Grupi Shteti Islamik publikoi një video ku i bën thirrje popullit turk të rebelohet e të ngrihet në luftë kundër regjimit të presidentit Recep Taiyyp Erdogan, që ai e quan të pabesë dhe tradhtar. Sipas një lajmi të njoftuar nga faqja e shërbimit monitorues SITE, grupi bën thirrje gjithashtu që populli turk të ndihmojë për marrjen e Stambollit.
Sipas shërbimit SITE, videoja me titull “Një mesazh për Turqinë” u publikua nga e ashtuquajtura zyrë e mediave shtetërore në Raqqa, që i referohet kryeqytetit të grupit Shteti Islamik në Sirinë veriore.
Duke folur në turqisht, një militant i Shtetit Islamik akuzoi Erdoganin se ia ka shitur vendin të krishterëve dhe partisë ateiste të Punëtorëve të Kurdistanit dhe se ka lejuar që bazat turke të përdoren nga të krishterët dhe nga SHBA thjesht për të ruajtur pozitën e vet, raporton Zëri i Amerikës.
“Të gjithë bashkë dhe nën urdhrat e Abu Bakr al Bagdadit, i cili vjen nga paraardhësit e Profetit tonë… le të pushtojmë Stambollin”, tha ai.
Thirrja e tij vjen dy muaj pasi Shteti Islamik filloi publikimin e një reviste në turqisht, ku vendin kryesor e zinte një shkrim me titull “Pushtimi i Kostandinopojës”, në të cilin bëhej thirrje për një pushtim të ri islamik të qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit./lajmpress/
No comments: