Zoran Bozhinovski është gazetari kontrovers dhe i akuzuar për spiunim nga autoritetet e Maqedonisë, që po vazhdon me publikimin e dokumenteve dhe materialeve që kanë të bëjnë me ngjarjen e Kumanovës. Bozhinovski, një gazetar nga Kumanova gati më shumë se dy vite po jeton në Serbi, pasi që autoritetet e Shkupit e kanë akuzuar për spiunim dhe bashkëpunim me shërbime sekrete.
Ai është autori i publikimit të shumë materialeve kontroverse. Së fundi publikoi bisedat e përgjuara të ish-komandantëve të vrarë të UÇK-së, Beg Rizaj dhe Hamdi Ndrecaj, biseda tjera që ndërlidhen me ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, fotografi nga vrasja e një ish-komandanti të UÇK-së në Kumanovë, detaje për vrasjen e komandant Shqiponjës dhe shumë materiale të tjera, që atakojnë edhe Ministrinë e Brendshme dhe pushtetin e Nikola Gruevskit.
Por materialet që po publikon Bozhinovski nuk janë komentuar deri tani asnjëherë nga ana e autoriteteve zyrtare të sigurisë në Shkup dhe nga personat që janë thirrur më shumë në ato biseda të publikuara, përfshirë këto zyrtar partiak të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.
Bozhinovski sipas gjitha gjasave këto dosje me materiale të sigurisë së lartë i ka siguruar nga shërbime sekrete dhe sidomos kur dihet vendqëndrimi i tij në Serbi. Kohë më parë pikërisht shërbimi sekret serb paralajmëroi rastin e Kumanovës, duke përmendur edhe emrat e komandantëve të caktuar.
Bozhinovski nga një teknik në radiotelevizionin lokal të Kumanovës më pas themeloi një revistë javore “Bulevard”, të cilën e mbylli për një kohë të shkurtër. Ai gjatë kësaj periudhe hapi edhe disa biznese lokale, të cilat i dështuan bashkë me revistën. Një kohë të gjatë tentoi të përfshihej në gazeta ditore maqedonase, por bashkëpunimet ishin të ngushta. Bozhinovski vazhdimisht është thirrur në materiale të sigurisë dhe ato policore, për vepra të ndryshme dhe individë me dosje kriminale, të dalura nga sirtaret e organeve të shërbimeve sekrete.
Ai në një material tjetër të postuar dje ka folur se aksioni policor në Kumanovë:
“Aksioni i policisë në Kumanovë më 9 maj është udhëhequr nga shtabi i MPB-së nën drejtimin e Sasho Mijallkov dhe ku ka qenë edhe ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska. Ai përmend këtu edhe zyrtar tjerë të policisë, ndërsa në lidhje tërë kohën me Mijallkov kanë qenë Musa Xhaferri dhe Ali Ahmeti”. (INA)
No comments: