ç’rast pritet që ulja e papunësisë të jetë 1,8%, ose të hapen 11 mijë vende pune”, u shpreh Kiril Minovski, Ministër i Financave.
Sipas këtij projektbuxheti, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar deri në 187,6 miliardë denarë, që është për 7,6% më shumë në krahasim me vitin 2016. Shpenzimet janë planifikuar deri në 206 miliardë denarë ose për 4,5 % më shumë në raport me këtë vit. Sa i takon deficitit buxhetor, është parashikuar që ai të jetë 3% nga Prodhimi i Brendshëm Bruto, gjegjësisht 18,6 miliardë denarë. Mirëpo, kryetari i komisionit parlamentar për financa dhe buxhet, njëherazi deputet i LSDM-së Marijanço Nikollov tha se buxheti i planifikuar për vitin 2017, qytetarëve u jep vetëm shpresa të rrejshme dhe për këtë arsye deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë atë.
“Këtë retorikë që e përdori ministri i financave në paraqitjen e tij për buxhetin, është një retorikë e vjetër, tanimë e dëgjuar dhe është në drejtim të rritjes së optimizmit dhe shpresës së rrejshme tek qytetarët e Maqedonisë. Pasi buxheti të miratohet dhe kur realizimi i tij të përfundojë, realiteti i ashpër në Maqedoni, për fat të keq do të ngelet i njëjtë”, tha Marjanço Nikollov, nga LSDM.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Krste Mukovski thotë se LSDM me vite i prezanton të njëjtat ankesa, por megjithatë, në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së ndodhi renesancë e vërtetë sa u takon investimeve të huaja të drejtpërdrejta.
“Ja sot, investimet e huaja të drejtpërdrejta janë realitet. Nëse në vitin tuaj më të mirë, kur ishit në pushtet, keni pasur vetëm 77 milionë euro investime të drejtpërdrejta të huaja, ne vetëm në dy tremujorët e parë të këtij viti kemi mbi 125 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta”, tha Krste Mukovski, nga VMRO-DPMNE.
Deputetët e BDI-së nuk ishin të kënaqur nga rrjedha e diskutimit, që sipas tyre nuk zhvillohej sipas marrëveshjes paraprake ndërmjet katër partive kryesore. Për këtë arsye, ata e lëshuan mbledhjen. Megjithatë, Rexhail Ismaili deklaroi se ky projektbuxhet për BDI-në është i balancuar dhe proporcional.
Nga Partia Demokratike Shqiptare konsiderojnë se ky projektbuxhet është diskriminues për shqiptarët.
Diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2017, sipas rregullores duhet të përfundojë për 10 dhjetë.TV21- MAQEDONI
No comments: