Qeveria e ka zgjedhur Llazar Elenovskin, për përfaqësues special për NATO integrimet në Bruksel, për shkak të përvojës së tij në këtë fushë.
Ndërkohë, BDI përmes një kumtese ka thënë se është kjo parti që ka bërë përzgjedhjen e Elenovskit si ambasador në NATO, raporton Almakos.
“Lidhur me lajmin е publikuar për emërimin e z.Llazar Elenovski të dërguar të posaçëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështjet e integrimit në NATO në Bruksel, dëshirojmë të njoftojmë opinionin se z. Elenovski, njësoj si dhe në vitin 2012 kur u emërua ambasador në Bruksel, edhe tani që është emëruar i dërguar i posaçëm i Qeverisë në selinë e Aleancës, si zgjidhje kadrovike është bërë me propozim të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Elenovski është një profesionist jashtëzakonisht i mire i integrimeve euro-atlantike dhe jemi thellësisht të bindur se me dijen dhe përvojën e tij do të jap kontribut të rëndësishëm për bërjen realitet të aspiratave euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Ndryshe, Elenovski biografinë e tij politike e ndërtoi si pjesë e të gjitha qeverive të deritanishme, edhe në kohën e LSDM-së, edhe VMRO-DPMNE-së.
Vazhdimi i karrierës së tij diplomatike vjen pasi ai u shkarkua nga posti i ambasadorit në Bruksel në vitin 2016, si propozim i atëhershëm i BDI-së. Para kësaj ishte ministër i mbrojtjes në qeverinë e Nikolla Gruevski, në periudhën 2006 – 2008, si anëtar i partisë së Tito Petkovskit, PRSD.
Social Demokratët në maj të vitit 2008 publikuan video materiale nga takimi partiak i PRSD, ku Elenovski thotë se ish kryeministri Gruevski para nisjes në Samitin e NATO-s, në Bukuresht, ka synuar të pranojë emrin Republika e Maqedonisë – Shkup.
Për këtë njoftim, atëherë Gruevski paditi për shpifje Radmilla Shekerinskën, Goran Misovski dhe Goran Minçevin. Pastaj, për shkak të pakënaqësisë që PRSD-ja e braktisi koalicionin me VMRO-DPMNE-në, Elenovski formoi Bashkimin Social Demokratik. Partia e tij e re ishte pjesë e Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” të Gruevskit, por e braktisi edhe atë pasi VMRO-DPMNE-ja iku në opozitë.
Duke u kthyer në fillimet e tij politike, Elenovski fillimisht ishte anëtar i parë LSDM-së, sekretar i përgjithshëm i Rinisë Social Demokrate dhe sekretar i saj i përgjithshëm. Në Qeverinë e LSDM-së ka qenë edhe zëvendës drejtor i NPT Shkup./Almakos
No comments: