Drejtuesit e rinj të Bashkësisë Fetare Islame, që e shkarkuan kryetarin Sulejman Rexhepi; dhe vetë erdhën në krye të këtij institucioni, aspak nuk e njohin Kushtetutën e BFI-së, pohon përpiluesi i Kushtetutës Afrim Tahiri.
“Brenda vetëm një jave ata mblidhen, pa asnjë vërejtje paraprake, pa komision disiplinor për të ia tërhequr vërejtjen Reisit, prokurori pa dhënë vlerësim në Rijaset, ata mbledhin Rijasetin. Me Kushtetutën e BFI-së, askush pos Reisit nuk ka të drejtë që ta mbledhë Rijasetin. Ata kanë bërë shkelje”, theksoi Afrim Tahiri – përpilues i Kushtetutës së BFI-së. Tahiri thotë se posti “ushtrues detyre” nuk ekziston!
“Nëse e merrni Kushtetutën, askund nuk figuron posti “ushtrues detyre”, d.m.th nuk është kushtetues. Pra prej në start kemi gabim. Pastaj thuhet ushtrues detyre ‘caktohet’, në kushtetutë nuk njihet fjala caktim! Ka zgjedhje dhe emërim dhe jo caktim”, theksoi Afrim Tahiri.
Për gabimet e drejtuesve aktual, sipas Tahirit, Reis i BFI-së de fakto ende është Sulejman Rexhepi, sepse nuk është shkarkuar sipas procedurave që kërkon kushtetuta.
Tahiri thotë se Rijaseti aktual ka shkelur 17 nene. Ai po ashtu konteston edhe personat që kanë marrë pjesë në shkarkimin e Rexhepit, e që nuk janë legjitim për ta bërë këtë gjë. Për ta foli edhe vetë ish-kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
“Ata janë të gjithë tradhtarë. Të gjithë janë të lidhur me disa qendra të jashtme, disa vende të dyshimta, lidhje mercenare. Kush? Të gjithë këta që janë kandidatë”, deklaroi Sulejman Rexhepi – ish-kryetar i BFI-së.
Kërkuam qëndrim nga drejtuesit aktual të BFI-së, por tani për tani nuk morëm.
Sot në mesditë ka skaduar afati për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjen e Kryetarit të ri të BFI-së. Pas shqyrtimit të kandidaturave, është konfirmuar ajo e Shaqir Fetahur, ushtruesit të deritanishëm të detyrës së kryetarit dhe myftiut të Tetovës, Qani Nesimit. Kandidatura e imamit Muharrem Eminit nuk është konfirmuar për shkak të mospërmbushjes së kushteve. Zgjedhjet do të mbahen nesër në orën 10:30.

No comments: