Çdo javë, shohim provokime të reja mes Donald Trump dhe Kim Jong-Un. Por çfarë do të thotë me të vërtetë?
Tensionet kanë çuar në shkëmbime gjithnjë e më të forta, stërvitje ushtarake dhe teste raketore – secila prej të cilave, ka shpënë në kërcënime më të mëdha nga të dy vendet.
Në javët e fundit, Trump ka bërë thirrje për “zjarr dhe tërbim ashtu si bota nuk ka parë ndonjëherë”, që do të lëshohen mbi Korenë e Veriut, si dhe ka urdhëruar stërvitjet ushtarake që kanë zemëruar koreano-veriorët. Nga ana e tyre, ata kanë pohuar se Trump i ka shpallur luftë vendit, dhe se tani kanë të drejtën të rrëzojnë aeroplanët ushtarakë amerikanë.
Por a është vërtet bota në prag të Luftës së Tretë Botërore? Ekspertët thonë që ndoshta jo, edhe pse vënë në dukje se është e kollajtë të shohësh se si mund të mbërrihet atje.
Një konsensus i përgjithshëm është se deklaratat e Presidentit amerikan janë vetëm një shpërthim retorike, edhe pse shumë përmendin faktin që shpërthimet e retorikave kanë një histori fatkeqe që shpien në luftë.
Përshkallëzimi i ri, është më i fundit në një shtim të vazhdueshëm tensionesh midis Penianit dhe Uashingtonit, dhe ai erdhi pas një raporti që pretendonte se Koreja e Veriut kishte zhvilluar armë bërthamore të cilat ishin aq të vogla, sa të mund të nxiheshin në një raketë dhe të fluturonin deri në territorin e SHBA, për të shpërthyer atje.
Pas kësaj erdhi ajo që eksperti i shquar i kontrollit të armëve, Jeffrey Leuis e ka përshkruar si një “karnavale luftënxitjeje”.
Deklarata “zjarri dhe furia” e Trumpit është e pashembullt në marrëdhëniet amerikane me Korenë e Veriut, dhe dukshëm e ngjashme me llojin e retorikës që del nga Peniani.
Koreja e Veriut e sfidoi bllofin e udhëheqësit amerikan brenda disa orëve nga deklarata e tij, duke njoftuar se po eksploronte mundësinë e sulmimit të Guamit, një territor i SHBA-së në Paqësor, ku ndër të tjera ndodhen bombardues strategjikë.
Duket se kjo deklaratë është formuluar në përgjigje të fluturimeve të dy bombarduesve B1-B të SHBA mbi Gadishullin Korean, të hënën, një përsëritje e një operacioni të ngjashëm të kryer në korrik – e si pasojë, jo si përgjigje ndaj paralajmërimit të Trumpit.
Rex Tillerson, shefi i politikës së jashtme të Presidentit, nxitoi për të qetësuar situatën dhe këshilloi publikun amerikan të mos merakosej.
Por, mesazhi i zbutjes duket se nuk ka ndikuar tek Donald Trumpi, i cili u zgjua dhe shkroi në Tuiter se arsenali bërthamor i SHBA ishte “më i fuqishëm se kurrë më parë” – megjithëse shtoi se ai shpresonte të mos e përdorte kurrë atë.
Megjithatë, zhvendosja e liderit amerikan drejt një lufte të hapur ndaj Koresë së Veriut ka krijuar frikë, rreth mundësisë së një konflikti të madh bërthamor botëror, pasojat e të cilit do të përfshinin pashmangshmërisht, shkatërrimin e pjesëve të mëdha të botës.
Po a është bota në prag të shkatërrimit nga një luftë bërthamore?
Ndoshta jo, sipas ekspertëve të kontaktuar nga “The Independent”. Komentet e Presidentit Trump shfaqin një ndryshim të rëndësishëm dhe kuptimplotë në retorikën që po shkëmbehet midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së – por ato duket se janë vetëm retorikë, për momentin.
“Gjëja e parë që unë do të thosha është se nuk jam i sigurt që komentet e Trumpit ndryshojnë llogaritë bazë në gadishullin Korean, në veri apo në jug”, thotë James Hannah, asistent-shef i programit për Azinë në Chatham House.
“Ajo që ndryshon dukshëm është faktori Trump, dhe ai në njëfarë mënyre ka simuluar qasjen luftëdashëse të Koresë së Veriut”.
