Autoritetet e Maqedonisë po vazhdojnë të taktizojnë me rastin e paraburgosjes së shefit të protokollit të FSK-së Gafurr Dugolli. Këshilli gjyqësor akoma nuk ka marrë një vendim, një ditë para se ministri i drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se do të lirohet Dugolli brenda ditës së djeshme.
Nëse këshilli gjyqësor vendos se janë plotësuar kushtet për ekstradimin e të huajit, në përputhje me Ligjin për procedurë penale, atëherë atë do ta vërtetojë edhe me vendim, ndaj të cilit i ndaluari, avokati i tij por edhe prokurori publik në detyrë kanë të drejtë ta ankimojnë në këshillin penal të gjyqit të instancës tjetër më të lartë, në afat prej tre ditëve nga dita e marrjes së vendimit. Vendimi fuqiplotë që vërteton supozimet për ekstradim bashkë me vendimin për paraburgim i dorëzohen Ministrisë së Drejtësisë, informon Alsat-M.
Pas shumë tentimeve për ta kontaktuar por edhe pas premtimit për një gjë të tillë, Ministri e Drejtësisë ende nuk ka komentuar rastin. Vëllai i Gafur Dugollit thotë se me mbajtjen e tij në paraburgim, autoritetet e Maqedonisë po njollosin Kosovën.
“E kemi thënë dhe e themi prapë se kjo është një padrejtësi e madhe. Këtu po mbahet tashmë një javë një qytetarë i Republikës së Kosovës, në kundërshtim me çdo rregull dhe çdo ligj sepse ai është qytetarë i lirë i Kosovës. Ai nuk ka kryer asnjë krim as në Kosovë dhe as në Maqedoni në shtetin ku e kanë ndalë. Përveç qytetar, ai është edhe zyrtar i Kosovës dhe kjo është padrejtësi dhe përçmim dhe njollosje e Kosovës që i bëhet nga këto autoritete,” u shpreh Bujar Dugolli, vëllai i Gafur Dugollit.
Ndryshe, lista e flet-arresteve të lëshuara nga Serbia për herë të fundit është përditësuar në vitin 2015. Që nga përditësimi i fundit, Dugolli ka udhëtuar shpesh jashtë vendit. Disa herë ka vizituar Maqedoninë por ka udhëtuar edhe në vendet e zonës Shengen dhe askund nuk është ballafaqur me probleme të këtilla. Ndaj Dugollit nuk ka asnjë aktakuzë tjetër pos asaj të lëshuar nga Serbia, e cila akuzon atë për krime lufte në Kosovë. Dugolli është edhe ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

No comments: