Kryetari aktual i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, po lë mandatin e tretë radhazi, pa realizuar premtimet që i bëri vite me radhë për projektet të cilat do të duhej ta përmirësonin infrastrukturën dhe pamjen urbane kësaj komune.
Projekti për Sheshin Skënderbeu, ishte njëri ndër projektet për të cilën u premtua, megjithatë përfundimi i tij është ende larg. Sheshi ishte paraparë që të ndërtohet në tri faza, me një kosto të përgjithshme prej afro 10 milionë eurove. Faza e parë kishte përfunduar qysh në mars të vitit 2013, me të cilën u bë rikonstruktimi i dyqaneve në afërsi të përmendores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në fazën e dytë parashihej mbulimi i rrugës para urës hyrëse në Çarshi, dhe faza e tretë parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësor. Mirëpo, që atëherë projekti ende është në fazën e dytë. Vonesa në fillimin e punimeve për fazën e dytë u shpjegua me nevojën për të marrë lejen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo pasi faza e dytë përfshin edhe ndërtimin e urës mbi bulevardin “Goce Dellçev”. Si rrjedhojë, Komuna dhe MPB kanë gjetur mënyra alternative për zhvillimin e trafikut gjatë kohës sa do të zhvillohen punimet, duke bërë kufizime në qarkullimin e trafikut. Por, kjo po shkakton kaos të vërtetë në trafik, i cili do të vazhdojë edhe me muaj të tërë.
Projekti për modernizimin e Bit Pazarit, është një tjetër projekt që ka mbetur vetëm premtim. E përderisa punimet e Sheshit Skënderbeu zvarriten me vite, projekti për tregun e Bit Pazarit ka mbetur akoma vetëm në letër. Prezantimi i këtij projekti nga ana e Mexhitit është bërë në vitin 2013, por asnjë iniciativë nuk është marrë për fillimin e të njëjtit. Mexhiti ka premtuar disa herë se do të fillojnë punimet për projektin megjithatë tregtarët vazhdojnë të ballafaqohen me kushte të mjerueshme dhe aspak të përshtatshme për punën e tyre.
Projekt për të cilin u premtua, ishte edhe zgjerimi i bulevardit Cvetan Dimov, megjithatë as këtë projekt Mexhiti nuk e realizoi me sukses. Ky bulevard vazhdon të jetë ndër më të ngarkuarit në qytet dhe ndër më kaotikët njëkohësisht.
Pas tre mandateve të tij si kryetar i Komunës Çair, banorët janë skajshmërisht të zhgënjyer nga puna e Mexhtiti. Ata shprehen se gjatë gjithë kësaj periudhe, ai nuk ka punuar aspak për të përmirësuar infrastrukturën e as për t’iu ndihmuar qytetarëve të kësaj komune.
Mexhiti para disa ditëve ka paralajmëruar se ai nuk do të kandidohet më për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale. Përveç projekteve të rëndësishme të lëna përgjysmë, dhjetëra rrugë dhe rrugica në Gazi Babë, Seravë dhe lagjet e tjera të Çairit mbeten në gjendje të mjerueshme, edhe pas 12 vitesh qeverisje të Mexhitit.
Teuta Buçi /SHENJA/
http://www.dailymotion.com/video/x5ho448_video-tre-mandate-te-mexhitit-projektet-e-rendesishme-per-cairin-te-parealizuara_news
No comments: