(Rreth librit, megaintervistë me Afrim Tahirin,
ish-Sekretarin e Përgjithshëm të BFI-së, me titull BASHKËSINË FETARE ISLAME E
PRET NJË EPOKË E RE, të autores Albina Ajdari)
Shkruan: Mehmet Konushevci, Prishtinë
Ja dhe një emërtim socio-filozofik TURPI I MADH!
Meqenëse rrjedh si sintagmë nga megaintervista e Afrim Tahirit, sakaq
nënkuptohet se për cilin TURP bëhet fjalë, por, megjithatë, ky nocion në këtë
rast na del shumëdimensional. Në këtë Turp të Madh përfshihen jo vetëm
skandalet e turpshme që i paskësh shkaktuar Sulejman Rexhepi në BFI por, mbi të
gjitha, pesha e këtij nocioni bie edhe mbi nëpunësit fetar brenda BFI-së që e
heshtin këtë turp, mbi udhëheqësit e organeve dhe të institucioneve të BFI-së
që i duartrokasin dhe e favorizojnë këtë turp, mbi hoxhallarët që me heshtjen e
tyre i bëjnë “devam” kësaj maskarade të tmerrshme, ky Turp i Madh bie mbi
deformuesit e së vërtetës që nxjerrin kokë jo vetëm nga birucet e BFI-së por
edhe të BDI-së dhe të pushtetit që po vdes. Një Turp i Madh bie edhe mbi mediat
që u bënë palë e korrupsionit, e vjedhjes, e rrenës dhe e zhvatjeve të Mulla
Sulës. Pikërisht, për këtë konglomerat turpesh që e përbëjnë TURPIN E MADH flet
kjo megaintervistë e Afrim Tahirit, me titull “BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET
NJË EPOKË E RE”, me autor gazetaren e mirënjohur, Albina Ajdari.
Nga vetë titulli nënkuptojmë se kemi të bëjmë me një
gjakim të flaktë të Afrim Tahirit dhe shokëve për një Institucion të
dinjitetshëm për të gjithë myslimanët e vendit. Nuk ka institucion ndërkombëtar
e i vendit që nuk nënvizojnë vazhdimisht se policia dhe gjyqësori i vendit janë
tepër shumë të korruptuar dhe, pikërisht për shkak të kësaj dukurie edhe më tej
po i shkon kungulli mbi ujë Mulla Sulës. Të mbërthyer nga kjo dukuri e fëlliqtë
nuk mund të jetë imune as BFI-ja aktuale të cilën Mulla Sula e ka shndërruar në
firmë private. Paramendoni, Mulla Sula e mbledh Rijasetin e delegjitimuar për
t’i pyetur anëtarët ilegjitimë të saj nëse ia japin përkrahjen apo jo, kurse
nuk i mbledh për të debatuar për dorëheqjen një vit më parë të Sekretarit të
Përgjithshëm, Afrim Tahirit; nuk i mbledh për të debatuar rreth shumë fakteve
të turpshme që i prezanton efendi Tahiri në aktin e dorëheqjes; nuk e mbledh
asnjëherë Rijasetin për të debatuar për sërë argumentesh e faktesh që i
prezantojnë tash e një vit NISMA për reforma në BFI e cila udhëhiqet nga
njerëzit që dikur ishin elemente kyç të BFI-së, të cilët posedojnë shumë fakte
e argumente të pamohueshme. Mulla Sula ua nguli hurin anëtarëve të Rijasetit, i
komprementoi të gjithë duke ua marrur përkrahjen, pak me korrupsion, pak me
frikësim, pak me dosje të poshtra që tashmë i ka në duart e veta për të gjithë
ata që i sillen rreth këmbëve si shtatë shkurtabiqët rreth Borëbardhës. (Në
kontekst, të gjithë këta shkurtabiqë ëndërrojnë që një ditë t’i kërcejnë lopthi
Borëbardhës!!!)
Në këtë megaintervistë, të cilën Afrim Tahiri e
boton pikërisht për shkak se Mulla Sula ka arritur që me paratë e fitrit dhe
zeqatit të myslimanëve të vendit t’i blejë të gjithë mediat dhe portalet vetëm
e vetëm që mos të dalë e vërteta e NISMËS në shesh, flet me një intelektualizëm
të pashoq, me një guxim inelektual të paparë dhe me një gjuhë elokuente përplot
me fakte dhe argmente. Duke folur ofron shumë të palara të Mulla Sulës dhe të
bashkëpunëtorëve të tij në krim e korrupsion, nënvizon shumë fakte rrëqethëse
por edhe mënyra se si do të tejkalohet kjo mutsihane e shkaktuar nga Mulla
Sula. Afrim Tahiri me një durim prej një të devotshmi, me një siguri prej të
çiltrit flet për momentet kur e ka kapur Mulla Sulën me pelë për dore, se si ia
ka tërhequr vërejtjen, se si Mulla Sula i është përkulur duke e lutur i
përlotur që mos ta lë dhe t’ia japë përkrahjen, deri në çastin kur kupën e ka
mbushur me shpurdhjakun Mustafa Dautin, të cilin e ka pasur lavatriçe sekrete
të shpëlarjes së fëlliqësirës së Sulejman Rexhepit.
Lexojeni këtë megaintervistë të Afrim Tahirit dhe do
të keni shumë të qartë se cila bandë po udhëheq për momentin me BFI-në.
Lexojeni këtë libër dhe do të shikoni se pse kjo bandë i ik debatit me cilindo
nga udhëheqësit e NISMËS. Lexojeni këtë megaintervistë dhe do ta keni shumë të
qatë se pse Mulla Sula po e shterrë arkën e BFI-së duke paguar e duke
korruptuar media vetëm e vetëm që mos t’i japin hapësirë të vërtetës që del nga
NISMA. Lexojeni këtë intervistë me të VËRTETËN E MADHE sepse do të habiteni se
si do t’ju bijnë të gjitha maskat Mulla Sulës dhe bashkëpunëtorëve të tij, do
të shikoni se pse ata e kanë gojën plotë me fe e rregulla fetare derisa të
zbresin në xhepat e myslimanëve të ngratë dhe, menjëherë pastaj, të shtrojnë
dreka e darka korrupsioni, banja e sauna familjare si dhe restorante e qejfe
për grupet kriminele që e rrethojnë “zotin” e tyre.
Megaintervista BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET NJË
EPOKË E RE, është një e Vërtetë e Madhe e cila të lë pa frymë dhe që ta ngacmon
pusin e lotëve, të mbush me trishtim dhe me një urrejtje rrebeluese kundër
bandës aktuale në BFI. Asnjë mysliman i vendit nuk mundet të kuptojë se me
çfarë “islami” pajiset nga marionetat e Mulla Sulës deri sa nuk do ta
lexojë këtë megaintervistë.
Mbi të gjitha, kjo megaintervistë e Afrim Tahirit
është një dry prej floriri që mbyllë dyert e çdo shtëpie myslimane për bandën
dhe marionetat e Mulla Sulës. Kjo ka për të ndodhur shumë shpejt. Dhe, ato dyer
do të hapen krah më krah vetëm pasi të kryhet ajo reformë e thellë në BFI për
të cilën flet Afrim Tahiri në këtë megaintervistë
No comments: