Style3[OneLeft]

Style3[OneRight]

Style4

Style5

Skandal: Stacioni policor në Autokomandë terrorizon shqiptarin që nuk dinte të shkruaj në kirilicë


Dje ka ndodhur një skandal i vërtetë në Stacionin Policor në Autokomandë në Shkup. Nga ana e policisë është terrorizuar një shqiptarë për shkak se nuk dinte të shkruaj në kirilic, shkruan Almakos.

Bëhet fjalë për Xhelil Islamin nga Shkupi.

” Me erdhi një mysafirë prej Belgjike në ora 23 të natës dhe ashtu si është rregulli bashkë me mysafirin shkova për ta lajmëruar në polici. Sipas adresës, unë duhet të paraqitem te Stacioni Policor në Autokomandë. E kërkova një karton për ta mbushur dhe fillova të shkruaj me germa latinicë. Bëra një gabim dhe polices i kërkova një karton tjetër. Në momentin kur policja e pa se kam shkruar në latinicë, ajo u terrorizua dhe më ofendoi: budalla, si nuk di të shkruash në kirilicë, duhesh të shkruash në kirilicë”,  deklaroi për Almakos,  Xhelil Islami nga Shkupi.

“I thash se nuk di të shkruaj në kirilicë, se me ditë me shkruar në kirilicë unë do të isha në vend të saj” , vazhdon rrëfimin Islami.

“ Ose unë ose ju jeni budalla kur shikohet se në karton shkruan se ky karton mund të mbushet edhe në gjuhën gjermane, frenge dhe angleze”, vazhdon rrëfimin Islami.

Pas atij momenti, policja e akuzon shqiptarin se e ka ofenduar në vendin e punës, ka përgatitur një padi dhe policin i cili zakonisht qëndron te dera me kallashnikov e ka ftuar që të bëhet dëshmitar i saj në lidhje me padinë. Për të shtuar frikën te këto dy shqiptarë janë ofruar edhe dy policë tjerë me kallashnikov.

Edhe pse Xhelil Islami ka kërkuar komanduesin e atij reparti, zëvendësuesin dhe inspektorin, nuk ka ia kanë mundësuar të arrijnë tek to. Ai ka kërkuar të dhënat e polices që edhe ai të përgatit një padi penale, porse as ato të dhëna nuk ka arritur t`i siguroje.

Islami nuk e ka nënshkruar dokumentin ku iu është përgatitur padia penale, porse është terrorizuar nga sjellja e polices ai dhe mysafiri i tij nga Belgjika.

Mysafiri nga Belgjika, i cili është edhe shtetas belg, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në shtetin belg ndaj këtij rasti.

Xhelil Islami në një bisedë të gjatë për Almakos, akuzon partitë shqiptare në pushtet në lidhje me zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Ai habitet se si është e mundur që gjuha shqipe të duket zyrtare dhe partitë shqiptare në pushtet të krenohen me këtë të arritur, ndërsa ai dhe shqiptarë të shumtë të terrorizohen se pse nuk dinë të shkruajnë në kirilicë një dokument të thjeshtë.

 

Hamdi Nuhiju/Almakos/

Osmani kundërshton Mexhitin për qëndrimet rreth Qeverisë e partisë


 Javën që shkoi, nënkryetari i partisë, Izet Mexhiti tha se BDI nuk e ka më të mirën e saj në Qeveri dhe se zëvendëskryeministri Grubi e ministri Osmani nuk mund ta përfaqësojnë elektoratin integrist të Shkupit. Madje shtoi se ministrat janë të pazëshëm dhe të padukshëm. Për këto mbrëmë në ClickPlus mori kundërpërgjigjet e bashkëpartiakut të tij, ministrit Bujar Osmani.

“Pa e komentuar, se nuk kam qëllim të komentoj qëndrime individuale, unë pikërisht mendoj të kundërtën. Unë mendoj që ekipi është një ndër më të koordinuarit, më efikas deri më tani në implementimin e programit”, u shpreh Osmani.

Mospajtimet brenda partisë mund të reflektojnë negativisht edhe në zgjedhjet lokale të tetorit, pati pohuar Mexhiti.

“Domosdo mosunifikimi, moskonsultimi i organeve pas kongresit që u mbajt para një vitit, domosdo që reflekton tek strukturat, tek elektorati dhe mund të na dëmtojë në zgjedhjet lokale”, tha Mexhiti.

Po as me këtë nuk pajtohet zëdhënësi i integristëve. Osmani mendon se BDI është më mirë se kurrë.

“Unë nuk dua të nënvlerësoj mendimin e zotëriut. BDI ka 100 mijë votues që mund të kenë mendime të ndryshme, mirëpo kujtoj se punën po e bëjmë me sinqeritetin më të madh, me nderin më të madh. Në BDI e kam thënë çdo herë, është një laramani aq e madhe gjatë mandatit, që është mirë, që është e shëndetshme, në moment kur fillon procesi zgjedhor, të gjithë bëhen një, kjo është e jashtëzakonshme, duhet të jeni brenda për ta ndjerë këtë energji”, tha Osmani.

Edhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, i cili pohon se ka vullnet edhe për një mandat të dytë, nuk mendon se mospajtimet brenda BDI-së do të reflektojnë në zgjedhjet lokale. Madje kjo mund të ndihmojë, shton ai.

“Unë mendoj se jo. Grupe ka jo vetëm tek ne por në çdo parti. Momentet duket që nuk janë të mira por ndonjëherë mund edhe të dalin me rezultat pozitiv për shkak se çdo revoltë që paraqitet sigurisht se na mundëson edhe si parti të konsolidohemi, t’i shohim gabimet, të korrigjohemi, aty ku kemi”, tha Ganiu.

Zëdhënësi i BDI-së, Osmani, mbrëmë duke folur rreth kritikave që vijnë pikërisht nga partia së cilës i takon, tha se asnjëherë tek ta nuk është ngulfatur zëri ndryshe dhe se çdo mendim duhet dëgjuar, por në fund vendimet merren me shumicë dhe nga kryetari. Pohoi gjithashtu se nuk ka plan për rikonstruim të qeverisë, se BDI ka pozicion të mirë brenda qeverisë dhe bashkëpunimi me LSDM-në është i mirë dhe efikas./TV21

Hetime të reja mbi origjinën e Covid-19


 Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të martën për nisjen e një faze të dytë hetimi mbi origjinën e COVID-19-s, e cila të jetë transparente e t’u mundësojë hetuesve ndërkombëtarë të kryejnë vlerësime të pavarura mbi këtë çështje të kontestuar. Kjo temë u diskutua gjatë takimit vjetor ministror të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shtetet e Bashkuara kërkuan që ekspertët ndërkombëtarë të lejohen të vlerësojnë burimin e koronavirusit në ditët e para të shpërthimit të sëmundjes në kuadër të fazës së dytë të hetimit mbi origjinën e virusit.

“Faza e dytë e studimit mbi origjinën e COVID duhet të fillojë me një metodologji më transparente, të bazuar në shkencë dhe që u jep ekspertëve ndërkombëtarë pavarësinë për të vlerësuar plotësisht burimin e virusit dhe ditët e para të shpërthimit të pandemisë”, tha Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Xavier Becerra, gjatë një video mesazhi në kuadër të takimit vjetor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sekretari Becerra nuk e përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë Kinën, vendin ku u identifikua rasti i parë me COVID-19 në qendrën e qytetit Wuhan në dhjetor 2019.

Sipas shtypit amerikan, agjencitë amerikane të zbulimit po vlerësojnë disa informacione se studiues në laboratorin e virologjisë në Kinë ishin sëmurë rëndë më 2019, një muaj para rastit të parë të identifikuar me COVID-19, ndonëse ende nuk ka prova që virusi të ketë dalë nga ndonjë nga ndonjë laborator.

Një ditë më parë zëdhënësi i Ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian mohoi njoftimet e shtypit se tre studiues të Institutit të Virologjisë në Wuhan ishin sëmurë në nëntor 2019 dhe se kishin kërkuar ndihmë mjekësore, duke hedhur dyshime për lidhje mes sëmundjes së tyre dhe origjinës së koronavirusit.

“Instituti i Virologjisë në Wuhan nuk është ekspozuar ndaj COVID-19 para 20 dhjetorit 2019 dhe të dhënat tregojnë për zero të infektuar mes stafit dhe studentëve. Prandaj, raporti që ju përmendët për tre njerëz që u sëmurën në institut është krejtësisht i pavërtetë”, tha ai gjatë një konference.

Në një raport të muajit mars të hartuar në bashkëpunim me shkencëtarë kinezë pas qëndrimit për katër javë të një ekipi të OBSH-së në Wuhan, thuhet se virusi ka shumë mundësi të jetë transmetuar nga lakuriqët tek njeriu përmes një kafshe tjetër, ndërsa një incident laboratorik u cilësua si një mundësi më e pamundur.

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tarik Jasareviç, tha dje se agjencia po rishikon rekomandimet teknike të raportit.

“Ekipet teknike do të përgatisin një propozim për studimet e ardhshme që do të duhet të kryehen, të cilin do t’ia paraqesin drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së për shqyrtim”, tha ai.

Nga fillimi i pandemisë sipas të dhënave të siguruara nga Universiteti Johns Hopkins në botë janë identifikuar 167,357,758 raste ndërsa 3,474,911 persona kanë humbur jetën.

Një vit nga kapja e BFI-së prej pushtetit politik


Heshtja makabre para situatave kaq dramatike që po luhen brenda dhe rreth Bashkësisë Fetare Islame, flet për një neglizhencë totale të faktorëve me relevancë para një vlere shumë të rëndësishme kombëtare. Dikush e hodhi grrepin dhe u kap peshku, as nuk po tërhiqet, as nuk po lëshohet! E peshku kalbet nga koka

Shkruan Afrim Tahiri

Po bëhen një vit që kur Bashkësia Fetare Islame u kap nga partitë politike të pushtetit aktual! Preteksti ishte: ta dëbojmë Sulejman Rexhepin, ish-reisul ulemanë e BFI-së, kundër të cilit zhvillova një opozitarizëm të parreshtur, që nga viti 2014!
Diku, në qershor të vitit 2014, duke qenë në pozitën e Sekretarit gjeneral të BFI-së, në Rijaset deponova një dorëheqje, pasi që zbulova se si, një hajdut i BFI-së, ne ëmrin tim personal dhe në emër të ish-reisit, po i vidhte myslimanët e ndryshëm. Dhashë dorëheqje me të gjitha arsyetimet brenda! Reisul Ulema i atëhershëm, H. Sulejman ef. Rexhepi, nuk e pranoi dorëheqjen time, ndërsa i pranoi të gjitha vërejtjet që i kisha numëruar si arsyetime në atë letër! E largoi hajnin dhe m’u lutë, me shokë të tjerë, që të rikthehem. Pranova, me kërkesë që t’i futemi një reforme të thellë në BFI, sepse, punët kishin vajtur aty ku nuk shkonte më: kishim nisur të humbim kontaktin me xhematet tona dhe se kishim nisur ta humbim besueshmërinë e tyre!
Derisa po e përpunoja strategjinë e reformave gjithëpërfshirëse, të tjerët, anëtarë Rijaseti, për ta shpëtuar veten nga prekja e reformave aq të domosdoshme, kishin vepruar te H. Sulejman ef. Rexhepin duke i premtuar lojalitet, unitet, përkrahje të parezervë, i kishin kërkuar degradimin tim. U degradova dhe, natyrisht, meqë më prekën në integritet, u tërhoqa fare nga të qenurit nëpunës i BFI-së dhe, u stopuan reformat e domosdoshme, ndërsa unë nisa opozitarizmin me miq e me shokë!

Pse BFI-ja u duhet partive politike në pushtet

Pesë vite më vonë, dolën në sipërfaqe të gjitha vërejtjet e mia, të gjitha frikërat e mia se në BFI kishte një unitet falso, se në BFI po përgatiteshin lojëra fatale për këtë Institucion, se BFI-ja do të shpëtonte vetëm kur shteti dhe pushteti do të dilnin nga BFI-ja! Pesë vite më vonë u zbardh në opinion edhe marrëveshja interne e H. Sulejman ef. Rexhepit me bashkëpunëtorët e tij të cilët i kishin premtuar lojalitet dhe unitet në çfarëdo situate.
Ja ku jemi! Unë me luftën time të pandalshme për ta shkapur BFI-në nga duart e pista të politikave partiake dhe, “militantët partiakë”, që si ushujza janë kapur aq shumë fort për kurrizin e BFI-së.
Në fakt, “militantët partiakë” vetëm sa po tallen me partinë shqiptare që u bë sebep për t’i instaluar në parti, ndonëse nuk janë të përshtatshëm për instalacion por për skrap të ndryshkët! Sepse, që të gjithë, pa përjashtim, dëshmuan se janë vegla të shërbimeve të ndryshme intelegjente të cilët kurrë nuk rreshtën së përpjekuri për ta futur në grushtin e tyre këtë Institucion. Po, pse? Çka u duhet? Paj, dikujt për t’ia shfrytëzuar asetet financiare të shumta që i ka ky Institucion, dikujt për t’ia shfrytëzuar asetet-objektet por edhe kuadrin në të mirë të “partisë mëmë”, dikujt i duhet që ta ngacmojë dhe eventualisht ta instalojë radikalizmin dhe terrorizmin “islamik” me qëllim, jo që shqiptarët të njollosen si radikalistë e terroristë (sepse kjo nuk pi ujë) por, të kenë alibi për ta luftuar këtë dukuri eventuale dhe për t’u dëshmuar si partnerë të mirë të forcave globale të rreshtuara e grupuara kundër të ashtuquajtërës “radikalizmit dhe terrorizmit islamik”, i cili, pa dyshim, në mesin e shqiptarëve kurrë nuk ka mundur të gjejë vend (me përjashtim te mercenarët)!

“Dora e zezë” që po gërryen themelet e BFI-së

Dikush, një “dorë e mistershme” i mblodhi brenda nate, madje dy ditë pas faljes së përbashkët të Bajramit, i trimëroi që të dalin e ta kumtojnë shkarkimin e H. Sulejman ef. Rexhepit nga posti i Reisul Ulemasë së BFI-së! Strategët kishin qenë po ata që, fiks një javë më parë, në një dokumentar kushtuar reisit të tyre, kishin folë fjalë nga më të mëdhatë.
Më 27 maj të vitit 2020, dolën para kamerave të shumta dhe, thanë se më nuk do të prihen nga Sulejman ef. Rexhepi, sepse ky paska shkelur Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së! Ç’paradoks! Antikushtetutarët më të përbetuar thirren në Kushtetutë?!
Natyrisht, gazetarët e shumtë, opinioni i gjërë kërkonte që të dijë më shumë se si u bë shkarkimi i H. Sulejman ef. Rexhepit, kurse, Shaqir Fetai, “më i dashmi” i Sulejman ef. Rexhepit, vazhdimisht thoshte se janë duke bërë analiza, se janë duke hulumtuar dhe, së shpejti do të dalin me arsyet e sakta për largimin e H. Sulejman ef. Rexhepit. Strategji tipike kjo e treshes Gruevski-Jankullovska-Mijallkov: burgos njerëz të pafajshëm se arsyetime do të shpikim plotë! Edhe sot e kësaj dite nuk u tha asnjë fjalë, nuk doli asnjë analizë, nuk doli asnjë fakt që do ta arsyetonte vendimin e këtyre puçistëve klasikë për ta larguar Sulejman ef. Rexhepin.
Pas kaq kohësh, askujt më nuk po i intereson se si u largua Sulejman Rexhepi! Tani kërkohet që të zbardhet “dora e mistershme” e cila i tuboi brenda nate “bashkëpunëtorët e Sulejman Rexhepit” për ta larguar të njëjtin nga posti i Reisit. Tani nuk ka më dilemë rreth asaj se, nëse ishin këta bashkëpunëtorë të vërtetë dhe të sinqertë të Sulejman Rexhepit apo paskan qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të kësaj “dore të zezë”!
Pse ndodhi kjo ndërhyrje politike e segmenteve të caktuara të pushtetit maqedonas?
Në prag ishin zgjedhjet e parakohëshme parlamentare dhe, meqë pushteti po rrinte në këmbë të krisura prej qelqi, ndërsa opozita shqiptare po forcohej shumë, edhe LSDM-ja por edhe BDI-ja ishin të interesuar që të siguronin terren ku nuk do të mund të futej opozita për të siguruar vota! Po pastronin terrenin prej personave influencues të cilët, në moment të fundit, mund ta kushtëzonin pushtetin e atëhershëm për një “Fitore të Pirros”! Dhe, e kishin fare të qartë se, duke e eliminuar “lojtarin e papërshtatshëm” dhe, duke e kapur BFI-në do ta siguronin edhe një mandat qeverisje sado që të jetë i brishtë ai pushtet!
Tani, bazuar në deklaratat e Shaqir Fetait, kukullës së pushtetit aktual, kemi një BFI që është brengë e Qeverisë së Kryeministrit Zaev, i cili, deri më tani pesë herë është detyruar të ndajë financa nga buxheti i shtetit për BFI-në e Shaqir Fetait. Gjithësesi, tash e tutje, do të nisin të kërkojnë edhe bashkësitë e tjera fetare si dhe grupet religjioze që të marrin hise nga po i njëjti “kek”! Dhe, ja një fillimlojë për t’i pushtuar të gjitha komunitetet fetare dhe, duke u dhënë injeksion financiare, t’i vënë në shërbim të pushtetit!
A nuk është ky një qëndrim antiamerikan të cilin e proklamonte ish-Reisul Ulema, H. Sulejman Rexhepi, bazuar në sugjerimet e mikut të tij ambasador amerikan, i cili jo një herë e ka porositur efendi Rexhepin që kurrë mos të pranojë të bëhet buxhetist i pushtetit, kurrë mos të pranojë asnjë cent nga buxheti i shtetit!

Puçi nuk është revolucion! Marionetat nuk bëjnë reforma

Në krejt botën, në të gjitha institucionet, në të gjitha orgnizatat, në të gjitha trupat dhe organizimet jofitimprurëse, ata që nuk pajtohen me të parin, japin dorëheqje, tërhiqen, e lënë lakuriq liderin e tyre! Vetëm në raste kur organizohen pushtime klasike nga bashkëpunëtorët e liderit, puç klasik, apo likuidime morale të liderit, kemi eliminim të tij dhe vazhdimësi të aktiviteteve punëdrejtuese prej ish-bashkëpunëtorëve të liderit. Dhe, këto skenare asnjëherë nuk realizohen pa një përkrahje logjistike prej “armiqve të liderit”! Kësisoj, në sy të botës, “lideri” gjithnjë përceptohet si viktimë e të pamoralshmëve, kurse bashkëpunëtorët e tij puçistë kundrohen si persona të prishur, të rrezikshëm, cuba, të cilët, tradhëtisë mundohen t’i japin nuanca të “revolucionit”! Revulucionet praptojnë pushtete e diktatura, me të gjitha “asetet” e tyre dhe jo vetëm liderin. Me liderin, shkojnë edhe shumë koka të tjera. Ato koka të pushtetit të rrënuar që ngelin me revolucionaristët, ata gjithnjë janë në pritje të momentit të tyre revolucionarist. Sepse, puna që nisë fëlliqtë, përfundon fëlliqtë!
Shkelës të Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së, në bazë të të cilit u shkarkua H. Sulejman ef. Rexhepi, nuk mund të jetë vetëm ky! Shkelja e atij Neni kërkon përkrahjen e organeve, kërkon besnikërinë e organeve, kërkon ndihmën e organeve, kërkon heshtjen e organeve në këto shkelje, kërkon miratimin e organeve në këto shkelje. Prandaj, nuk ka as analizë, nuk ka as hulumtim, nuk ka as goditje të faktit se Sulejman Rexhepi u largua në bazë të këtij Neni. Sepse, ky arsyetim pa dyshim që i tërheq pas vete të gjithë bashkëpunëtorët e Sulejman Rexhepit, të cilët, sot, presin radhë për të shkuar te ish-lideri i tyre për të kërkuar falje për tradhëtinë dhe për t’u rrëfyer për tërë strategjinë e shërbimeve sekrete që e luajtën.
Kurse pushteti aktual, “nëna” e kësaj loje të pandershme, rri i heshtur, i distancuar. Nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të BFI-së! Ndërsa e financon! I jep fshehurazi para! Kush financohet fshehurazi, ë? Kur nisë ky financim i një “organizate popullore”! Natyrisht, kur humbet besimi i popullit dhe kur shpëtimin e kërkon te pushteti, pavarësisht nëse është mik apo armik i kësaj ORGANIZATE!

Dy-tri fjalë për opozitën shqiptare

Fatkeqësisht, partitë shqiptare të spektrit opozitar, tërë këtë ngjarje makabre të zhvilluar brenda dhe rreth BFI-së, e kanë kundruar me një pasivitet total, me një heshtje sikur të bëhej fjalë për ndonjë institucion krejtësisht jashtë sferave të interesit kombëtar e fetar shqiptar.
Natyrisht, kanë bërë mirë që nuk kanë bërë përpjekje që të futen brenda dhe ta tollovisin punën edhe më shumë, kanë bërë mirë që nuk janë inkuadruar politikisht, sepse do t’i hapnin rrugë sektarizimit dhe radikalizmit të shoqërisë shqiptare, sepse, jo të gjithë brenda BFI-së janë BDI apo me BDI-në! Por ama, sensibilizimin e opinionit të brendshëm dhe faktorin ndërkombëtar kanë mundur ta bëjnë me atë se çfarë i ka ndodhur të vetmit Institucion fetar islam anëtarë të së cilës pjesa dërmuese janë shqiptarë.
Nuk guxojnë të rreshtin së reaguari kundër “dorës së zezë” që ka kapur për qafe këtë Institucion me qëllim të përuljes së saj para interesave që janë jashtë çdo sfere të interesit shqiptar e mysliman. Nuk guxojnë të rreshtin së reaguari, madje do të ishte mirë që të kërkojnë edhe formim të komisioneve parlamentare për ta hetuar përzierjen e shërbimit intelegjent maqedonas në degradimin e këtij Institucioni deri në “filiale” të shërbimeve të huaja intelegjente!
Këtij Institucioni i nevojitet gjak i freskët, i nevojitet tru aktiv që do të dijë ta drejtojë dhe të zhvillojë reforma të thella e gjithëpërfshirëse, konform rrjedhave bashkëkohore dhe kërkesave të pashmangshme që vijnë nga BE-ja si kusht për inkuadrimin e vendit në familjen e madhe evropiane.
Ta harrojnë të gjithë faktorët me relevancë në vend se, Maqedonia e Veriut, me një pajtesë me Bullgarinë dhe me një Institucion fetar të kapuar nga politikat partiake, mund të synojë inkuadrimin në BE! Në BE ka me qindra bashkësi fetare të cilat as që guxojnë të ëndërrojnë të merren me politikë por dhe, as që guxojnë të jenë dyerhapura për politikën, e aq më pak për shërbime të huaja intelegjente!
Të gjithë ata që BFI-në e shndërruan në filiale të LSDM-BDI sa më parë duhet të ikin me qëllim që ky Institucion të shkapet nga politikat partiake. Dhe këta militantë partiakë dihen me emër e mbiemër. Fëlliqtë ia kanë nisur lojës, flliqtë do të dalin nga loja!
Kthimi i BFI-së te populli mysliman i vendit është i domosdoshëm!

Ja si i ha fitrat Shaqir Fetai


Shaqir Fetai, pasi i mbledh ato pak fitra e zeqat, vendos që ta qeras një grup lojalistësh dhe t’i nxjerr në shëtitje, nëpër Kosovë. Por, natyrisht, jo t’i qerasë me paratë e veta, por me paratë e myslimanëve të cilët sapo kanë paguar fitrat dhe zeqatin në BFI.

Tri makina zyrtare, me karburantë që i mbulon arka e BFI-së, me nja shtatë—tetë mëditje, me dreka e darka, nga kjo arkë dhe, ja ku ikin paratë e fitrit!
Niset burri i botës me shtatë-tetë vetë nga BFI-ja, për ngushëllme te dikush që ka vdekur në Kosovë. I shkreti, ngeli duke marrur pjesë nëpër varrime e duke mbajtur fjalime. Me këtë gjest nuk mund të blehet simpatia, sepse, sakaq, të rrëmben shejtani dhe të shëtit ku të dëshirojë ai.
Pas kësaj, nis keqpërdorimi i pozitës! E merr delegacionin dhe nis t’i vizitojë bisneset e kushërirëve, të djalit të hallës nëpër Kosovë. Keqpërdorim flagrant i pozitës dhe i të mirave materiale të BFI-së. Në kushte normale, Shaqir Fetai do të duhej të jepte përgjegjësi, madje edhe me largim prej BFI-së. Askush nuk e pengon që pivatisht ta vizitojë çdo anëtarë të familjes së tij, por jo të shfrytëzojë pozitën dhe, nëpër familje të shëtitet nga pozita e “reisit”! Është turp, është joislamike, është shfrytëzim i djersës së myslimanëve të vendit! Shaqir Fetai duhet t’i shërbejë BFI-së e jo të shërbehet nga BFI-ja!
Një shpjegim Shaqir Fetait: Çuditërisht, aty ku duket ulur në ELIDA, kurrë nuk është ulur Ibrahim Rugova, lideri legjendar i shqiptarëve të botës, por, aty gjithnjë uleshin udbashët, sa për t’ia bërë me dije Rugëvës se gjithnjë është nën survejim! Ibrahim Rugova ulej në fund të tavolinës, në të majtë nga hyrja, nga ana e xhamave, me qëllim që udbashët ta kishin më lehtë nën vëzhgim!

ASH-AAA: Qeveria të jep llogari për autostradën Kërçovë-Ohër


“Autostrada Kërçovë-Ohër, në vend të lëvdatave Qeveria duhet të japë llogari”, kështu ka reaguar koalicioni opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ndaj vizitës së krerëve institucional, të realizuar në këtë aks rrugor.

Kanë vlerësuar se, kjo autostradë edhe edhe “një dëshmi se Qeveria aktuale e në veçanti partneri shqiptar në koalicion, Bashkimi Demokratik për Integrim, tanimë përveç përgjegjësisë, nuk kanë as turp”.

“Ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoja Bovarski dhe Drejtori i NP për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi, sot tentuan të mburren edhe me një dështim tjetër që filloi me Qeverinë e kaluar VMRO-BDI dhe po vazhdon me Qeverinë aktuale LSDM-BDI. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, vlerëson se në vend të promovimit, partitë në Qeveri sot duhet të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për të gjitha dështimet në autostradën Kërçovë-Ohër.

Kjo autostradë me gjatësi prej 57 kilometrash, me vlerë prej 598 milion euro, filloi në vitin 2014 dhe sot pas 7 viteve është arritur vetëm 62% përparim në realizimin e punimeve. Në Qershor përfundon afati plotësues, ndërsa Qeveria paralajmëron edhe një propozim për aneks marrëveshje për vazhdimin e afatit, për një kohë që tanimë askush nuk është në gjendje ta planifikojë me saktësi. Deri më tani nga 70 projekte infrastrukturore për ndryshimin e trasesë, janë miratuar vetëm 20 dhe Grubi bashkë me ministrat e tjerë vazhdon të gënjejë qytetarët dhe këtë ta prezantojë si sukses.

Pyesim publikisht kryeministrin Zoran Zaev: ku mbeti drejtësia për, citojmë “kriminalitetin dhe korrupsionin” në këtë projekt, që e denonconte përmes bisedave të përgjuara. A do të përfundojë edhe ky rast me anmesti dhe partneritet me krimin, siç përfunduan të gjitha rastet e tjera deri më tani?”, thuhet në reagimin e ASH-AAA-së.

“Minjtë” që më tradhëtuan me detyrë për ta shkatërruar BFI-në


 Ekskluzive: Intervistë me H. Sulejman ef. Rexhepin, ish-Reisul Ulema i BFI-së

“Minjtë” që më tradhëtuan me detyrë për ta shkatërruar BFI-në

Më 27 maj të vitit 2020, një numër i anëtarëve të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, të tubuar diku në Gostivar, para pothuajse të gjitha mediave të vendit, deklamuan: “Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të shumicës së anëtarëve të Rijasetit të BFI-së të mbajtur më 27.05.2020, ne të nënshkruarit më poshtë në bazë të Nenit 36 dhe 58 të Kushtetutës së BFI-së, që e përbëjnë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, vendosëm njëzëri shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti Reisul Ulemasë, kryetar i BFI-së. Deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja, për ushtrues detyre kryetar i BFI-së është caktuar myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu”!
Redaksia jonë, në prag të njëvjetorit, ka kërkuar nga H. Sulejman ef. Rexhepi, që të mësojë më shumë rreth arsyeve dhe rrethanave që çuan deri te ky gjest tradhëtues e komplotist.

Këto ditë bëhet një vit nga, siç thoni ju, komploti i bashkpunëtorëve të juaj që e ushtruan mbi ju! U tubuan fshehurazi, madje brenda natës dhe, ju shpallën të rrezikshëm sepse ju keni shkelur Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së! Vetëm ky është mëkati? Bashkëpunëtori i ngushtë, miku i mirë, këshillon, sugjeron, korrigjon, apo, dorëhiqet nga bashkëpunimi i mëtejmë dhe, kurrë nuk tradhëton, nuk e shkelë bukën që ta ha, nuk bëhet palë me armikun tënd! Ç’ndodhi në të vërtetë. Kaluan një vit dhe thuaja se asgjë nuk u sqarua?

Tani, nga distanca dhe, kur keni kohë të lirë, kur jeni më të relaksuar, më pak i ngarkuar dhe me aspak përgjegjësira që i takojnë prijësit fetar, keni kohë të reflektoni dhe, të përpiqeni që në ato reflektime të jeni sa më objektiv! Po i analizoj dhe po i zbërthej një nga një “bashkëpunëtorët” e mi të dikurshëm, lojërat e tyre në raport me mua, po i lidhi gjërat, po i sjellë në kujtesë ngjarjet, veprimet, përpëlitjet “intelektuale” të tyre, po ua analizoj prejardhjen, shoqërinë, aspiratat, synimet, intrigat, gatishmërinë e tyre për të mëkatuar, mëkatimin e tyre me dëshirën më të madhe, lutjet e tyre për t’i nxjerrë nga situatat e palakmueshme, premtimet e tyre, përbetimet e tyre, kërkesat, insistimet, lajkat dhe servilosjet e tyre për të arritur deri te lidhja me strukturat e ndryshme policore, manipulimet e tyre në emër të islamit dhe, të gjitha këto veprime të turpshme para syve të mi – sakaq, dal unë i dobët, dal unë që duhet të kritikohem, dal unë i mashtruari, i pavëmendshmi! Isha mbështetur në bashkëpunëtorë të kotë, me karakter të dobët, kisha pasur përkrah turpërimin tim, njerëzit që më kishin përdorur si vello për ta veshur tradhëtinë e tyre, bashkpunimin e tyre me shërbimet intelegjente, planin e tyre për ta rrënuar të vetmin Institucion islam që mbi 600 vite u kishte bërë ballë pushtuesve e perandorëve të ndryshëm.

Dëshironi të thoni se, me largimin tuaj mori fund edhe ky Institucion, Bashkësia Fetare Islame?

Jo, ky Institucion gjithnjë ka qenë, është dhe do të jetë nën Mëshirën e të Madhit Zot! Nuk varet as nga shkathtësitë dhe aftësitë e të parit si dhe të nëpunësve të saj, as nga prirja për menaxhim të shkëlqyeshëm, as nga planet dhe strategjitë e shërbimeve të ndryshme antiislame për ta rrënuar përdhe këtë Institucion.
Myslimanët e vendit janë dëshmitarë të gjallë për faktin që, asnjë subjekt, asnjë faktor, asnjë institucion nuk pësoi aq shumë goditje, aq shumë përpjekje për destabilizim dhe rrënim, aq shumë projekte dështuese për të depërtuar në këtë Institucion struktura të padëshirueshme dhe të rrezikshme, pra, nuk ka asnjë Institucion në vend që u sulmua më shumë se Bashkësia Fetare Islame! Tre dekada post-komuniste i rezistuam me sukses, i demaskuam të gjitha përpjekjet e ulëta, i demaskuam dhe i zbrapsëm të gjitha strukturat që insistonin të vënin kontroll dhe dirigjim në Institucionin tonë! Goditjet ishin të njëpasnjëshme! BFI-ja u bë objekt studimi edhe nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë! Sa më shumë që na sulmonin aq më të fortë dilnim, aq më unikë dhe aq më të përkrahur nga faktori ndërkombëtar! Duhet ta pranojmë një fakt: shqetësuese është se, këto lojëra të strukturave të dyshimta antiislame gjithnjë u luajtën nga “myslimanët” e vendit dhe asnjëherë bartës të këtyre projekteve nuk dolën jo-myslimanët!
Tani, çfarë ndodhi! Tridhjetë vite isha lavdëruar me bashkëpunëtorët e mi, me lojalitetin e tyre, isha mburrur me papërkulshmërinë e tyre, me besnikërinë dhe sinqeritetin e tyre dhe, në fund, pikërisht prej tyre m’u ngul thika pas shpine! Sepse, paskam qenë i keqi, sepse, paskam qenë i mëkatshmi, sakaq, paskam shkelur Nenin 58 të Kushttutës së BFI-së… Po bashkëpunëtorët e mi të cilët, një javë më parë më kishin thurrur aq shumë elozhe në deklarata televizive sa nuk e dija se për kë po flasin, për mua apo për ndonjë figurë historike kombëtare e fetare? Po bashkëpunëtorët e mi të cilët, brenda natës i përgjigjen strukturave të caktuara policore për t’u tubuar dhe për të vepruar ashtu siç do të kërkojë përfaqësuesi i këtyre strukturave, Shaqir Fetai? Ky që më kishte shërbyer gati tre dekada rresht! Tani, të gjithë të dalin të mirë në sy të popullatës dhe vetëm unë të shpallem i keqi, madje prej atyreve që më kanë shërbyer “me besnikëri” dhe, në fund, ta gëzojnë përkrahjen e popullit? Unë kam vizita, kam takime, kam bisedime të përditshme me miq e myslimanë që nuk i njoh por që shprehin interesim për mua dhe, të gjithë më shohin si viktimë të një strategjie të dalur nga strukturat e DBK-së! Ndërsa ish-bashkëpunëtorët e mi, që të gjithë vlerësohen si bashkëpunëtorë të DBK-së, e cila, me një isharet të vogël arrinë që t’i mbledh në Gostivar, këta anëtarët e “Rijasetit”! Këta, që masovikisht dhe tmerrësisht urrehen nga popullata, nuk mund ta shpëtojnë BFI-në, porse, po e fundosin ditë e më shumë, sepse, popullata ka shkëputur kontaktin me ta dhe, kjo shkëputje interpretohet me refuzimin për t’ua mirëmbajtur burimet financiare! Bartësit e një aksioni puçist e komplotist, asnjëherë nuk janë duartrokitur dhe nuk janë pritur me lule. Ata përfundojnë aksionin dhe, me marrjen fund të misionit të tyre, “zhuken”! Dëshmitarët e misioneve të rrezikshme për imazhin e shhtetit nuk janë të dashurit e strukturave sekrete. Spostohen diku, margjinalizohen tërësisht, duke pasur probleme me zemrën, me tensionin, veshkat… Fundi, gjithësesi që, do të jetë tragjik!

Thatë se keni kontakte të shumta me…

Po po! Madje kontaktohem e më vizitojnë edhe ata që u manipuluan dhe morën pjesë në atë komplot që ma bënë! Më vjen vështirë ku i shoh se si përloten e se si mundohen të sigurojnë një falje timen për gabimin e tyre të pafalshëm që e bënë! Më rrëfejnë fije për pe se si ndodhi, kush i thirri, si i thirri, kush i organizoi, si u morën vesh etj.! Të gjithë kanë qenë të shantazhuar! U janë kërcënuar me “bomba”, me video, me dëshmitarë, kanë qenë të kërcënuar që, nëse nuk dëshirojnë të turpërohen publikisht, atëherë duhet të pranojnë që të më turpërojnë mua publikisht!
A ka gjë më të ulët se sa largimi im të justifikohet me faktin që unë paskam shkelur Nenin 58! Dëbohet një mysliman nga një Intitucion apo komunitet nëse e mohon Zotin, nëse publikisht e mohon Kuranin, nëse publikisht gënjen për Pejgamberin a.s., nëse publikisht rreshtohet në anën e “ushtrisë” antiislame! Por, që të dëbohet se paska shkelur këtë nen, ky është budallallëk i të humburve! Ky nen përmbanë pika që nuk mund të shkelen brenda një dite, brenda një nate, por që duhet kohë, vite e vite! Asnjëherë nuk kam pasur vërejtje nga bashkëpunëtorët e mi, asnjëherë nuk kam pasur isharete dhe as sugjerime për t’u korrigjuar në veprime. Përkundrazi, kam qenë i lavdëruar, i duartrokitur, më kanë puthur në ballë e me loçkë të zemrës i janë lutur Zotit që të më japë shëndet e t’ju prijë sa më gjatë! Tani, po të njëjtit, mblidhen brenda natës dhe “më shkarkojnë”! Shantazhi i strukturave intelegjente policore nuk e ka fuqinë e nënshtrimit sa e ka forcën pesha e fjalës së të parit fetar që i merr nën mbrojtje! Me mua, të gjithë ishin faqebardhë, ndërsa tani, fatkeqësisht, të gjithë janë shpërfytyruar në faqezinjë, në bashkëpunëtorë të policisë maqedonase, si të tillë, në antiislamistë e antimyslimanë. Prandaj, çfarëdo të flasin ata, çfarëdo të veprojnë, çfarëdo të premtojnë, janë fare të papërfillshëm nga popullata myslimane, ishin bashkëpunëtorë të mi e të nderuar dhe, sakaq, kaluan në bashkëpunëtorë të strukturave sekrete të sigurisë të cilat garojnë mes vete se cila do të pozicionohet sa më thellë ne BFI.

Keni akuzuar edhe partitë në pushtet, se kanë gisht në shkarkimin tuaj! Si e justifikoni këtë akuzë!

Unë isha mik i ngushtë i shumë personaliteteve të kierarkisë më të lartë të BDI-së. Në dobi të vendit tonë, kam kontribuar me miq e shokë që kanë pasur respekt në mua! Ndërsa kurrë nuk e mora as një përqind të përkrahjes që e pata nga Partia për Prosperiet Demokratik e cila sot nuk ekziston! Kurrë nuk u refuzuam në kërkesat tona nga kjo Parti! Kurrë kjo Parti nuk hezitoi në realizimin e kërkesave tona dhe të premtimeve të saj si subjekt politik, ndonëse kurrë nuk na e pa hajrin si Institucion siç na e pa hajrin BDI-ja. Tronditjet e BFI-së, ato më të rëndat, i përjetuam pikërisht sa ishte BDI-ja në pushtet me LSDM-në, pastaj me VMRO-në dhe përsëri me LSDM, ndërsa përkrahjen tonë e pati gjithnjë të parezervë.
Goditja e fundit, ajo që më tronditi në shpirt e mendje, ishte pikërisht ardhja e “miqve” të mi nga kryesia e kësaj Partie, të cilët m’i përcollën të falurat e liderit të tyre që, mos të bëja problem, por të rrija urtë sepse zgjedhjet po afroheshin dhe, brenda javës, do të zgjidhej ky problem ndërsa puçistët do ta pësonin shumë keq! Biles, më porositën që të ofroj dorëheqje!

Dorëheqja e juaj pasoi pasi këtë ua kërkoi BDI-ja dhe jo Rijaseti?

BDI-ja ka juristë! Dinë ta lexojnë dhe ta interpretojnë edhe Kushtetutën e BFI-së! Pa dyshim që e kanë ditur se edhe unë jam njohës i mirë i problematikave nga lëmi i jurisprudencës! Pas kërkesës nga ana e BDI-së për ta deponuar dorëheqjen time, u gjenda para një dileme të madhe: të ngelem në krye të BFI-së e t’ua nxij jetën bashkëpunëtorëve të mi, apo, të tërhiqem dhe të vetënxihen bashkëpunëtorët e mi. Me më pak kosto shpirtërore më doli kjo e dyta!
Kushtetuta e BFI-së për seli të Institucionit e njeh Shkupin dhe jo Gostivarin? Kushtetuta e BFI-së nuk e obligon Reisul Ulemanë që t’i pranojë ad-hoc vendimet e organeve të BFI-së, mund t’i refuzoj dhe fare mos t’i dekretojë! Kushtetuta e BFI-së parasheh shkarkim të gjithsecilit që rrebelohet apo që vepron në kundërshtim me aktet normative të BFI-së. Thjesht, unë do të mund t’i shkarkoja që të gjithë ata “myftinjë” që e inicuan shkarkimin tim të paligjshëm, porse, do ta vuaja shumë pastaj këtë gjë! Nuk do ta kisha lehtë që ta përpija faktin që kohë të gjatë për bashkëpunëtorë paskam pasur bashkëpunëtorët e shërbimeve që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën BFI-së. Do të më kishte humbur një dozë e madhe e sinqeritetit tim, sepse, kam qenë shumë i sinqertë, dashamirës dhe jam mburrur para myslimanëve të vendit me bashkëpunëtorët e mi, të cilët i kam lavdëruar me fjalë nga më të mëdhatë. Kur i pari të lavdëron me fjalë të mëdha, do me thënë se të inkurajon, të jep zemër, të jep shtytje për suksese edhe më të mëdha, por kur, i vogli, i papërfillshmi, e lavdëron të madhin, në këtë gjest mund të ketë lajka, servilizëm, ka shpresa për manipulim për të arritur synime të pameritueshme. Unë edhe i kam lavdëruar edhe u kam dhënë, sepse, kam dëshiruar që bashkëpunëtorët e mi të jenë burra të fjalës e të suksesit, ndërsa këta më dolën të gjithë minjë të gjirizit.
Do ta kisha shumë të rëndë që tani, t’i largoj këta “minj” dhe të gjej bashkëpunëtorë të rinjë të cilët ndonëse do ta meritonin, megjithatë, nuk do të mund t’i lavdëroja para popullatës siç i lavdërova të parët! Nëse vazhdoja, do të më duhej që bashkëpunëtorët e mi, të lavdëruar deri dje, të nis e t’i demistifikoj, madje edhe duke i paditur nëpër gjyqe, sepse, shumica prej tyre e dinë fare mirë se, nga një kontroll të përciptë e rutinor, i zura që kishin bërë dëme të mëdha financiare nëpër organet që i drejtonin, kishin vjedhur, keqpërdorur e shpërdoruar detyrën dhe postin!

Pse mendoni se në largimin tuaj nga BFI-ja ka gisht pushteti?

Sepse, ata ma kërkuan dorëheqjen dhe më thanë që mos të reagoj se do ta zgjidhin problemin vetë ata, fill pas zgjedhjeve parlamentare! Pastaj e instaluan njeriun e tyre, Shaqir Fetain, duke qenë të bindur se ai është personi i duhur që duhet të manipulohet në dëm të interesave të BFI-së! Në ç’moment mund ta kujtojë populli një të mirë të BDI-së që ia bëri BFI-së?! Partia për Prosperitet Demokratik ka ndihmuar shumë, kurrë nuk e ka kushtëzuar ndihmën politike që ia ka kryer BFI-së! Ajo strukturë e ndihmuan BFI-në pa kurrfarë hile! Në kohën e BDI-së, u bënë disa sulme kundër BFI-së, u zbuluan disa njerëz që punonin kundër interesit të BFI-së. Së fundmi kemi pasur marrëvshje konkrete me Zaevin dhe Ali Ahmetin, madje edhe i kemi tokur duart se, do të burgosen të gjithë ata që janë përpjekur ta dëmtojnë BFI-në, si individë të manipuluar ashtu edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Në vend se të bëhet kjo, më larguan mua! Tani më thonë se paskam qenë rrezik shumë i madh për shtetin dhe për pushtetin, se paskam folur shumë. Ç’është e vërteta, unë u kam folur bashkëpunëtorëve të mi për ta ndihmuar BDI-në, duke i ndriçuar të gjitha rastet e montuara politike! U kam folur edhe njerëzve të Partisë, u kam thënë se, rigjykimet do të përfundojnë në të mirë të të dëmtuarve, ndryshe, do ta ngris tërë popullin në këmbë! Nuk do të lejoj që në këtë shtet pushtetarë të paraqiten vetëm maqedonasit. Kam shprehur reagimet dhe shqetësimet e mia shumë serioze për vendimin e maqedonasëve për t’ju dhënë shtetësi shqiptarëve, kujt të duan ata! Do me thënë se, popullata maqedonase kujt do i jep shtetësi e kujt të dojë edhe ia merr dhe, marrja e shtetësisë do të thotë e drejtë për dëbim! Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, institucionalizimi i të drejtave shqiptare, shtetësia, me automatizëm u ka takuar të gjithë shqiptarëve të cilët pavarësimi i shtetit i ka gjetur në këtë shtet.
Ne, përmes projektit STOP RaTerr, kemi dëshmuar se nuk jemi për radikalizëm, nuk e ushtrojmë radikalizmin e aq më pak terrorizmin por, këto dukuri nuk do t’i durojmë as mbi kurrizin tonë, nuk do t’i tolerojmë, qofshin këto të ushtruara edhe nga institucionet shtetërore! Do të reagojmë ashpër! Prej Kumanove e deri në Strugë, prej Velesi, Shtipi e deri në Resnje, të gjithë do t’i ngrisja në këmbë! Do ta radikalizoja situatën deri në vetëdijësimin e të gjithë palëve se në Maqedoninë e Veriut të gjithë do të duhet të jenë të barabartë, ndaj të gjithëve drejtësia duhet të jetë e njëjtë dhe se, këtu nuk guxon të ketë qytetarë të rendit të parë apo të rendit të dytë, tretë, katërt…

Ju thoni që ju larguan si destabilizues potencial i shtetit?

Nuk na duhet një shtet që shndërrohet në laboratorium për ta testuar kombin shqiptar, për të eksperimentuar me shqiptarët, për t’ua dozuar të drejtat dhe liritë! Është naive të pretendohet inkuadrimi i Maqedonisë së Veriut në BE dhe pastaj të zgjidhen çështjet e hapura me shqiptarët autoktonë! Populli maqedonas dhe ai shqiptar në këtë shtet do të duhet të merren vesh, të kapen dorë për dore dhe, si dy faktorë stabiliteti ta fusin vendin në BE dhe, jo të jenë njëri në pozita të nikoqirit e tjetri të vasalit!

Sikur nuk keni qenë kaq “radikalistë” sa ishit në krye të BFI-së! Linit përshtypje se ju ishit në një vijë me vasalët!

Kurrë nuk më ka interesuar politika, nuk më kanë interesuar as partitë. Kam bashkëpunuar me ta vetëm deri sa kam arritur realizimin e ndonjë interesi të BFI-së. Fare në fund, po, nuk mund ta mohoj, kam qenë shumë thellë i kyçur në politikë, sepse, ishte momenti, kërkohej edhe kontributi im, kërkohej angazhimi im, si faktor relevant në vend. Kontributi im kërkohej edhe nga faktorë të brendshëm, por edhe nga faktorë të jashtëm, miqtë tanë ndërkombëtarë. Ndihmën nuk ua kam ofruar bllanko! Ua kam kushtëzuar, kam pasur edhe kërkesat e mia në emër të BFI-së: qëndrimi i strukturave të caktuara shtetërore sa më larg BFI-së, të drejtat dhe liritë e pjesëtarëve të islamit në vend, mosdiskriminimi fetar që na bëhej vazhdimisht, heqja dortë nga synimet ortodokse për ta ortodoksuar realitetit multifetar të vendit, nxjerrja para drejtësisë të të gjithë atyreve që me përkrahje dhe mbështetje të institucioneve të caktuara shtetërore ia mësynë destabilizimit të BFI-së etj. Natyrisht, të gjitha këto tratativa për marrëveshje serioze janë bërë në katër sy, janë bërë në mes faktorësh dhe udhëheqësisht me relevancë dhe, nuk kemi pranuar që të dalim në opinion dhe ta elektrizojmë masën, të flasim me patos e me doza të nacionalizmit. Prandaj nuk kam qenë “i zëshëm”, prandaj kam qenë në koordinim me partinë shqiptare, duke menduar se do të jemi në të njëjtën valë. Por, ja që dikush paska menduar se do të përfitoj personalisht unë dhe të tjerët do të ngelin nën hijen time, prandaj dhe ma luajtën lojën!

Kush ju ka frikësuar deri në atë pikë sa mos të guxoni të dilni në opinion dhe t’i zbardhni ju arsyet e kësaj loje që ua luajtën? Pse keni heshtur përgjatë tërë vitit! Çka ju frikëson që të flisni!

Mua të më frikësojë diçka? Nuk ka bërë vaki që në një moment të jem i frikësuar përgjatë tërë karrierës sim si hoxhë, si teolog! Pse kam heshtur? Ku të flas? Në cilën media? Ju e shihni që emri im, shkrimet e mia, reagimet e mia nuk i keni në asnjë portal, në asnjë media elektronike apo të shkruar! Ose janë shitur, ose janë të shtrënguar nga pushteti! Me përjashtim të një debati në TV21M, të një interviste në Lajm TV dhe të një opinioni në Tetova Sot, nuk kemi pasur asnjë debat, nuk është kërkuar asnjëherë mendimi im, kurse ndonëse është kërkuar mendim i Shaqir Fetait, ai asnjëherë nuk ka folur për këto probleme, sepse, nuk di se çka të flasë, sepse ka vepruar ashtu siç i kanë thënë, ashtu siç ia kanë ofruar skenarin! Ndërsa flasin e debatojnë pseudo-teologë, hoxhallarë pa diploma, të përjashtuar nga Medreseja jonë, me diploma të blera e false të siguruara nëpër shtete të ndryshme arabe, të dala nga programet speciale siç mund të përgatiten për të huaj, me njohuri të përcipta bazike! Këta tipa promovohen si vlera, si kontribues fetar e kombëtar. Këta tipa imponohen si reformatorë, ndonëse të gjithë janë me çertifikatë të shërbimeve intelegjente të huaja! Nuk guxojnë ta mohojnë këtë, as të më fshihen, sepse, ata e dinë që unë i njoh shumë mirë, i kam sprovuar, i kam testuar, i kam detyruar të më rrëfehen, kështu që, kjo më shqetëson, më ofendon, më ulë dinjitetin, pjesëmarrja e mediave tona në promovimin e pseudo-teologëve në “vlera kombëtare e fetare”! Vlerat dalin në shesh vetëm në ballafaqim, në debate, në kryqëzime të pikëpamjeve e të fakteve, e jo sipas strategjive të shërbimeve nëntokësore.

Cilin gabim të juajin e llogarisni si më fatal sa ishit Reisul Ulema i BFI-së. Cili veprim i pakryer ju ka ngelur si peng?

Po! Ka muaj që reflektoj mbi Medresenë që e kemi shndërruar në barrë të papërballueshme për myslimanët e vendit! Megalomania jonë, mosracionaliteti ynë, politikat e gabuara kadrovike, na kanë shndërruar në lypsarë por edhe në ngarkues të buxhetit gjithnjë të varfër të popullatës sonë! Medreseja është shkollë profesionale që nxjerr kuadro për nevoja të BFI-së, hoxhallarë për nevoja të xhemateve dhe xhamive tona! Kështu obligon Kushtetuta e BFI-së dhe Ligji mbi pozitën e bashkësive fetare në vend. Zgjërimi ynë ka bërë që t’ia rëndojmë buxhetin myslimanëve, sepse, burimi ynë financiar janë ata! Kemi prodhuar mbi 3-4000 hoxhallarë! Kujt i duhen të gjithë këta? Për më tepër, na ka ndodhur një katastrofë e tmerrshme, si ndëshkim nga Zoti, për politikat tona të gabuara kadrovike! Kemi shkolluar e ushqyer medresantë me paratë e popullit dhe, në fund, një numër i tyre na kanë përfunduar në DBK, në polici, në ushtri, në administratë, në diplomaci! Me paratë e popullatës sonë kemi nxjerrë kuadro për nevojat e shtetit! Edhe të eksploatuar edhe të pafalënderuar! Ne kemi prodhuar hiperkuadër dhe, na kanë ngelur rrugëve! Çka pritet prej tyre? Ata duhet të mbijetojnë, të krijojnë familje, ndërsa ne nuk jemi në gjendje që t’ju dalim në ndihmë. Ata ose do të radikalizohen, ose do të bëhen misionarë, ose mercenarë, ose do të përfundojnë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja.
Kjo më dhemb! Shikuar nga perspektiva e të një “pensionuari” që ka kohë të mendojë e të analizojë, ky është gabimi ynë më i madh. Ne kërkojmë fitra e zeqat për t’i sponsoruar problemet që do të na kushtojnë shumë shtrenjtë! Tani kemi kuadër të mjaftueshëm teologësh! Duhet të krijohet një strategji e hollë, bazuar mbi analizat e sakta, duke u shtrirë në çdo xhemat, e në çdo vendbanim tonin, për t’i detektuar nevojat për kuadër. Në bazë të kësaj pastaj të caktojmë numër nxënësisht që do t’i nxjerrim kuadro për nevojat e BFI-së! Ky hap do të duhej të ishte reforma e parë, urgjente dhe e domosdoshme që e pret BFI-në. Edhe para popullit tonë do të dilnim më të fisshëm. Nga ana tjetër, do të duhej të përforcoheshin mektebet! Të përgatitej një metodologji më e avancuar e mbajtjes së mësim-besimit islam. Madje ky aktivitet, në njëfarë forme, të ndjehet si detyrim fetar për çdo xhemat, sepse, asgjë e keqe nuk do t’i gjejë fëmijët nëse i mbajmë larg rrugës e larg celularëve duke i angazhuar në mësimin e bazës fetare islame.

Në fund, efendi Rexhepi, si personalitet me përvojë të gjatë në krye të BFI-së, si po ju duket reisi i ri në drejtimin e BFI-së?

Shaqir Fetai është “kuadër imagjinar”, i “brymosur si myfti” nga lavdërimt e mia, kurse, në realitet ai nuk ka kapacitet për ta nxjerrë macen nga përsheshi! Nuk dua të flas më shumë për të, por, le të më lejohet të sjell disa konstatime të bashkfshatarëve të tij, që vinë e më vizitojnë shpesh! Shprehin keqardhje për përpjekjet e tij prej naivi, shprehin indinjatë për tërë atë që ia punoi pas shpine BFI-së, ndjehen të turpëruar për atë që ma bëri mua, ndjehen të rrëqethur nga ajo që po ia bën BFI-së dhe persektivës së islamit në këtë nënqiell, ndjehen të zhgënjyer nga synimet karrieriste të tij përkundër faktit që e dinë se nuk shquhet për ndonjë karakter në familjen e gjërë dhe nuk shquhet për ndonjë respekt familjar! Të mos flasim për “bashkëpunëtorët” e tij të cilët ditë për ditë vijnë e më flasin për axhamillëqet, por edhe për djallëzitë e Shaqir Fetait. Bashkpunëtorët e tij e thonë vetë se ndjehen shumë rëndë! Kryekëput përjetuan një vit zhgënjimi! Lus Zotin që sa më shpjtë të ndërgjegjësohen!

⬆
Top