SHKUP (AA) - Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministri i jashtëm Nikola Dimitrov dhe deputeti Muhamet Zekiri, në orët e pasdites u takuan me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i shoqëruar nga deputetët Husein Burge dhe Shaban Dishli, si dhe nga ambasadorja e Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim është shprehur angazhim i përbashkët për thellimin e marrëdhënieve tradicionale miqësore mes Maqedonisë dhe Turqisë.
Ministri Çavuşoğlu në emër të Kryeministrit të Turqisë, Binali Yildirim uroi kryeministrin Zaev për marrjen e detyrës të kryeministrit dhe paralajmëroi mbështetjen e plotë të Qeverisë. Gjithashtu, Çavuşoğlu shprehu besimin se qeveria e re reformatore do hap rrugën e Maqedonisë për BE dhe NATO, dhe shprehu mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
"Qeveria e Maqedonisë është e përkushtuar fuqishëm për reformat e rëndësishme për integrimin euro-atlantik të vendit, por këto gjithashtu do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, si dhe në cilësinë e jetesë të të gjithë qytetarëve", ka thënë kryeministri Zaev.
Ai theksoi se qeveria është duke punuar në krijimin e një mjedisi të favorshëm të biznesit për të mundësuar funksionimin e ndërmarrjeve vendase dhe investimet e huaja, me çka qeveria planifikon të krijojë kushte për vende të reja pune, paga më të larta, etj.
Në këtë drejtim, ministri Çavuşoğlu tha se ka interes në mesin e investitorëve turq për të investuar në Maqedoni, sidomos pas reformave të ndërmarra nga qeveria për stabilizimin politik dhe ekonomik.
Në takimin e kryeministrit Zaev dhe ministrit të jashtëm të Turqisë u shpreh interesim i përbashkët për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, investimeve, tregtisë, si dhe arsimit, kulturës, sportit dhe fusha të tjera të rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve.
Në takimi janë përshëndetur politikat e qeverisë për ndërtimin e Republikës së Maqedonisë si një shoqëri për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe politike, ku "Maqedonia bëhet shembull i bashkëjetesës në kontekstin rajonal, atij Evropian dhe më gjerë në botë."
No comments: