Ka nisur protesta e të rinjve demokratë para Kuvendit të Shqipërisë, për dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta. Të rinjtë janë mbështetur edhe nga deputetët e opozitës, të cilët braktisën Parlamentin, pas fjalimit të deputeti Eduard Halimi
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, iu bashkua që prej fillimit protestës së të rinjve, duke u shprehur se opozita do të kërkojë drejtësi deri në fund, për zbardhjen e akuzave të deputetit Tom Doshi për një atentat që pretendohet nga ai se është sajuar nga Ilir Meta.
Paloka theksoi se opozita kërkon dorëheqjen e Metës. Ai i njoftoi të rinjtë protestues se, grupi parlamentar i PD-së do të hyjë në Kuvend, dhe më pas do t’i bashkohet protestës për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
Protesta pritet të vazhdojë me daljen e grupit parlamentar i PD-së. Ka një numër relativisht të madh të forcave të policisë, pasi, ishte menduar që protesta do të kishte një numër më të madh pjesëmarrësish, ndaj dhe policia ndodhet në gatishmëri.
Policia e Tiranës ka marrë masat e duhura për zhvillimin normal të kësaj proteste. Ajo njoftoi që dje se, do të ketë bllokim të lëvizjes së mjeteve në rrugën “George W Bush”, segmenti nga rruga e Elbasanit deri te sheshi “Partizani i panjohur”. Gjithashtu do të ndalohet pjesërisht parkimi i automjeteve në rrugën e lartpërmendur, duke filluar nga ora 08:30 deri në orën 12:30 të datës 19 mars 2015.
Halimi: Krimi ka kapur majën e piramidës shtetërore
Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi theksoi sot në Parlament se, kreu i Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, kërkoi që kryetari i Kuvendit shqiptar të japë dorëheqjen, që pasi sipas tij, edhe nëse Shqipëria do ishte me një kulturë perëndimore si Gjermania, duhej ta bënte.
Halimi kërkoi dekriminalizimin e kuvendit. Sipas tij, një javë më parë oligarkia arriti kulmin e vet, me akuza për larje hesapesh politike.
“Kërkojmë largimin për një hetim të paqësueshëm. Nuk mund të jetojmë me frikën e fëmijëve në shkolla se krimi mund t’i shkatërrojë. Nuk mund të mbajnë në shpinë peshën e lartë të krimit. Mijëra të rinj kanë ardhur sot këtu për të kërkuar dorëheqjen e Metës. Kërkojnë largimin e kryetarit të Kuvendit, për të lënë të lirë prokurorinë të hetojë, të largohet kryetari që akuzohet për vrasjen e mikut të ngushtë të kryeministrit deri dje. Krimi ka kapur majën e piramidës shtetërore”.
Halimi akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, se pret vrasës dhe trafikantë në zyrat e tij, dhe kryeministrin që fsheh krimin dhe nuk përballet me opozitën dhe qytetarët.
Berisha: Një ministër bën telefonata me kriminelë
Deputeti i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot para Kuvendit se, Mark Frroku është lidhja kryesore e ngjarjes së fundit që ka lidhje me kreun e Kuvendit Ilir Meta.
"Mark Frroku është fytyra më e shëmtuar e këtyre lidhjeve. Frroku është fytyra e këtij parlamenti, e kësaj qeverisje. Bosi i tij është Ilir Meta dhe duhet t’i bëj apel edhe një herë kurajës e guximit të qytetarëve, të vendosim për një revolucion demokratik paqësor si rruga e së ardhmes. Asgjë tjetër nuk do të shkulë krimin që ka pushtuar Parlamentin”, tha Berisha.
Deputeti demokrat akuzoi një ministër të kabinetit qeveritar se kryen "200 telefonata me kriminelë të damkosur në vend", por nuk pranoi të thoshte se kush ministër është ai.
“Në momentin e duhur do ta themi, është bisedë konfidenciale dhe është e vërtetë. Problemi kryesor është se kreu i Parlamentit nuk bën detyrën më minimale, të paraqitet si një deputet i thjeshtë para prokurorit. Unë kam kërkuar që ditën e parë që meta të shkojë i barabartë si deputetët e tjerë, para prokurorisë. Por Meta është i tmerruar nga krimi”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për videon e Dritan Priftit, dhe reagimin e tij si kryeministër pas vënies në dijeni të kësaj videoje.
“Më ka ardhur Dritan Prifti me video në zyrë, reagimi im ishte ik çoje urgjent në Prokurori. Unë nuk e bllokoj kurrë hetimin. Kurse këta e mbajtën 6 muaj, sepse shpresoi se do të mund të eliminonte Tom Doshin dhe të fajësonte Sali Berishën për mënyrën më monstruoze, dhe të eleminonte dëshmitarët kyçë, por dështoi me këto”.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e ambasadorit Donald Lu, i cili tha se nuk do të ketë hetim ndërkombëtar për çështjen “Doshi”, Berisha tha:
“Do të kërkojmë patjetër një hetim ndërkombëtar, ai hetim nuk mund të zgjidhet ndryshe. Ambasadori flet për qeverinë e tij, por është në praktikën e tyre, në vendin e tij, vendi që ka institucionet më të konsoliduar, që në 200 vite ka një kushtetutë monument, me një ndarje pushtetesh të konsoliduar. Kur vjen puna me këtë vend nuk e bën këtë gjë me Prokurorin e Përgjithshëm, pasi se ky proces nuk është i besueshëm”./lajmpress/
No comments: