Style3[OneLeft]

Style3[OneRight]

Style4

Style5

Në vazhdën e takimeve me faktorë të rëndësishëm të vendit që mund të kontribuojnë apo të ndikojnë në kthimin e pashmangshëm në kushtetushmërinë e BFI-së, Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetuashmërisë së BFI në RMV, ka realizuar një takim pune mjaft konstruktiv me H. Afrim ef. Tahirin, drejtuesin e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së, njërin nga përpiluesit e Kushtetutës së BFI-së.
Pa dyshim, KMK edhe me këtë rast ka kërkuar që të zbardhen, të evidentohen të gjitha shkeljet kushtetutare dhe të ofrohen propozime konkrete se si mund të dilet nga kjo krizë, nga këto skandale të pahishme antiislame, dhe të kthehemi në kushtetushmëri duke ia rikthyer edhe integritetin Institucionit të vetëm fetar islam në vend, Bashkësisë Fetare Islame në RMV.
H. Afrim ef. Tahiri i mëshoi idesë që, nuk ka tejkalim të situatës pa u rikthyer në hapat fillestare që u hodhën në shkelje të Kushtetutës dhe të akteve të tjera normative të BFI-së. Efendi Tahiri fillin e skandaleve e sheh që në momentin e shkarkimit të ish-reisul ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, respektivisht, në tërë procedurën e shkarkimit, në mënyrën e shkarkimit si dhe në vetë aktin e këtij shkarkimi, i cili u krye falë skenarit dhe mbështetjes policeske të partive në pushtet, duke e falcifikuar tërë një proces pa pasur frikë nga pasojat e mundshme ligjore! Fundja, siç nënvizon Tahiri këtë konstatim e bëri fakt të pamohueshëm dhe e publikoi edhe vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Është tërësisht imorale që strukturat që deri dje ia lëmonin shpinën Sulejman Rexhepit, që ishin në gjendje të vrasin e të vriten për Sulejman Rexhepin, që ishin në gjendje ta zvetënojnë personalitetin e vet duke i duartrokitur e duke u mburrur me Reisin e tyre, të cilin, disa ditë para shkarkimit, e kishin vlerësuar me epitete nga më të fuqishmet që i dedikohen një personaliteti të papërsëritshëm kombëtar e fetar, sakaq do ta shpallin si njeri të keq e të rrezikshëm për ta shkarkuar me nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së! Kush e konstatoi?”, pyet H. Afrim ef. Tahiri.
Me ndërhyrjen e faktorëve nga jasht BFI-së, është shkelur Preambulla e Kushtetutës së BFI-së si dhe Neni 1 që thotë se, BFI duhet të jet autonome dhe e pavarur në organizimin e jetës fetare.
Tahiri nënvizon se procedura e shkarkimit bazohet në akte antikushtetuese sepse: “sipas Kushtetutës kush ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Rijasetit? Kush ka të drejtë të udhëheqë me mbledhjet e Rijasetit? A është ngritur komisioni disiplinor, cili ka qenë mendimi i Prokurorit të BFI-së për gabimet e Reisit? Për këto as nuk është folur e as nuk është debatuar paraprakisht në organet e BFI-së. (Shih Nenin 8, Nenin 37 alinea 3 dhe 23 dhe Neni 44 alinea 5)
Sipas Nenit 35 të Kushtetutës së BFI-së: “...Rijaseti i BFI-së përbëhet prej Reis ul Ulemasë, Sekretarit të Përgjithshëm të BFI-së, muftinjve, drejtorëve dhe dekanëve të institucioneve arsimore, kryetarëve të shoqatave të Bashkësisë Fetare Islame dhe dy anëtarëve të caktuar nga ana e Reis ul Ulemasë, si e drejtë e tij diskrecionale, e me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së.”, në mbledhje të Rijasetit me të drejtë vote mund të marrin pjesë vetëm ata që përfshihen në këtë nen dhe jo edhe të tjerë. Duhet theksuar se në rastin konkret, kur mungon Reisul Ulema, me automatizëm nuk mund të jenë pjesë e mbledhjes as Sekretari i Përgjithshëm të cilin Rijaseti e zgjedh me propozim të Reisul Ulemasë (Neni 37 alinea 3), si dhe dy anëtarët e caktuar nga Reisul Ulema. Kurse në aktin e shkarkimit, prapa komplotistit Shaqir Fetai ishin radhitur edhe individë që kurrë nuk kanë qenë anëtarë të Rijasetit, kishte individë pa të drejtën e votës, as për zgjedhje e as për shkarkim. Veç kësaj pati edhe individë që në asnjë mënyrë nuk mund të trajtohen si anëtarë të Rijasetit por, thjesht, si “organe” të kontrabanduara si psh. “përfaqësuesi” i Myftinisë së Shkupit i cili në krye të Myftinisë ka ardhur në kundërshtimme nenin 30 të Kushtetutës dhe si i tillë, eshtë i kontestuar, pastaj Kryetari i Kuvendit të BFI-së, si dhe kryetar shoqatash jasht mandateve të parapara në statutet e shoqatave! Pastaj, antikushtetuese ishte edhe protokolimi dhe qëndrimi i “rijasetit” ndaj dorëheqjes së ish-reisul ulemasë! Neni 64 i Kushtetutës thotë: “Secili funksionar i BFI-së ka të drejt të jep dorëheqje, dhe për të njëjtën vendos Rijaseti i BFI-së”, fatkeqësisht, Rijaseti nuk doli me ndonjë vendim, thekson H. Afrim ef. Tahiri.
Efendi Tahiri tërë këtë lojë e konsideron si tallje flagrante me Institucionin e BFI-së! Dhe, këtë tallje, sipas efendi Tahirit, mund ta bëjnë njerëz të shitur e të pamoralshëm si dhe injorantë që nuk kanë fare lidhje dhe që nuk e njohin Kushtetutën e BFI-së, qoftë këta nga brenda apo edhe nga strukturat jashtë BFI-së! “Ndryshe”, pyet Afrim ef. Tahiri, “si ka mundësi që ta bëjnë gabimin fatal duke e “caktuar” ushtrues detyre kryetar i BFI-së, Shaqir Fetain, Myftiun e Gostivarit? Kushtetuta e BFI-së për postin e të parit njeh vetëm fjalën “zgjedhje”. Për pozita të tjera njeh edhe fjalët “emërim” dhe “punësim”, kurse fjalën “caktim” e njeh vetëm në një të drejtë ekskluzive të Reisul Ulemasë (Neni 35) ku flet për të drejtën e tij për të caktuar dy anëtarë të Rijasetit me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së! Në një situatë të jashtëzakonshme, në luftë, në kriza të thella shoqërore, mbase edhe grupe ilegalistësh mund të caktojnë prijës të tyre por, në kushte normale, në kushte kur veprimtaria e Institucionit mund të mbështetet në Kushtetutën e vet, të caktohet ushtruesi i detyrës, kjo pastaj është puç klasik! Veç kësaj, le të na thonë këta të “Rijasetit” të ri, le të na thotë ky farë “reisi” i kontestuar dhe i falsifikuar, në cilin nen të Kushtetutës, në të cilën “përbetohet”, mund ta gjejë fjalën “ushtrues detyre”?”, ngre shqetësimin intelektual H. Afrim Tahiri.
Ish-sekretari gjeneral i BFI-së, H. Afrim ef. Tahiri, nuk beson se shkeljet kushtetutare ishin vetëm si pasojë e injorancës, por, thjesht, ishin këshilla të porositura nga struktura të caktuara si të pushtetit ashtu edhe të “partisë myslimane” (BDI-së) në pushtet! Sipas tij, pa qenë i garantuar me paprekshmëri nga organet e drejtësisë, pa qenë i trimëruar nga segmenetet e caktuar të pushtetit, Shaqir Fetai nuk do të guxonte ta bëjë atë gaf i cili e kthen lakuriq te gafi i parë! Në gafin e parë, shkarkimin e bëri me njerëz inkopetentë, ndërsa në gafin e dytë, këta njerëz inkopetentë dhe pa të drejtë vote, i ngriti krye më vete, nga pozita e kordinatorit në myftinj të myftinive, vetëm e vetëm që vota e tyre të jetë e ligjshme në rast se do të votonin për të gjatë zgjedhjeve për reis! Kjo shkelje kaq flagrante dhe kaq e poshtër nuk mundet të bëhet pa një mbështetje të fuqishme të politikës dhe të partive në pushtet që e inicoi këtë lojë fatale për BFI-në, konstaton H. Afrim Tahiri. “Me këtë rast, Shaqir Fetai, i trimëruar nga politika partiake, shkeli tërë Rregulloren për zgjedhjet e myftive. Neni 31 i kësaj Kushtetute për zgjedhjen e myftiut e përcakton këtë procedurë: “Muftinia kandidon kandidatë të mundshëm për mufti, Rijaseti i BFI-së bën emërtimin e muftive, kurse Reisul Ulema verifikon emërtimin dhe u lëshon Murasele.”, thotë efendi Tahiri për të vazhduar: “Shkelje kushtetutare Shaqir Fetai bëri edhe në Myftininë e Gostivarit, e cila, ndonëse i plotëson të gjitha kushtet për të pasur myfti legjitim e legal, Shaqir Fetai e përsërit gabimin e pafalshëm duke e caktuar edhe aty “ushtrues detyre myfti i Gostivarit”! Neni 30 thotë:“...Në muftinitë ku nuk ka kuadër sipas kushteve të parapara, emërohet kordinator.” Ky është një turp i denjë vetëm për ata që kanë në plan degradimin dhe shkatërrimin e tërësishëm të BFI-së si Institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për myslimanët e vendit”, thotë efendi Tahiri.
Ndërsa për procedurë e organizimit dhe të mbajtjes së zgjedhjeve, H. Afrim ef. Tahiri thotë se, në aspekt formal, ndonëse gjithçka duket mirë, në aspekt Kushtetues është kryer një masakër e tmerrshme. “Reisi i cili do të betohet në Kushtetutën e BFI-së, bën shkelje të paimagjinueshme për trurin e shëndoshë. Ndaj, sot tërë bota që nuk ia bëjnë qejfin Shaqir Fetait, konstatojnë se ai është “reis i jashtëligjshëm, i kontrabanduar dhe i falsifikuar”, nënvizon efendi Tahiri.
Sipas tij, me këtë rast, në procedurë e në aktin e zgjedhjes, krahas shkeljes së Preambullës dhe neneve 1 dhe 8, janë shkelur edhe këto nene: 41, 42 dhe 49 alinea 4, të Kushtetutës së BFI-së. Efendi Tahiri thotë se u përfol se u përpilua një Regullore për zgjedhjen e Reisul Ulemasë, por nuk u fol se Kuvendi i BFI-së pati ndonjë mbledhje ku u miratua ndonjë Rregullore! Rregulloret janë akte normative që pa votimin e Kuvendit të BFI-së nuk mund të jenë të plotfuqishme. Pra, BFI sot udhëhiqet nga një “Reis” i ardhur pa Rregullore dhe i kontrabanduar!
“Nëse e analizojmë listën votuese të hartuar personalisht nga Shaqir Fetai (sipas direktivave që i janë dhënë), kemi një pasqyrë të tmerrshme falsifikimi! Shaqir Fetai në kundërshtim me Kushtetutën, jasht sistematizimit, krijon “sektore” dhe emëron “drejtorë” të cilët i fton në votim, kurse disa drejtorë të sektorëve të tjerë jo! Sipas Kushtetutës së BFI-së, është e përcaktuar fare qartë se kush ka të drejtë të jetë anëtarë i Rijasetit. Në ditën e votimit të falcifikuar nga Shaqir Fetai kemi një listë të përçudshme të votimit:
- 5 “myfti” të emëruar në kundërshtim me Kushtetutën: i Shkupit, i Shtipit, i Dibres, i Kërçovës dhe i Manastirit.
- në atë listë ishin të përfshirë me pa të drejtë edhe i propozuari i ish-reisit - sekretari i BFI-së, si dhe dy anëtarët e caktuar nga ish-reisi.
- Kryetarët e shoqatave janë subjekt më vete, kanë statutin e vet si dhe organet që zgjedhin drejtuesit e vet. Hilali dhe Ilmije që moti drejtohen pa kryesi të zgjedhura nga kuvendet e veta, pra janë vetëeliminuar nga e drejta e votës!
- Drejtorët e sektoreve apo udhëheqësit e agjencive, komisioneve nuk janë anëtarë Rijaseti. Por çuditërisht disa drejtor sektorësh i kemi në listë e disa jo! Psh. në listën e Rijasetit e kemi përgjegjësin-shoferin e shërbimit të varrimit, kurse nuk i kemi drejtorët e drejtorive të finansave, të vakefit etj.
Meqë shumë folëm lidhur me nenin 35 të Kushtetutës, le të përfundojmë se, sipas tij, në listë mund të përfshihen vetëm ata që u theksuan më sipër sipas Kushtetutës së BFI-së, gjegjësisht vetëm ata që janë të zgjedhur apo të emëruar. Ndërsa në listën e Shaqir Fetait kemi shumë persona që janë të punësuar e assesi nuk mund të llogariten si të zgjedhur apo të emëruar prej “reisit”. Pra, sipas Kushtetutës dhe Rregullores, i pari i Institucionit votohet nga të zgjedhurit apo të emëruarit konform akteve normative të BFI-së, dhe jo nga shoferët.
Sipas efendi Tahirit, Shaqir Fetai me këto shkelje flagrante të Kushtetutës së BFI-së që bazohet në Kuranin e Madhërishëm si dhe në Traditën e Pejgamberit a.s., jo që nuk ka të drejtë të vetëemërtohet “reis”, por duhet të radhitet në mesin e atyreve që shkelin mbi parimet islame. “Në krye të BFI-së aktualisht kemi një zgjedhje të përkohëshme partiake, i cili me patjetër duhet të jetë rob i politikës, partisë. Nëse këtë robërim nuk e dëshmon në zgjedhjet e pritshme apo të jashtëzakonshme politke, atëherë, ai do të ndërrohet dhe hidhet në rrugë, pikërisht si shkelësi më i madh i akteve normative në historikun e këtij Institucioni të vetëm fetar islam në vend.
H. Afrim ef. Tahiri tërheq vërejtjen se, pa kthimin e punëve në binaret e kushtetutshmërisë së BFI-së, nuk do të ketë qetësi, do të ketë luftë opozitare të pakompromis, duke e njohtuar në çdo moment tërë opinionin e gjërë të vendit si dhe ndërkombëtarët, “sepse, bëhet fjalë për një rrezik me përmasa të paparashikueshme që i kanoset vendit dhe shoqërisë sonë nga nëpërkëmbja e integritetit të Bashkësisë Fetare Islame në RMV”, përfundon efendi Tahiri.
Si Këshill, si trupë vullnetarësh për Mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI-së, njoftojmë se në vazhdim do t’i marrim edhe sugjerimet dhe këshillat e imamëve, të cilët, grupe-grupe insistojnë që të intervistohen dhe të japin kontributin e tyre në tejkalimin e kësaj situate tepër të nderë. I ftojmë të gjithë personalitetet e vendit, teologë e intelektualë në përgjithësi, të na paraqiten, sepse, çdo kontribut i tyre në këtë drejtim do të llogaritet i jashtëzakonshëm.
Këshilli për Mbrojtje të Kushtetutshmërisë së BFI në RMV
Shaban Aziri, kordinator
Eset Shaqiri, zv/kordinator
Mirdi Brao, zv/kordinator

About HIG

This is a short description in the author block about the author. You edit it by entering text in the "Biographical Info" field in the user admin panel.
«
Next
Newer Post
»
Previous
Older Post

No comments:

Komento


Top