Edhe zëri i Presidentit është vetëm një ndër shumë të tjerë – edhe pse është i Komandantit të Përgjithshëm – në Shtëpinë e Bardhë, dhe është shumë më agresiv.
Rex Tillerson tha se nuk kishte “rrezik të menjëhershëm” dhe se “amerikanët duhet të flejnë të qetë natën”, duke shpjeguar se Presidenti kishte adoptuar një ton të tillë konfrontues, sepse kjo është gjuha që Kim Jong-Un mund ta kuptojë.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
“Duke ndjekur Korenë e Veriut për një kohë të gjatë, jam duke u shqetësuar gjithnjë e më shumë,” thotë Aidan Foster-Carter, studiues në sociologji dhe i Koresë moderne në Universitetin e Leeds. “Jam i brengosur për retorikën që del jashtë kontrollit në të dyja anët. Kjo mund të çojë në llogari të gabuara”.
Profesor Foster-Carter thekson se ai nuk po sugjeron që komentet e Trumpit apo qasja e SHBA ishte diçka e ngjashme me atë të Koresë së Veriut, vetëm se kishte një shkallë më të lartë armiqësie publike midis dy palëve.
Koreja e Veriut e demonstron më mirë se çdo komb tjetër, se turfullima është e rëndësishme.
“Jam i shqetësuar për retorikën e pafre”, thotë Jeffrey Leuis, profesor në Qendrën James Martin për Studimet e Mospërhapjes bërthamore. “Sepse shqetësohem që aleatët e koreano-veriorëve nuk do të kuptojnë se është vetëm turfullimë. Por, thënë kjo, unë nuk besoj se është dëshmi që SHBA do të sulmojë koreano-veriorët. Në një mënyrë të çuditshme është qetësuese, sepse është e qartë që ai nuk di se çfarë të bëjë: nëse do të kishte ndonjë plan për t’i sulmuar, ai nuk do të fliste për planin e tij për t’i sulmuar”.
A mundet që konflikti të shpërthejë në një pikë në të ardhmen e afërt?
Ndoshta gjëja më e tmerrshme për situatën është se sa e pamundur është që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje; ka thjesht shumë elementë të ndryshëm, secili prej tyre i paparashikueshëm në vetvete, dhe që shpien në një situatë ku pothuajse çdo gjë mund të ndodhë.
“Nëse llogaritë nuk kanë ndryshuar, ajo që po na shfaqet është një nivel më i madh i paparashikueshmërisë dhe retorikës së tensionit”, thotë Hannah. “Gjë e cila ka një numër pasojash. Nëse SHBA është e paparashikueshme, përkrahësit e Trumpit mund ta shohin këtë si një pro – duke u radikalizuar dhe duke ushtruar presion mbi Korenë e Veriut dhe mundësisht mbi Kinën, duke e bërë të ndodhë kërcënimin. Por po kështu, kjo paparashikueshmëri nuk shkon mirë me aleatët amerikanë në rajon, si Japonia apo Korea e Jugut. Ai krijon një lloj dhome për jehonën, me retorikë të fryrë”.
Dhe me Presidentin Trump në pushtet, retorika ka tendencë të dominojë debatin – dhe shpesh bëhet vetë debati.
“Nëse forcon retorikën, atëherë unë mendoj se ka një shqetësim më të madh tek disa vende, që shanset e ndërhyrjes janë rritur”, shton z. Hannah.
E gjitha, pra, ka të bëjë me atë, nëse Koreja e Veriut mendon që deklaratat e zotit Trump në të vërtetë kanë ndonjë domethënie. Nëse është vetëm një turfullimë – një zakon që ata e njohin mirë – atëherë shumë pak ka ndryshuar; nëse ata mendojnë se qëndrimi retorik është diçka që i vë në rrezik, atëherë mund të lindë konflikti.
Si mund të shpërthejë një luftë?
Nëse do të ndodhte ndonjë konflikt, ka të ngjarë që lufta të shpërthejë aksidentalisht, jo e menduar. Komentet e zotit Trump mund të jenë të fuqishme si retorikë – por edhe më parë kanë ndodhur luftëra prej një retorike të ngjashme.
Vlen të përmendet se, sigurisht, shumica e njerëzve janë ende kundër idesë së luftërave bërthamore. Ky është një supozim mjaft i sigurt dhe do të thotë se, çfarëdo që të thuhet, askush nuk do të zgjedhë që të lëshojë bombën atomike në një vend tjetër, për fat të mirë.
Ndërhyrja tradicionale ushtarake, e llojit që qeveritë perëndimore kishin shpresuar kur hynë në Irak më 2003, po ashtu është ndoshta jashtë diskutimit.
Sapo Koreja e Veriut të ndjejë se po pushtohet, ka të ngjarë që të nisë sulme ndaj Koresë së Jugut; nëse kjo do të ndodhte, pyetjet e mëdha të aftësive bërthamore të Koresë së Veriut do të ishin më pak të rëndësishme, pasi Seuli mund të goditej edhe nga artileria e thjeshtë. Ideja për të vënë në rrezik ata njerëz, për një ndërhyrje është e pamundur.
“Edhe pse jam i shqetësuar në lidhje me Trumpin, unë mendoj se ai do të bindet që të mso ndjekë një kurs të tillë,” thotë Profesor Foster-Carter. “Kjo do të shkatërronte Korenë e Jugut, do të shkatërronte aleancën; do të ishte më e dëmshme, madje edhe më shumë se të gjitha konfliktet që jemi mësuar, për fat të keq, në vende si Iraku”.
Por nuk është kaq e thjeshtë.
“Është bërë më e komplikuar, deri në pikën që shqetësimet për llogaritje të gabuara janë më të larta, kështu që ndoshta ekziston rreziku”, thotë Hannah. “Në një situatë shumë të komplikuar, mendoj se ekziston frika e një gabimi të paparashikueshëm, ose një mesazhi që shkakton një lloj reagimi zinxhir nga një palë, apo tjetra”.
Ky është shqetësimi kryesor në lidhje me komentet e Presidentit Trump – se ato mund të lexohen si një sugjerim se do të ndodhë diçka e dëmshme, dhe se ata mund të përgjigjen në mënyrë parandaluese.
Dhe me një fryrje të tillë të retorikës agresive, çdo mundësi e një incidenti individual do të jetë shumë më e lartë.
Ndërprerja e negociatave dhe diplomacisë midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut gjithashtu do të thotë se çdo ngjarje e vogël mund të jetë e rëndësishme, pasi nuk ka asnjë mënyrë të kollajtë për secilin vend, që të adresojë apo qetësojë ndonjë problem.
Mes viteve 1994 dhe 2003, marrëveshjet diplomatike ngrinë zhvillimin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe e bënë më të lehtë për diplomacinë që të futej mes vendit dhe kundërshtarëve të tij, për çështje të tjera.
“Kjo do të thotë që kur ke një konflikt – kur ka një shkëmbim zjarri në linjën e demarkacionit detar, për shembull – ke një mënyrë për të zbutur tensionet”, thotë profesor Hazel Smith, autor i “Tregjet e Koresë së Veriut dhe Rregullat Ushtarake”. Sot, kjo nuk ekziston.
“Pra, nëse ndodh një incident relativisht i vogël në kufi, që është ende i debatuar, që është ende i mundur, ekziston mundësia që ai të përshkallëzohet. Kështu fillon lufta. Është e rrezikshme, situata që kemi sot, veçanërisht kur ke shumë shtete me interesa të ndryshme”.
Nëse do të ndodhte kjo luftë, SHBA-ja me gjasë do ta fitonte atë – kjo është shumë e qartë dhe është një faktor kyç në mendimin e ushtrisë amerikane. Por kjo pjesë e botës është e rrethuar nga shumë prej forcave më të mëdha të armatosura në botë, dhe çdo konflikt do të ishte “vërtet shumë, shumë i përgjakshëm”, thotë profesor Smith.
Pra, çfarë do të bëjë Donald Trump?
Është e mundur që komentet e Presidentit Trump të jenë pjesë e një master plani, sado e pagjasë që të tingëllojë.
Dhe fakti që ai po flet për Korenë e Veriut, është një shkëputje e rëndësishme nga angazhimi i administratës Obama në atë që quhet durim strategjik – por që në të vërtetë “ishte vështirë të dallohej nga neglizhimi”, thotë profesor Foster-Carter.
“Trumpit i duhet njohur merita që e merr Koreen e Veriut seriozisht, por e bën atë në mënyrë të jashtëzakonshme”, thotë ai.
Çdokush që preferon të mendojë për Trumpin si një gjeni strategjik, mund të shohë komentet e tij të fundit si dëshmi të një plani të qartë largpamës.
Ata që kërkojnë të shohin me dashamirësi, mund të sugjerojnë se po përpiqet të krahasojë komentet shpesh agresive të Koresë së Veriut me sulme të ngjashme nga ana e tij, ose se mungesa e maturisë nga ana e tij është rezultat i “teorisë së të çmendurit”, sipas të cilës, një person sillet kaq çuditshëm saqë turbullon kundërshtarët, duke fituar epërsi nga perceptimi që ai mund të bëjë diçka të çmendur.
Në disa mënyra, ai ka përparësinë që të ndihmojë të dy palët. Si Peniani, ashtu edhe Uashingtoni udhëhiqen nga njerëz që janë të interesuar për ta bërë tjetrin të duket i keq e i pandjeshëm, të dy duan të duken të fortë dhe të dy mund të përfitojnë nga krijimi i përshtypjes që, nëse nxiten, ata mund të shkaktojnë një katastrofë bërthamore.
Komentet e zotit Trump ishin pjesërisht të dukshme, sepse ai nuk dukej se kishte marrë orientim për to – dhe ndoshta as nuk kishte planifikuar t’i thoshte. Paparashikueshmëria e Trumpit pasqyrohet në të gjithë situatën.
Ndërhyrja e Rex Tillerson, i cili është ndër këshilltarët më të vlerësuar të Trumpit, tregon se Shtëpia e Bardhë ende po përpiqet të shmangë një përshkallëzim total.
Rreziku varet në masë të madhe nëse ato koka më të kthjellta mund ta bëjnë Trumpin të ruajë qetësinë. Deklarata e tij nuk është aq e rëndësishme për atë që tha, se sa për faktin që ai ishte në gjendje ta thoshte. Ajo paraqet një paqëndrueshmëri të re në një situatë mjaft të luhatshme, në formën e njeriut më të pushtetshëm në botë.
Kush janë aleatët e Koresë së Veriut?
Tradicionalisht, Koreja e Veriut ka marrë ndihmë nga vende si Rusia dhe Kina. Mund të jetë me të vërtetë Kina që së paku pjesërisht e motivon shpërthimin e fundit të presidentit Trump.
“Unë nuk mendoj se po shohim një mobilizim të SHBA për luftë bërthamore”, thotë Hannah.
“Por Trump ka investuar shumë në çështjen e Koresë së Veriut, si një çështje për të provuar veten. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme për qasjen e tij ndaj Kinës. Dhe Kina është një pjesë e rëndësishme e politikës së tij të jashtme, të paktën në retorikë”.
Çfarë do të thotë për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën?
Shumë pak, si në aspektin e rrezikut të menjëhershëm, ashtu edhe në efektet diplomatike. Vendet evropiane padyshim do të ndjekin me shumë interes zhvillimet e fundit, por ato janë aktorë relativisht të vegjël për çështje të tilla.
SHBA është e përfshirë sepse është bërë një armik i dobishëm për Korenë e Veriut, për të gjitha llojet e arsyeve, që kanë të bëjnë me luftën koreane dhe ngjarjet para, dhe prej asaj kohe.
Por vendet më të përfshira janë përgjithësisht ato rreth Koresë së Veriut, duke përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, si edhe Rusia e Kina.
Si mund ta ndalim?
Kjo mund të ishte ndalur në vitet 1990. Pastaj, ka pasur një oreks të Koresë së Veriut për një zgjidhje të negociuar, dhe një dëshirë të SHBA për të pranuar.
Një zgjidhje e tillë relativisht e drejtpërdrejtë nuk mund të jetë më e mundur për të rregulluar një problem si Koreja. Vendi beson, ndoshta me të drejtë, se programi i tij bërthamor i mban vendet e tjera larg idesë së ndryshimit të regjimit, që do të thotë që lidershipi i tij nuk ka gjasa të heqë dorë nga pazari i madh i marrëveshjes atomike.
Pra, çdo marrëveshje sigurie – që bën bashkë të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Japoninë, si dhe SHBA – do të duhet të garantojë që nuk do të ketë ndryshim të regjimit. Kjo do të ishte e papëlqyer për Shtetet e Bashkuara, pasi do të thoshte jo vetëm njohjen, por edhe angazhimin për të përjetësuar një regjim shtypës dhe vdekjeprurës. / MARRE ME SHKURTIME NGA THE INDEPENDENT DHE PERGATITUR NGA Bota.al
No comments: