Procesi dëgjimor i të akuzave për aksionin policor në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, pritet të vazhdojë të mërkurën dhe të enjten me të burgosurit në burgun e Prilepit dhe Manastirit. Ky proces u bllokua në burgun e Shutkës, për shkak se të paraburgosurit e atjeshëm refuzuan të deklaroheshin, duke kërkuar më parë që prokuroria të prezantonte provat përse ata ngarkohen. Disa të tjerë madje kërkuan që fillimisht të konstatohej edhe gjendja e tyre shëndetësore e psikike, e më pas të deklarohen. Por kjo, sipas avokatëve mbrojtës, nuk nënkupton se ata mbrohen në heshtje por thjesht kërkojnë respektimin e të drejtave ligjore. Avokatët mbrojtës Naser Raufi dhe Artene Ademi Iseini presin që këtë gabim, prokuroria ta përmirësoje gjatë paraqitjes së saj të mërkurën dhe të enjten, duke dorëzuar më parë provat.
“Të mërkurën dhe të enjten do të vazhdojë rasti për këto që janë në burgjet e tjera të Prilepit dhe Manastirit, dhe mendoj që fillimi i muajit gusht do të realizohet kjo mundësi që të gjithë të japin deklaratë pasi t’ju realizohet e drejta e tyre që t’ju jepen provat që ti shohin para dhënies së deklaratës”, deklaroi Naser Raufi, avokat mbrojtës.
Procesi dëgjimor, sipas Raufit është momenti i fundit, dhe pret që aktakuza të jetë gati në vjeshtë. ALSAT mëson se të akuzuarit do të ngarkohen për veprat e terrorizmit dhe organizatës terroriste, por kjo nuk nënkupton se kjo akuzë, do të mbetet deri në fund. Saktësisht do të dihet vetëm në kohën kur aktakuza të bëhet e plotfuqishme, ndaj secilit prej të paraburgosurve.
“Nuk lejuam që prokuroria të tregoj se çfarë do të jetë akuza pa i pa provat, ne nuk lejuam edhe që të filloj seanca e hetimit të prokurorit por fillimisht kuptuam se do të akuzohen për paragrafin 394/a dhe 394/b për terrorizëm dhe për organizatë terroriste që nuk do të thotë se do të mbesin si paragraf se ju e dini se nuk ka aktakuzë. Aktakuza vijon më vonë”, u shpreh Naser Raufi, avokat mbrojtës.
Avokati mbrojtës Naser Raufi pohon se për rastin në fjalë ka asistencë ndërkombëtare, pa saktësuar në cilin segment. Deri tani, nga të akuzuarit që janë në burgun e Shutkës është deklaruar vetëm polici i punësuar në vendkalimin kufitar Tabanoc. Për rastin e Kumanovës ku humbën jetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, akuzohen 33 persona.
Gjyltene Rexhallari /alsat-m/
No comments: