Autor: Labinot Kunushevci, sociolog
Për ta zhvilluar këtë hipotezë dhe analizuar udhëheqjen dhe figurën e ish-liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, duhet zbritur në rrethanat shoqërore e politike të kësaj periudhe e jo të gjykohet me koncepte, kategori e kontekste të të sotmes.
Fillimisht duhet pasur parasysh se shoqëria e periudhës së Titos ka funksionuar mbi një model krejtësisht ndryshe prej sot dhe është gabim të kërkojmë diçka të parealizueshme për atë kohë. P.sh. profesorëve shqiptarë iu është diktuar ideologjikisht programi mësimor dhe s'kanë pasur mundësi, përveç ndonjë nuancë, të ndryshojnë qasjen dhe mendimin për ta kontestuar Titon ose për të thënë që Tito është i keq. Madje kush ka thënë se “Tito është i keq”, është dënuar me burg. Të tjerët janë ekzekutuar. Fatkeqësia është se ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe ekzekutorët e atyre krimeve kundër nacionalistëve shqiptarë, duke i ekskomunikuar dhe duke i dënuar nacionalistët, luftë kjo që bëhej nën arsyetimin e “irredentizmit dhe separatizmit shqiptar”, që në fakt ishte luftë kundër identitetit shqiptar, kundër barazisë së tyre në shtetin federal dhe kundër vetë ekzistencës së tyre për shkak të përkatësisë etnike.
Në atë shoqëri ka dominuar kiçi dhe në shoqëritë autoritare, veçmas në komunizëm, kiçi ka qenë alfa në çdo sferë; politike, arsimore, kulturore etj. Kur ka lindur dikush nuk është thënë ''lindi një fëmijë i Hasanit a i Hysenit'', por ''lindi një ushtar i komunizmit, një pioner i Titos, një ushtar i partisë për atdheun'' - dhe ky fëmijë detyrimisht është vënë në ingranazhin e realizimit të aspiratave të partisë ideologjike. Pra, dimension totalisht ideologjik dhe aspak human.
Është vështirë të kuptohet ai sistem, sepse janë prodhuar shumë keqkuptime nga krijimi i gjykimit nën efektet e propagandës ideologjike indoktrinuese e glorifikuese, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, nën efektet e pakënaqësisë dhe thyerjes së iluzioneve, që rezultuan me ngjarjet e viteve ’90-ta deri në luftë, madje edhe pas luftës një kohë. Ishte kjo periudhë postjugosllave, ku u paguan pasojat me mjerimin social, ekonomik e politik, ku njerëzit që kishin sakrifikuar dhe që kishin ndërtuar iluzionin se pas Jugosllavisë apo pas luftës së vitit ’99-të do të bëhet mirë e do të trajtohen të barabartë, u ndodhi e kundërta dhe mbetën të papunë nga privatizimi, të nënçmuar, me penzione të ulta etj. Kjo rezultoi me nostalgji për të kaluarën e Jugosllavisë së Titos, prandaj iu kthyen të kaluarës duke e humbur sensin e së tashmes dhe të ardhmes. Ky kthim kah e kaluara kishte të bënte me anën formale të sistemit jugosllav, të cilin vetë e kishin përjetuar: mjekimi pa para, shkollimi pa para, udhëtimi pa viza etj., dhe nën këtë efekt dhe nga ky pozicion u forcua nostalgjia për Jugosllavinë e Titos dhe u krijua iluzioni se ka qenë shoqëri liberale! Ajo ka qenë liberale vetëm deri aty ku s’është prekur thelbi i interesave ideologjike. Çfarë “shoqërie liberale”, kur ka funksionuar kufizimi ligjor përmes një neni të veçantë në lirinë e shprehjes, ku - për pasojë - me mijëra njerëz janë dënuar me vite burgim vetëm pse kanë shkruar ose kanë thënë “Kosova Republikë”?! Ai sistem ka qenë thelbësisht dimension i pabarazisë në kuptimin e lirisë, organizimit, veprimtarisë etj.
Ai sistem duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi dhe gjykimi kritik, në mënyrë që të mos vazhdohet me ndërtimin e vizioneve dhe projeksioneve nën efektet e indoktrinimit dhe vetëdijes neokoloniale, sidomos kur kjo vjen nga elitat me prejardhje komuniste. Dhe, jo vetëm për Jugosllavinë, por edhe për periudha e sisteme tjera, që të mos lejohet relativizimi i krimeve që janë bërë dhe glorifikimi, mitizimi e heroizimi i figurave udhëheqëse, përmes teksteve shkollore, përmes ideve e iniciativave për x ish-udhëheqësit që t’u ngrihen buste e përmendore ose të shpallen “nderi i kombit” dhe forma të tjera, që tregojnë vazhdimësinë e qasjes ideologjike, e cila nuk i bën nder as mendimit politik shqiptar, as mendimit intelektual shkencor, as historisë, as interesit strategjik kombëtar, as kulturës nacionale e as projeksioneve për të ardhmen. Si të tillë, vazhdojmë me qenë në krizë të thellë të vetërealizimit identitar modern.
Nëse krahasohen krimet e Mbretërisë Jugosllave me ato të periudhës së Titos, ky i fundit rezulton më kriminel se Mbreti. Megjithse këto politika kanë qenë komplementare e jo kontradiktore. Pra janë vazhdimësi e njëra-tjetrës dhe vetëm janë alternuar.
Spastrimi etnik: Shpërnguljet për Turqi (Marrëveshja ndërmjet Titos dhe Kyprillisë e vitit 1953). Në periudhën e Titos janë shpërngulur 200 - 250 mijë shqiptarë.
Vrasja: Në periudhën e Titos janë vrarë rreth 30 mijë shqiptarë. Tito ka pushkatuar masivisht civilë pa gjyqe e pa kurrfarë faji në vitet ‘40–‘45.
Marrja e tokave: Janë bërë dy reforma përmes së cilave shqiptarët i kanë marrë vetëm 9 hektarë dhe Tito i ka shpronësuar duke ua marrë fabrikat, pronat, teknologjinë etj.
Arsimi: Tek komponenta e arsimit është mirë të analizohet hapja e shkollave, gjimnazeve, teatrove, bibliotekave e medieve në kohën e fashizmit Italian me në krye Musolinin, të cilat kanë rezultuar me krijimin e identitetit shqiptar, ndërsa qasja e Titos dhe Jugosllavisë ka qenë e kundërt. Në vitin 1952 Rodoljub Çolakoviçi është bërë ministër i Arsimit dhe ai ka tentuar t'i mbyllë të gjitha shkollat shqipe për t’i kthyer në serbisht, me arsyetimin se gjuha shqipe është e varfër dhe kjo ka ndikuar që shkollat shqipe të reduktohen maksimalisht. Në të vërtetë, propaganda serbe se shqiptarët s’kanë alfabet, kanë gjuhë të varfër, s’mund të zhvillojnë arsim dhe identitet, është propagandë e vjetër qindravjeçare.
Fakt tjetër që mund të analizohet, e të cilin e përmend studiuesi Milazim Krasniqi në librin e tij E KUJT ËSHTË KJO KULTURË, është fjalimi i Titos para Armatës së ushtarakëve e gjeneralëve në Karagjorgjevë më 29 dhjetor 1979, e botuar në librin e historianit Vjensçesllav Cençiq. Testamenti i tij politik tregon antishqiptarizmin e tij sepse aty ka dhënë qëndrim kundër Kushtetutës së vitit 1974 dhe kundër zgjerimit të autonomisë së Kosovës.
Faktikisht me Kushtetutën e ‘74-tës Republikat e fitonin të drejtën e shkëputjes përmes disa procedurave dhe kjo ka qenë kohë ideale për shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Por, ishte edhe një lojë politike e kroatëve dhe sllovenëve që ata të shkëputeshin lehtë nga Jugosllavia duke e bartur konfliktin e parë në Kosovë me shqiptarët, meqë serbët bënin përpjekje për t’u rikthyer në Kosovë dhe e dinin se me vdekjen e Titos nuk mund të mbijetojë Jugosllavia.
Tito kishte lidhje të forta me armatën jugosllave, madje gruaja e tij, Jovanka, kishte rreth 6 gjeneralë në familje. Ndërsa Aleksandar Rankoviqi ka qenë njeriu i dytë në Jugosllavi. Të gjitha krimet që i ka bërë Rankoviqi, i cili ka qenë një tip nacionalisti serb i kamuflluar, i ka bërë me pëlqimin e Titos.
Po ashtu nëse analizohet stratifikimi shoqëror në Jugosllavinë e Titos, profilin shqiptar e gjejmë më të diskriminuarin, ndërsa profilin serb më dominuesin dhe më autoritativin, ndërsa doktrina “vllaznim-bashkim” ishte vetëm një improvizim. Pra, kishte një diskriminim dhe segregacion ekstrem social e politik.
Por, nuk mungonin as platformat për demokratizimin e Jugosllavisë, sikur që ishte revista sllovene “Mladina”, e cila luftonte për lirinë e shprehjes. Nëse e analizojmë pak më thellë, më duhet t’i referohem një interpretimi dhe shpjegimi nga studiuesi dhe profesori universitar Ibrahim Berisha në lidhje me përfitimin e shqiptarëve nga presioni i Amerikës ndaj Jugosllavisë në vitet e ’60-ta, në kohën kur Jugosllavia i ka pasur 16 miliard dollarë borxh dhe, në pamundësi për ta kthyer borxhin, Amerika i ka bërë presion me kushtëzimin për të demokratizuar shoqërinë në aspektin e pronës, në aspektin e minoriteteve, në aspektin e lirive më të mëdha për komunitetet etj., në mënyrë që t’i falet borxhi dhe Jugosllavia ka filluar të lëshojë pe dhe kështu iu është falur borxhi. Pikë reference kanë qenë shqiptarët dhe hungarezët, sepse kanë qenë më të shtypurit. Kjo u bë në kuadër të Konferencës së Helsinkit. Dhe, në këtë kuadër Universiteti i Prishtinës është nus-produkt i drejtpërdrejt i presionit të Amerikës ndaj Jugosllavisë sepse në vitet 70-të u mundësua hapja e tij.
Pra, është problem shumë kompleks nëse analizohet në një dimension postideologjik konteksti i disa rrethanave të kësaj periudhe, sidomos kur kemi parasysh që jemi një shoqëri atipike.
Problemi te historianët e Kosovës është se shumë prej tyre kanë ende qasje ideologjike dhe vetëm përshkruajnë ngjarje, pa arritur ta kuptojnë lidhjen shkaksore të tyre. Ajo që mungon sot është trajtimi sociologjik, diplomatik, religjioz, kulturor e politikologjik i historisë në kontekst të rrethanës së caktuar. Prandaj i bashkohem idesë që tekstet shkollore, veçmas të historisë, duhet të rishikohen dhe të rishkruhen.
Gjeneratat e reja studentore duhet t’i qasen me metoda të reja shkencore kësaj periudhe dhe periudhave tjera, sepse ka studime dhe analiza kredibile që ndihmojnë kuptimin e dhe shpjegimin e atij sistemi. Jo me prirje për të mitizuar, romantizuar e glorifikuar dhe jo me predispozita emocionale, paragjykime kulturore e qasje ideologjike sepse ky model rezulton me huqje shkencore.
Prandaj edhe të huajt na kanë studiuar më shumë se që e kemi studiuar ne veten tonë, sepse qasja dhe modeli i tyre ka qenë më shkencor. Ka shumë autorë të huaj që na ndihmojnë ta kuptojmë këtë histori komplekse të zhvillimit dhe që përmes tyre zhvillimi i hipotezës rezulton në konkludimin se Jugosllavia e Titos ishte sistem i pabarazisë, ndër ta: Noel Malcolm me librin “Kosova, një histori e shkurtër”, Zbigniew Brzezinski me librin “Jashtë kontrollit”, Gabriel Partosh me librin “Bota që erdhi prej të ftohtit” etj., por edhe disa analiza nga studiuesit dhe profesorët shqiptarë, si: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Hysamedin Feraj etj.
Style3[OneLeft]
Style3[OneRight]
Style4
Style5
Kategoria: Opinione
About HIG
This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
- Më të lexuarat
- Sporti
- Kategoritë
Películas populares
-
EKSKLUZIVE: Policia Financiare ka hapur hetime për ish ministrin Abdulaqim Ademi dhe bashëpuntorët e tij Muhamet Hoxha dhe Armir Sadiku ...
-
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistën për RTV Dukagjini për herë të parë ka folur për detaje të reja për rastin e Kumanovës, se kus...
-
Debat për listat e deputetëve në emisonin ”Rruga drejt…” : Azem Sadiki-PDSH, Izet Mexhiti-BDI, dhe profesori Zemri Elezi (VIDEO) ./Ditari....
-
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe lideri i saj Menduh Thaçi të Premten në komunën e Tetovës vazhduan me programin e takimeve me stru...
-
Kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati sot ka pritur selektoein e reprezentacionit të federatës së xhudos Goran Mickivski dhe xhudist...
-
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sot në selinë e partisë priti në takim Ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenis...
Sport
Widget powered by WhatstheScore.com
No comments: