Ballkani perëndimor
vazhdon të ketë probleme dhe të ketë nevojë për një marrje me vetveten. Punën
më të vështirë e ka ky rajon, i cili po ballafaqohet me të kaluarën e tij, me
harmonizimin e saj me konceptet bashkëkohore të funksionimit të ligjit, të institucioneve
dhe të shoqërive të ndryshme.
Nga: Albert Ramadani
Stabiliteti i rajonit
ende qëndron mbi themele të paqëndrueshme dhe varet kryesisht nga mbështetja e Bashkimit
Evropian. Në këtë mënyrë u bë e qartë se nuk ka BE për këto shtete pa
stabilitet rajonal, dhe se për të janë të papranueshme politikat destabilizuese
dhe që cenojnë edhe më shumë angazhimet ndërkombëtare për stabulitetin e
rajonit që bart mbi vete një histori të gjatë konfliktesh dhe luftash. I dalë
nga lufta të shumta, në të cilat u përzien parimet e lirisë, të së drejtës dhe
të demokracisë, të legalitetit, me parimet e totalitarizmit, të hegjemonisë, të
supremacisë dhe të ekskluziviteteve nacionale. Ballkani perëndimor nuk po mund
të konsolidojë veten dhe stabilitetin e tij. Po ndodh kështu për shkak të
zhvillimeve të brendshme të secilit shtet, që ende nuk po e kalojnë
tranzicionin politiko-institucional, si dhe efektet e luftave që ndodhën; për
shkak të kontesteve të mbetura mes tyre; për shkak të moslirimit nga barra e
një qasje dhe mendësie tradicionale ndaj njëri-tjetrit; për shkak të
ndryshimeve të raportit të forcave në rajon; për shkak të konteksteve
gjeopokitike e gjeostrategjike; për shkak të moskuptimit të drejtë dhe të duhur
të parimeve mbi të cilat funksionon BE; për shkak të problemeve që ka vetë BE
qoftë brenda saj, qoftë edhe ndaj zhvillimeve gjeopolitike e gjeostrategjike në
botë. Për shkak të gjitha këtyre dhe faktorëve të tjerë. Ballkani perëndimor
vazhdon të ketë probleme dhe të ketë nevojë për një marrje me vetveten. Punën
më të vështirë e ka ky rajon, i cili po ballafaqohet me të kaluarën e tij, me
harmonizimin e saj me konceptet bashkëkohore të funksionimit të ligjit, të institucioneve
dhe të shoqërive të ndryshme. Dhe kjo do të thotë që Ballkani perëndimor të
mësohet të zgjidhë problemet me dialog dhe me bashkëpunim; që të respektojë dhe
të thellojë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve etnike, gjuhësore dhe
fetare; të realizojë reforma të thella institucionale, politike, ekonomike dhe
sociale që të jenë të gatshme të përballojnë sfidat që ka procesi i integrimit
në BE, por edhe sfidat që paraqesin format e ndryshme të terrorizmit dhe të
dhunës. Në këtë kuptim, BE vlerëson multikulturalizmin si qasje filozofike,
edhe si realitet i një rajoni që ka vuajtur shumë nga ekskluzivitetet
nacionale. Në gjithë këto angazhime dhe sfida, rajoni ka pasur dhe ka ndihmën e
BE-së, që ka angazhuar veten në aspektin diplomatik dhe ekonomik. Në aspektin
diplomatik, BE ka filluar një proces anëtarësimi të këtyre shteteve këtë
organizatë, kurse në aspektin ekonomik ka investuar miliarda euro në rajon. Po
ashtu, BE u ka qëndruar afër dhe u qëndron afër shteteve të ndryshme për t’i
ndihmuar në sundimin e ligjit, të reformave të nevojshme. Po ashtu, BE ka një
angazhim të konsiderueshëm në dy baza të forta destabilizuese në rajon: në
raportet Kosovë – Serbi dhe në Maqedoni për shkak se vazhdojnë të kenë probleme
të mëdha edhe në fushën e sigurisë dhe të stabilitetit rajonal. Angazhimi kaq i
madh i BE-së, që ka edhe ndihmën e madhe të SHBA-ve në këto dy vatra të
mundshme destabiliteti, tregon sesa peshë dhe rëndësi ka që rajoni më në fund
të qetësohet dhe të ketë një stabilitet të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, edhe
çështja e negociatave Kosovë – Serbi, edhe stabiliteti i Maqedonisë nuk janë
thjesht çështje e tyre, por janë çështje të BE-së dhe trajtohen nga ky i fundit
si pjesë të procesit të paqtimit, të bashkëpunimit dhe të stabilitetit evropian
dhe botëror. BE po kërkon dhe po angazhohet edhe vetë që secili shtet të
zgjidhë të gjitha problemet që kanë me njëri-tjetrin dhe brenda tyre, në mënyrë
që të mos ketë çështje të pazgjidhura që mund të nxisin konflikte të reja.
Prandaj, është e kuptueshme që BE të vlerësojë angazhimet serioze të secilit
shtet në funksion të forcimit të bashkëpunimit rajonal, në funksion të
stabilitetit rajonal; në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut, të
komuniteteve të ndryshme etnike, gjuhësore dhe fetare; në funksion të pengimit
të ekstremizmave dhe ekskluziviteteve nacionale dhe fetare, por po ashtu BE nuk
vlerëson, është kundër politikave destabilizuese në rajon, kundër përdorimit të
retorikave nacionaliste dhe fetare në funksion të luftës politike dhe të destabilizimit
të rajonit. Prandaj, BE ka adoptuar një qasje integriste rajonale që nënkupton
një lloj integrimi rajonal si mënyrë të thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe
të tejkalimit më të lehtë të vështirësive që kanë shtetet veç e veç dhe rajoni
në tërësi përballë sfidave integruese evropiane. BE po synon të shohë se si
shtetet e rajonit janë në gjendje të sillen si evropianë ende pa u bërë pjesë e
BE-së. Nismat e kancelares Merkel për shtetete të Ballkanit perëndimor, është
një nismë pikërisht në funksion të qasjes integriste rajonale. Dhe iniciativat
dhe samitet e fundit kane marr përsipër që në emër të BE-së të mbështesë
projekte që lidhin shtetet mes tyre me rrugë dhe hekurudha të ndryshme që do
t’u shërbejnë këtyre shteteve, por edhe BE-së për lehtësim të qarkullimit të
njerëzve dhe të mallrave, pra edhe të ideve dhe koncepteve të ndryshme në
kuadër të një mozaiku dhe diversiteti kulturor. Dhe të gjitha këto në funksion
të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të secilit shtet dhe të rajonit në
tërësi. Në gjithë këtë proces, secili shtet ka përfitimet dhe detyrimet e tij
që duhet t’i meritojë dhe realizojë me përgjegjshmëri të lartë. Në këtë pikë,
janë edhe hilet e sllavo-ortodoksëve që provokojnë shqiptarët për t’i nxitur
politikat destabilizuese rajonale për t’i paraqitur si faktorë destabiliteti
rajonal. Edhe pse jo në masën e synuar, kjo strategji hileqare sllavo-ortodokse
ka pasur rezultate negative për shqiptarët. Falë budallakive dhe etjes për
pushtet të forcave të ndryshme pokitike, imazhi i shqiptarëve, por edhe
raportet me BE-në dhe aleatët strategjikë janë cenuar ndjeshëm, dhe afrimiteti
me Beogradin është rritur. Dhe këtë nuk e thonë vetëm zhvillimet brenda
samitive të europës, por edhe në përgjithësi tonet që përdoren ndaj
shqiptarëve.
No comments: