(Frymëzuar nga shkrimi me titull “ElFeth”, i të Nderuarit Reis Ul Ulama i BIMV-së, Haxhi-Zotni Sulejman Rexhepi)
Nga Shaqir ISLAMI
E lexova shkrimin e të nderuarit Reis Ul Ulama-së së Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut (BIMV), Haxhi-Zotëri SulejmanRexhepi – në gazetën e përditshme “Koha”, me titull “ElFeth”; më tingëlloi dhe më shashtrisi, sikur ta kishte shkruar një vrapçishtali !! Edhe atë, sikur ta kishte shkruar tezaku im Isak-mullalia ose ‘pobratimi’ im durmish-abi ‘alltënxhia’. Jam vrapçishtali. I ramë! Kafen e mëngjesit dhe çajin e pi n’çajtoren e mushiçkave ‘Kajro’; mu karshi xhamisë së katundit. ‘Pobratimi im’ Durmish-abija’ – ‘alltënxhi’ me zanat – më përshëndet me ‘selamunalejkum’, unë i përgjigjem me ‘mirëmëngjesi’ ose ‘tungjatëjeta’. Ai nuk e pranon përshëndetjen time !As unë, nuk ia pranoj të tijën. Durmish- abija arsyetohet se, përshëndetjet në gjuhën shqipe nuk janë të Allahut! Pa cekur fare, … se të kujt janë.
Në katundin tim, gjuha shqipe trajtohet si mish i thiut. Shqipja – për turçelitë e Vrapçishtës – është haram, … mu si mish i thiut. Ndërsa, shqiptari mysliman quhet “abdessëz” dhe “taretsëz”, pra, i pa abdes dhe i pa taret. Këtu mund të flisni rumanisht, bullgarisht, rusisht, serbisht, … ju shikojnë me empati, simpati dhe dashamirësi. Ju kanë ‘vëlla’, sikur të ishit apo të mos ishit myslimanë! Po përshëndete shqip, të shikojnë ‘si thiu sëpatën’. Kinse ua ke sharë nënë e motër! Dhe më keq, bile. Gjoja se … ua ke çi, atë soj e fis!!! Ndërsa,… të gjithë ne së bashku … jemi fis, farefis dhe akraba.
‘Pobratim i im, Durmish-abija, posa ulet në çajtore, hemen më pyet: “a be shaqo, çfarë ka të re, te ne ?”. Durmish-abija jeton këtu, e se ka haberinse çka ndodh,me dhe te ne!!! Por, e di çdo hollësirë, se çka ndodh në ‘anavatan’, dhe jo vetëm ai … por, i gjithë soji i tij. Ata ndjekin se, a bie shi në Dijarbakër,.. a bën mot me diell në Karadeniz, …ose si ka ndodh ndeshja e tre-katër autobusëve në Erzurum, dhe dihet se, si ka vajtur ndeshja e futbollit midis Gallatasaraj dhe Fenerbahçe! Dhe diçka – emërues i përbashkët i tyre është – urrejtja patologjike e çdo gjëje shqiptare. Pa marrë parasysh, a jeni tezakë, dajë e nip, fis e farefis, dhëndër ekunat, baxhanakë dhe balldëze, … ata të urrejnë, të përbuzin dhe të fyejnë duke ngrënë sheqerpare,… edhe atë, mu në sofrën tënde. Ata e dhjesin edhe sofrën, poqë se, është shqiptare… aq sojsëz që janë …
Turçelit e Vrapçishtit, me trup janë këtu, me shpirt dhe mendje janë në Stamboll e Dijarbakër. Dhe unë kam menduar se kjo dukuri është vetëm prodhim i Vrapçishtit, … nejse, edhe të nja dy-tre katundeve të prapambetura si Banjica, Zdunja, Koxhaxhiku, dhe të një grushti njerëzish nëpër qytete…! Zotëri, Reis Ul Ulama i Nderuar, është mirë të shkruhet dhe të lexohet, por, është mbare, haptazi të propagandohet. Sidomos, një autoritet si Ju. Po, ju ç’keni me to !!! Po, ç’ju desh se … Mos i keni ndonjë borxh Turqisë ??? Helbete, insan halli?
Emocionet janë njerëzore, simpatitë dhe empatitë, gjithashtu. Por, Ju ikishit derdhur emocionet sa Vardari. Sipas, shkrimit tuaj, ju merreshit tërë kohën me Turqinë ! Ju më ngjasuat si turçelitë e Vrapçishtit !!! Dhe,të gjithë atë dashuri, dashamirësi, simpati, empati dhe merakosjen që kishit boshatisur në shkrimin tuaj, për Turqinë dhepër Rexhep TaipErdoanin; unë që lexoj bile, kaq vite nuk kam lexuar nga Ju, ndonjë rresht të vetme për brengosje për hallet, telashet, vuajtjet e shqiptarëve fukara dhe mjeranë në vendin tonë. Mbase, ka aq brumë, për të shkruar … e për të shkruar!. Gjithë këto vite, Ju i Nderuari Reis dhe tajfa Juaj, nuk keni bëzajtur asnjëherë, për çfarëdo që tu ketë ndodhur shqiptarëve të RMV’së. Jemi vrarë e masakruar, plaçkitur e terrorizuar, shtypur e shkelur, … askush nga ju, nuk ka bëzajtur. Haram u qoftë të gjithëve! Natyrisht, bashkë me ne të tjerët. Zhgënjimi im është se, sa një thonj të asaj – që Ju qenkëshkeni brengosur e shqetësuar për hallet e Turqisë – kurrë, nuk keni shfaqur ndjenja të këtilla për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut! Këtë titull “Reis Ul Ulama i BIMV” që e mbani, e keni falë shqiptarëve ‘abdessëz’ dhe “taretsëz”; Ju jeni Reis i jonë dhe duhet të mbani përgjegjësi morale dhe shpirtërore ndaj nesh; Ju duhet të ndjellni interes dhe ‘të punoni ditë-e-natë’ (siç na mëson Naimi i Madh – helbete, nëse nuk e dini – ka qenë Stamboll’lli) për ta organizuar BIMV’në dhe për tu kujdesur për ‘kopenë’ tonë. Të na udhëhiqni në rrugë të mbarë, në rrugën e Zotit.
Ka, se kush mërzitet për Stambollin. Stambolli s’ia ka varrur kurrë veshin Kajmakamit të Jallovës, apo jo?
Me gjithë këtë dije, me gjithë këto shqetësime dhe brenga që i shfaqni dhe derdhni lot në shkrimin tuaj për Turqinë dhe Rexhep Taip Erdoanin, si është e mundur që ta huqni – kopenë tuaj – udhëheqës shpirtërorë i së cilës jeni zgjedhur me dekada. Sipas shkrimit tuaj, këtu te na rrjedh qumësht dhe mjaltë, prandaj, Ju ‘i jepni kosës’ që ta ndihmoni Turqinë duke galvanizuar një dozë të tepruar ‘kuri gajreti’, siç thoshte rahmetli Selman Shishkoja. Por, Zotëri Reis Ul Ulama i Nderuar, nuk kam hasur një shkrim tuaj për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut; në të cilin Ju shfaqni, bile një çik empati ose gjynah për hallet dhe dertet e qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë eV eriut, siç janë: diskriminimi gjuhësorë, diskriminimi në punësim, diskriminimi kulturorë, diskriminimi gjyqësor, diskriminimi në arsim, … me një fjalë, diskriminimi kushtetues i tyre!!
Allo Reis, fjala juaj ka peshë, ka fuqi dhe duhet të përdoret për të mirën e njerëzimit dhe jo vetëm të myslimanëve. Fjala juaj duhet ta pjellë barazinë mes njerëzve dhe jo ndarjen dhe urrejtjen.
Ju, Zotëri Reis Ul Ulama i Nderuar, keni shumë-shumë probleme të parregulluara edhe në institucionin tuaj dhe tonin, BIMV-në. Jeta e myslimanëve në Maqedoninë e Veriut nuk është fare i organizuar. Myslimanizmi i jonë duhet të jetë shembull, si një myslimanizëm me frymë Evropiane. Një model, shembull për gjithë lindjen. E jone të sjellim modele nga lindja! Për këtë tollovi të modeleve, unë Ju fajësoj Juve, Reis i Nderuar. Ndërsa, Ezani nuk është, dhe nuk duhet të jetë vetëm zhurmë. Ezani – besoj se, do pajtoheni me mendimin tim laik- është një ftesë melodike për t’u falur. Hazreti Pejgamberi, nuk e paskësh zgjedhur Hazreti Bilallin, pse na paskësh qenë i pashëm … por, pse paskësh pasur ngjyrën e bukur të zërit. Ndërsa, sot, ne e bëjmë të kundërtën; Ju merr malli të dëgjoni ezan të këndshëm për vesh.
Reis i Nderuar, është vakti fundit, të vihet një rregull edhe në zërin e lartë të autoparlantëve, sidomos, në vendet ku jetojnë qytetarë me besime ndryshme. Feja Islame do të thotë fe e paqes. Ndërsa, ne (“ndoshta nga besim i fortë”) e kemi shpërfytyruar në, fe të zhurmës. I Nderuari Reis, po ta them si shoqit, me e marrë vesh Hazreti Pejgamberi se sa e kemi shpërfytyruar myslimanizmin, Vallahi, … mjerë na! Ku ka më mbare për ne ? E kemi sjell punën e fesë sonë që ta rregullojë zonja Karakamisheva ? Reis i Nderuar, prano se, fajin e ke ti, bashkë me ne të tjerët. Prandaj Reis, bëhu burrë dhe ve një rregull në këtë hallakamë që jemi duke bërë, … sa nuk është vonë.
Lëre Turqinë rehat, le ta rregullojnë turqit shtetin e tyre. Ne ta rregullojmë shoqërinë tonë, me marrëveshje dhe me marrëdhënie të mira me fqinjët tanë edhe të feve të ndryshme. Atëherë, edhe dashuria për njerëzimin është më e sinqertë. Edhe dashuria dhe përkushtimi ndaj Zotit. Së pari, duhet ta duam dhe të kujdesemi që të mos ia thyejmë zemrën fqinjit, pastaj, të tjerëve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
No comments: