Deputetët e VMRO DPMNE-së do të bëjnë mbikëqyrjen e DSK-së pasi BDI-ja dhe deputetja Roza Topuzova-Karevska braktisën punën e Komisionit për mbikëqyrjen e këtyre institucioneve. Shkaku i vetëm i tërheqjes së BDI-së është që deputeti i tyre Zylfi Adili – anëtar i komisionit – nuk mori përgjigje ndaj kërkesën e tij për certifikatë sigurie. Adili e pret prej një viti certifikatën – që është jashtë kornizave dhe afateve të tjera ligjore. Kjo certifikatë është e nevojshme për të vizituar DSK-në dhe Agjencinë e Inteligjencës. Para se të braktisnin punën e komisionit, Adili dhe Rafiz Aliti kërkuan që Kuvendi të kërkojë përgjigje nga Drejtoria për Informatat e Klasifikuara. Ata shohin diskriminim në këtë rast ndaj votuesve të BDI-së, por kujtuan se në mënyrë të njëjtë është vepruar edhe ndaj deputetëve të opozitës maqedonase.
Pas BDI-së, punën e komisionit e braktisi edhe deputetja e pavarur Roza Topuzova-Karevska. Ajo shprehu fillimisht mbështetjen e propozimit të BDI-së, por në fund shprehu dyshime se bëhet fjalë për ndonjë lojë mes partnerëve të koalicionit që DSK-ja të mos mbikëqyret asnjëherë.
“Ju jeni partnerë koalicioni, këtë mund ta interpretojë si marrëveshje mes jush, që të vihet në situata me të vetmin qëllim, që DSK-ja të vazhdojë të funksionojë sikurse edhe deri më tani”, tha Roza Topuzova-Karevska, deputete e pavarur.
Pas largimit të Karevskës, në sallë mbetën vetëm deputetët e VMRO DPMNE-së dhe partnerët e tyre më të vegjël, pasi PDSH-ja nuk mori pjesë fare. Kështu, ata vetë vendosën që të vizitojnë DSK-në në një datë që do të përcaktohet në mënyrë shtesë.
“Vlerësoj se ky komision duhet të vazhdojë. Ta tejkalojmë veten, sepse kështu, vetëm pengesa mund t’i shkaktojmë shtetit dhe institucioneve”, u shpreh Sasho Vasilevski, VMRO DPMNE.
Në fund të debatit, vetëm Pavle Trajanov shprehu rezerva mbi këtë vendim. Ai tha se është e palogjikshme që një person i hetuar më herët për deputet, apo ndoshta ministër e kryeministër, e pastaj, Agjencia ta pengojë ose vonojë ta pajisë me certifikatë sigurie. Sipas Ligjit të informacionet e klasifikuara, personi që kërkon certifikatë sigurie mund të jetë lëndë kontrollesh e hetimesh që nuk guxojnë të zgjasin më shumë se gjashtë muaj. Vetëm në raste të veçanta, vlerësimi i sigurisë zgjat afro 1 vit. Seleksionimi dhe procedura e lëshimit të certifikatës së sigurisë për deputetët, u kritikua në të ashtuquajturin raport të Pribes të BE-së për Maqedonisë. Pikërisht certifikatat janë problemi kryesor që me vite, parlamenti të mos mund ta kontrollojë veprimtarinë e DSK-së. (Alsat-M/INA)
No comments: