Një ditë pasi VMRO-DPMNE ka dalë me qëndrim se tani për tani nuk ka propozim zyrtar për universitet të ri në gjuhën shqipe, BDI sot ka dalë me qëndrim më të përmbajtur. Deri sa dje “integristët” lavdëroheshin se universiteti i ri është punë e kryer, sot thonë se tani për tani bëhet fjalë vetëm për një ide, shkruan “lajmpress.com”. Në komunikatën e sotme, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me idenë për hapjen e një universiteti të ri në Shkup thotë se një ide fisnike e kombëtare si hapja e një universitetit është më shumë se absurde të negativizohet mediatikisht në këto përmasa “e aq më tepër kur nisma është ende një ide”.
"Për ne dhe për qytetarët do të ishte e pritshme të iniciohet debat për cilëndo çështje, por të organizohet një fushatë e tërë kundër avancimit të arsimit të lartë dhe ndërtimit të institucioneve arsimore, është thjesht e pakuptueshme. Hapja e shkollave dhe universiteteve, dhe në këtë kuadër edhe ndërtimi i kampit universitar në kazermën Ilinden, është vazhdimësi e politikave të BDI-së dhe kjo është faktuar në të gjitha periudhat e qeverisjes sonë", thuhet në thuhet në kumtesën e BDI-së.
Ndaj, thuhet më tej, ky nihilizëm qëllimkeq, më shumë se për vete idenë e hapjes se universitetit, na flet për tendencën për të sulmuar BDI nga qarqe të cilave u pengon që shqiptarët të përfaqësohen nga një parti e fortë, me përcaktime të palëkundura kombëtare dhe ndërkombëtare.
"Por jo vetëm kaq, pasi edhe kthimi i Shkupit në një qendër universitare me tre universitete, përfshi dhe UEJL dhe USHT është therë në sy për shumë qarqe, grupe e subjekte të njohura dhe të panjohura për ne. Sidoqoftë, motivet e kësaj fushate sa negative, po aq edhe absurde, janë të njohura për BDI-në dhe opinioni do të njihet me to në periudhën në vijim", thuhet në reagimin e BDI-së./lajmpress/
No comments: