Sonte në emisionin “ Zig- Zag” në tv ART, mysafir i gazetarit Selajdin Xhezairi, ishte kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Për dallim prej emisioneve të tjera ku ka marrë pjesë, përveç shpërqëndrimit dhe hutimit të përhershëm që e karakterizon, z.Ahmeti sonte dukej tejet i frikësuar dhe denoncues. Z. Ahmeti ishte tepër konfuz me një qëllim të vetëm gjatë gjithë kohës sa zgjati emisioni.
Kreu i BDI-së, u mundua të rrëfehet “me zemër në dorë”, që me çdo kusht të amnistojë veten nga krimet që qeveria ku ai ka marrë pjesë, ka bërë në vazhdimësi ndaj shqiptarëve.
I dëshpëruar tej mase, i frikësuar njësoj si i dënuari që del para gjykatësit në pritje të shqiptimit të dënimit kapital, edhe Ahmeti sonte para shqiptarëve, klithte i nervozuar se po i bijnë kot në qafë dhe se ai nuk ka faj.
Përveç thirrjeve se nuk është fajtor as për vrasje, as për tradhëti e as për vjedhje, ne nuk dëgjuam në asnjë moment që z. Ahmeti të japë llogari apo qoftë edhe një spjegim të thjeshtë, se cili ka qenë roli i tij në qeveritë antishqiptare, pse ka vazhduar të jetë pjesë e një qeverie që vriste e burgoste shqiptarët, pse asnjëherë nuk e ngriti zërin jo vetëm për rastet e vrasjes e burgosjes së shqiptarëve, por as kur kjo qeveri çdo vit miratonte politika e buxhete që i varfëruan shqiptarët deri në ekstrem dhe i detyruan të braktisin vendlindjet e tyre.
Ku ishte z. Ahmeti të ngrinte zërin e të ulëriste me histeri, kur politikat e qeverisë së tij, shkatërruan e i lanë shqiptarët pa shkolla, spitale, ujsjellës, kanalizime, pa asnjë perspektivë. Ku ishte atëherë z. Ahmeti, përse asnjëherë nuk e ngriti zërin për asnjë prej të zezave që u bëheshin shqiptarëve. Nëse nuk kishte fuqi të ngrinte zërin, përse nuk e lëshoi qeverinë por ndejti deri në sekondën e fundit për të legjitimuar politikën antishqiptare. Përse nuk i urdhëroi deputetët e tij të mos ngrenë duart për të miratuar buxhetet milionëshe që ndërtojnë Shkupin 2014, por lënë Likovën e luftës , pa ujë. Përse asnjëherë nuk I dha urdhër ministrave të tij, që në qeveri të ndalojnë projektet antishqiptare. Ali Ahmeti doli sot në publik, vetëm me një qëllim të ideuar mirë, nga këshilltarët e tij mediatikë. Të thotë se nuk ka faj për asnjë faj që “I mvishet” nga shqiptarët. Madje edhe presidentin ilegjitim, gjeti alibi, e njohu vetem pse ambasadori i paska thënë, “hajde për hatrin tim shko e takoje”. Ani se me shkuarjen në oborrin e Ivanovit, nuk ia hodhi bombën presidentit të shtetit, por i vuri flakën të gjithë atyre aktivistëve dhe votuesve të BDI-së, që ulërisnin bashkë me të gjithë këto vite, se Ivanovi nuk ishte presidenti i tyre. Kur përfundoi me shfajsimin e vetes, Ahmeti bëri atë që bën gjithmonë. Filloi të denoncojë të tjerët, kësaj radhe filloi të denoncojë bashkëpunëtorët e tij të rinj.
Dëgjuam sot prej gojës së kryetarit të BDI-së, se Ziadin Sela është postjeri i tij që ka si detyrë të dërgojë selame mes BDI-së dhe Besës. Bilall Kasamin tha se e ka përpunuar 95%, por nuk tregoi se sa kohë do i duhet për këtë 5% e mbetur. Denoncoi edhe Marrëveshjen e shumëpërfolur, të ashtuquajturën “Deklaratë e përbashkët e partive shqiptare”, tha se ajo ishte ideja e tij, por se kryeministri i Shqipërisë e më pas edhe presidenti i Kosovës, i kanë shërbyer vetëm si organizatorë takimesh, vetëm që ta ndihmojnë ta fusi “përfundi” Besën, se Bilalli s’po e dëgjonte.
Dhe këtë e arriti siç u tregua më vonë. Sa për Aleancën, atë dihej që prej në fillim që e kishte fut përfundi me një të luajtur të syrit. Dhe fundi i emisionit ishte vërtetimi i asaj që dyshonim të gjithë. Në stilin “të sulmoj sa pa më sulmuar” Ahmeti e nxorri se ku e kishte hallin. Ai është në hall prej Rusisë. E tha edhe vetë.
Tani do më akuzojnë se po më mbron Rusia. Nuk ka hallin se akuzohet nga populli, populli e ka të qartë se kujt i shërben Ali Ahmeti. Por ndryshe është tani kur Rusia, shprehet zyrtarisht e shqetësuar për bashkëpunëtorët e saj në Maqedoni. Do të shihni shumë shpejt se edhe Serbia e shërbime të tjera, do të fillojnë të aktivizohen dhe kjo është frika më e madhe e Ahmetit. Gjërat filluan të zbulohen, maskat po bien.
Fare në fund emisionin z.Ahmeti e përfundoi me ofendimin, talljen dhe nënçmimin që iu bëri gazetarëve të cilët i quajti njerëz që s’kanë me çfarë të merren tjetër, përveçse me Ali Ahmetin. Me siguri e kishte për gazetarët opozitarë, sepse drejtuesit të emisionit ia tha qartë, me ty rregullohemi pastaj. Se si janë rregulluar askush nuk e di, por BDI është mësuar të ndajë zarfa të mbushura plot, për kryeredaktorë e drejtues emisionesh, që të flasin pro tyre. Shpresojmë ta kemi gabim e të mos e shohim së shpejti edhe drejtuesin e emisionit ‘Zig – Zag” me xhip dhe dy banesa, ashtu siç e pamë tashmë një ish gazetar që e shante apo lavdëronte Ahmetin, varësisht nga shuma që merrte nëpër zarfa./Ditari.mk/
No comments: