Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, sot e konfirmoi vlerësimin që në emër të BE-së dhe të SHBA-së mbrëmë e kumtoi ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, se ende nuk janë përmbushur kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë më 24 prill. Siç lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, edhe pse data e zgjedhjeve është "çimentuar" me marrëveshjen e Përzhinos, megjithatë, sipas zëdhënëses së Eurokomisionit, është konfirmuar se ende nuk janë përmbushur të gjitha kushtet dhe ai në emër të BE-së u bën thirrje partive politike në Maqedoni "të mbeten të përkushtuar për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile sa më shpejt të jetë e mundur".
"Pati zhvillim të ngjarjeve gjatë fundjavës në IRJ të Maqedonisë. jeni të vetëdijshëm se komuniteti ndërkombëtar tha para një kohe se ne do të vlerësojmë se si po zhvillohen përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme. Këto zgjedhje janë paraparë me marrëveshjen e Përzhinos si hap kyç në procesin reformues që do ta kthejë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, në garë të drejtë të ideve dhe perspektivave politike dhe vendi të tejkalojë krizën politike", potencoi maja Kocijançiç në ndërtesën e Eurokomisionit në Bruksel.
Zëdhënësja e KE-së konfirmoi se është arritur progres në përmbushjen e një pjese të madhe të obligimeve nga marrëveshja e Përzhinos, por, megjithatë, potencoi se kjo nuk mjafton për Brukselin që të thotë se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e, siç i quajti ajo "zgjedhjeve kredibile".
"Vlerësimi tregoi se në këtë fazë, kushtet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve kredibile më 24 prill për momentin nuk janë siguruar, edhe pse është arritur progres. Në atë kontekst, ne besojmë se nevojiten përpjekje serioze të të gjitha palëve të involvuara në mënyrë që të sigurohen kushte të volitshme për proces zgjedhor kredibil, ku të gjithë qytetarët dhe partitë do të participojnë lirshëm. Ne u bëjmë thirrje liderëve partiakë të mbeten të përkushtuar dhe pritet që partitë politike të punojnë drejt hapave të nevojshëm që nevojitejn për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile sa më shpejtë të jetë e mundur", theksoi Kocijançiç.
Në fund të paraqitjes së saj, ajo theksoi se "ka më shumë hollësi për tërë situatën në letrën e kumtuar dje, e cila është nënshkruar nga ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në Shkup"./koha
No comments: