Bushati dhe Steinmeier bënë thirrje për një investigim të plotë, transparent dhe profesional të ngjarjeve në Kumanovë.
Gjatë një vizite punë në Gjermani, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u takua me homologun e tij, Frank-Walter Steinmeier. Vend të veçantë në diskutimet mes dy ministrave zuri edhe situata në rajon dhe zhvillimet në Maqedoni.
Duke dënuar dhe cilësuar çdo akt dhune të papranueshëm për një shoqëri demokratike që synon integrimin euroatlantik, ministri Bushati ka theksuar rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet esenciale për stabilitetin demokratik dhe orientuese për rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë.
Të dy ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e integritetit territorial dhe stabilitetit në Maqedoni dhe zgjidhjen sa më parë të krizës politike në vend, evitimin e konvertimit të saj në një krizë ndëretnike dhe me pasoja për stabilitetin rajonal.
Bushati dhe Steinmeier bënë thirrje për një investigim të plotë, transparent dhe profesional të ngjarjeve në Kumanovë si e vetmja mundësi për të rikthyer besimin tek institucionet. (INA)

No comments: