Mulla Sula është gjallë i interesuar që përmes të gjitha
mënyrave dhe metodave ta ruaj kolltukun e uzurpuar. Mulla Sulës i intereson
vetëm mirëqenia personale që ia siguron “pushteti i vet” dhe kushdo që e lakmon
dhe ia mësyen kësaj mirëqenie ai do të luftohet, do të nxitet në radikalizim.
Kjo është politika e Mulla Sulës e cila tashmë po lexohet fare lehtë
Shkruan: Milaim Kransiqi
Në librin e vet të fundit, “Flamujt e
Zinj – Rrritja e Isisit”, autori Joby Warrick, fitues i çmimit më të lartë të
gazetarisë amerikane “Pulitzer”, veç të tjerash flet edhe për motivet që i kanë
nxitur qytetarët e Ballkanit që të rreshtohen në anën e organizatës më famëkeqe
terroriste në botë, në ISIS. Autori mundohet të futet në esencë të problemit
dhe të gjejë tharmin e kësaj strukture militare, për krijimin e së cilës jo pak
faje hedh edhe mbi shtetin e vet amerikan. Duke iu futur në gjenezë problemit
autori gjenë shumë fakte dhe argumente se projekti “ISIS” daton që nga vitet 1990
ndërsa merr hov pas intervenimit amerikan në Irak.
Autori sjell aq shumë fakte bindëse sa vështirë
se mund t’i përligjen ato. Pikërisht edhe për shkak të kësaj qasje sa
profesionale aq edhe vetëkritike, sa të argumentuar aq edhe bindëse, autori shpërblehet
me shpërblimin më të lartë të gazetarisë amerikane.
T’i kthehemi aktualitetit tonë, në
vendin tonë! Fatkeqësisht, në mungesë të një gazetarie kritike, objektive dhe
kombëtare, ne na mbetet që të pajtohemi dhe të gjunjëzohemi para fakteve të
gazetarisë së huaj që na i hulumton problemet tona.
Radikalët fetarë asnjëherë nuk mund të
dalin nga qendrat kulturore, nga garat arsimore, nga aktivitetet e ndryshme
kombëtare por, thjesht, ata dalin ose si pasojë e indoktrinimit fetar nëpër qendra
fetare ose si pasojë e politikave të gabueshme të institucioneve gjegjëse
fetare. Derisa në Shqipëri dhe në Kosovë këta celula radikale u lindën nga
indoktrinimi fetar që vinte nga të ashtuquajturat “shoqata humanitare
islamike”, në Maqedoni kjo u bë për shkak të politikave shumë të gabueshme dhe
tepër antikombëtare dhe antifetare të Institucionit të vetëm që thirrej si përgjegjëse
për jetën fetare islame, BFIM!
Me ardhjen në krye të BFI-së të Sulejman
Rexhepit, në vitet ’90, atëherë kur nisi demokratizimi i shoqërisë sonë si dhe
demontimi i sistemit komunist duke e bërë të lejueshme tërë atë që e kishte
ndaluar për 50 vjet ky sistem, do të nisë edhe fuqizimi i këtij Institucioni. Nën
petkun e kombëtarisë do të zhvillohen
shumë procese dhe aktivitete antikombëtare. Në emër të ruajtjes nga influencat
e huaja ideologjike e fetare, gjënë e parë që do ta bëjë Sulejman Rexhepi do të
jetë privatizimi i BFI-së duke e shndërruar dal nga dal në firmë private të
familjes së tij. Megjithatë Sulejman Rexhepit do t’i duhet oponencë e cila do
“t’ia mundësonte” demonstrimet e kualiteteve të veta kombëtare, të cila, gjithherë
kanë qenë dhe ngelin shumë të diskutueshme.
Këtë oponencë ai do ta sigurojë duke dërguar
studentë nëpër shumë “qendra islamike”, madje këtë aktivitet e quante si shumë
kombëtare meqë po na shkolluaka kuadro shqiptar. Përmes BFI-së që nga ato vite kur
Sulejman Rexhepi erdhi në krye të BFI-së e deri më sot, mund të thuhet se nga
ato “qendra islamike” kanë kaluar dhe janë kthyer mbi 300-400 studentë, prej të
cilëve punësoi disa që pranuan lojalitetin deri në nënshtrim, kurse të tjerët
me dinjitet personal i shpalli armiq të fesë dhe të BFI-së! (Sot, secili prej
tyre veç e veç ka më shumë ithtarë e pasues se sa që ka Mulla Sula). Natyrisht,
ky kontigjent teologësh nuk do të pajtohen aq lehtë me kualifikime të tilla të
Mulla Sulës por do të mundohen me mish e
me shpirtë që t’i shprehin përgatitjet e tyre profesionale fetare. Ndihmë do të
kërkojnë nga profesorët e tyre turko-arabë, nga miqësitë e krijuara gjatë
studimeve nëpër qendrat ku kishin studiuar.
Duke menduar Mulla Sula se në këtë formë
po i margjinalizonte të gjithë ata që nuk e llogarisin si “Sulltan Sulejman” në
fakt po kontribuonte në krijimin e një grupi komunitar të gatshëm për të
mbijetuar qoftë edhe përmes radikalizimit të formave mbijetuese. Mulla Sula e
dint se dhe radikalizimi i tyre do të shkojë në llogari të vetin personal,
sepse do të kërkojë ndihmë nga organet e shtetit por edhe nga komuniteti ndërkombëtar
për eliminimin e tyre. Prandaj, jo njëherë ka sinjalizuar se ekzistojnë disa
xhami që nuk i kontrollon ai për ç’gjë kërkonte intervenime policore.
Ky komunitet prej teologëve “të radikalizuar”
kurë nuk ka qenë kundër BFI-së, kurrë nuk ka qenë kundër shkollës juridike
tradicionale të myslimanëve të vendit, Medh’hebit Hanefij, por, gjithnjë kanë
qenë kundër politikave antiislame dhe antikombëtare të Mulla Sulës. Në momentin
kur Mulla Sula ndjeu se po i rrezikohet kolltuku e ftoi në ndihmë këtë
komunitet duke i instaluar nëpër pozita kyçe “liderët” e grupacioneve të
ndryshme. Që nga ai çast të gjithë u lëshuan me vrull në dhënien e kontributit
të tyre islam, kurse ky aktivitet po i pengonte Mulla Sulës, sepse ai nuk ishte
mësuar me këtë ritëm dhe tempo të punës, si ajo e këtyre të rinjëve të
stigmatizuar për shkak të formës së tyre të jashtme (mjekrave, veshjeve, ecjes,
stil ku i të jetuarit si pasojë e influencimit të kulturave të huaja si dhe i përjashtimit
pa mëshirë nga kultura autoktone për shkak të shenjave dalluese të politikave arsimore
prej nga vinin), prandaj edhe do t’i përjashtojë sërish nga gjiri i BFI-së. Do
t’i përjashtojë sepse angazhimi i tij do të binte nën hijen e elanit të atyreve
të cilët me dekada i kishte mbajtur larg dyerve të BFI-së duke i shpallur
armiq, madje edhe duke mbajtur relacione me Sasho Mijallkovin, kundër tyre.
Natyrisht duke qenë skajshmërisht të zhgënjyer,
duke ngelur pa kurrfarë perspektive, duke u ndjerë të përjashtuar, ata do t’i
rikthehen qendrave të tyre të pjekurisë intelektuale. Duke u llogaritur si të
bllokuar dhe të margjinalizuar, si të rrezikshëm e të përjashtuar nga BFI-ja që
po ndihmohej nga po ato struktura komuniste policore, ata detyrimisht që do të
radikalizojnë qëndrime, koncepte, bindje dhe, ëndërrat e veta do t’i shohin në
një “shtet islamik”. Dikush do të shkojë, dikush do të vritet, dikush do të
kthehet por kjo ëndërr te shumica e këtyre “mjekrave” nuk do të shuhet, sepse këtë
e ushqen Mulla Sula me veprimet dhe politikat e tij antikombëtare e antifetare.
Mulla Sulës nuk i intereson se kush çka vepron në emër të fesë, nuk i intereson
se kush çka boton e as sa shoqata botuese islame veprojnë në Maqedoni, Mulla
Sulës nuk i intereson kush si falet dhe ku falet, nuk i intereson kush sa
helmon koncepte kombëtare e kush sa njollosë bindje të shëndosha fetare. Mulla
Sula është gjallë i interesuar që përmes të gjitha mënyrave dhe metodave ta
ruaj kolltukun e uzurpuar. Mulla Sulës i intereson vetëm mirëqenia personale që
ia siguron “pushteti i vet” dhe kushdo që e lakmon dhe ia mësyen kësaj mirëqenie
ai do të luftohet, do të nxitet në radikalizim. Kjo është politika e Mulla
Sulës e cila tashmë po lexohet fare lehtë dhe për të cilën tërthorazi flet në
librin e vet të fundit autori amerikan, Joby Warrick. Mulla Sula kurrë nuk ka
pranuar që të përfshihet në luftë kundër koncepteve dhe platformave të huaja
antiislame dhe antishqiptare por, gjithnjë i ka luftuar të gjithë ata kuadro që
e kanë rrezikuar me tharje nga hija e rëndë e dinjitetit dhe e personalitetit
të tyre.
No comments: