Për zgjidhjen e situatës nevojitet qasje tredimensionale - politike, juridike dhe me mbështetje të faktorit ndërkombëtar, ndërsa që Maqedonia të dalë me sukses nga kjo gjendje, duhet të tregojë përcaktim të qartë se mbetet në rrugën evropiane me të gjitha vlerat dhe standardet, konsideron Fatmir Besimi. Në BDI këmbëngulin për ndërhyrje ndërkombëtarë ndërsa refuzojnë Qeverinë kalimtare. Propozimin e Zaevit e ka refuzuar edhe VMRO-DPMNE
Fatos Rushiti
Krijimi i një Qeverie kalimtare dhe dorëheqje të menjëhershme të kryeministrit Gruevski, është kërkesa kryesore e liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev gjatë publikimit të “bombës” së tetë me radhë në sallën universale në Shkup. Gjithashtu, Zaev kërkoi që në përbërjen e Qeverisë kalimtare, të mos ketë njerëz të përfolur për kriminalitet dhe korrupsion, ndërsa obligimi kryesor i kësaj Qeverie, siç u shpreh ai, do të ishte të përgatisë vendin për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Megjithatë, duket se VMRO nuk e ka marrë edhe aq seriozisht kërkesën e Zaevit. Zyrtarë të VMRO-së thonë se përgjimet në të cilët dëgjohen zyrtarë të VMRO-së janë të falsifikuara dhe montazhe, derisa kanë akuzuar Zaevin dhe LSDM-në se po luajnë me fatin, stabilitetin zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e Maqedonisë . “Opozita gjithmonë ka të drejtë legjitime të kërkojë dorëheqje nga Qeveria dhe nga funksionarët individualë, megjithatë procedura për kërkesë të dorëheqjes është institucionale dhe ajo shkon përmes Parlamentit. Në karrierën time politike, LSDM-ja dhe partitë e tjera politike disa herë kanë inicuar procedurë të tillë dhe në një procedurë demokratike institucionet adekuate janë shprehur sipas raportit të kërkesës së tyre”, ka thënë ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. "Mendoj se gjithmonë kur flasim për çfarëdo lloj të përgjegjësisë, duhet të vijojë rruga institucionale e zgjidhjes së çështjeve ose problemeve, ose përgjigje e gjithë asaj që ndoshta për dikë është mëdyshje. Edhe në rastin konkret shumë herë në opinion jam shprehur se më të rëndësishme në këtë moment janë rastet të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të cilat janë në barë të të dyshuarve në aksionin ‘Puç’ të marrin zgjidhje institucionale", theksoi ministrja e Punëve të Brendshme. Opozita, më saktë lideri i saj është përballur me dyshime jashtëzakonisht serioze për veprat penale të rënda, theksoi Jankullovska, kryen aktivitete të cilat janë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Republikës së Maqedonisë, me ndihmën e materialeve të krijuara të cilat janë marrë në mënyrë joligjore dhe mundohet të krijojë përshtypje në opinion e cila nuk korrenspondon me realitetin. Megjithatë, situatën e rënduar politike në vend e konfirmon edhe Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër për integrime evropiane, ndërsa mbështetjen e Bashkimit Evropian e sheh si të domosdoshme për ta nisur dialogun politik.
Të ndërhyjnë ndërkombëtarët
“Gjendja është komplekse dhe e ndërlikuar, mjafton t'i dëgjojmë porositë nga partnerët tanë nga Brukseli dhe Uashingtoni. Ajo që është me rëndësi dhe është se në situata komplekse, të mbetemi seriozë dhe fuqishëm të përcaktuar në qëllimin tonë - perspektivën euroatlantike”- deklaroi Fatmir Besimi. Për zgjidhjen e situatës nevojitet qasje tredimensionale - politike, juridike dhe me mbështetje të faktorit ndërkombëtar, ndërsa që Maqedonia të dalë me sukses nga kjo gjendje, duhet të tregojë përcaktim të qartë se mbetet në rrugën evropiane me të gjitha vlerat dhe standardet", konsideron Besimi. Sipas tij, e njëjta vlen edhe për raportin nga Brukseli dhe paralajmërimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini për angazhman të rritur të BE-së në gjendjen në Maqedoni. "Duke pasur parasysh të gjitha ngjarjet, konsiderojmë se kjo temë është e mirë për fillimin e ciklit të debateve sepse BE-ja është prioritet që e presin qytetarët", tha Besimi. Në BDI, nuk pajtohen me propozimin e Zaevit lidhur me Qeverinë kalimtare, por thonë se mbështesin fuqishëm ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemit tashmë të thelluar. “Në lidhje me kërkesat e fundit politike të liderit të LSDM-së, Zaev, ishte pikërisht Ali Ahmeti dhe BDI që kërkuan përfshirje urgjente të Brukselit me ekip politik të përforcuar me ekspert ligjor dhe të hetuesisë që në bashkëveprim me autoritetet vendore, do të kontribuonin për një proces kredibil dhe transparent në zbardhjen e aferës së përgjimeve masive. Ndërkohë, sa i përket kërkesës për Qeveri kalimtare, gjykoj që akoma nuk është koha për një hap të tillë pa vendosur dialog të mirëfilltë midis partive politike dhe ende pa u angazhuar komuniteti ndërkombëtar si ndërmjetësues në këtë proces. Megjithatë, një gjë është e sigurt - zgjidhja duhet të gjendet urgjentisht”, thotë deputeti Artan Grubi. Analisti politik, Imer Ismaili, propozimin për Qeveri kalimtare e sheh të arsyeshëm vetëm nëse do të ketë një, siç thotë ai, “Protektorat të butë ndërkombëtar” nën mbikëqyrjen të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Kjo, sepse sipas Ismailit, VMRO-DPMNE dhe në përgjithësi maqedonasit kanë dështuar totalisht të jenë shtetformues. “Ka shumë vjet që VMRO-DPMNE ka instaluar një sundim kriminal në të gjitha institucionet dhe në të gjitha shtresat shoqërore, dhe po kjo parti tërësisht ka humbur të drejtën për të qeverisur më shumë në këtë shtet. I vetmi shpëtim që Maqedonia të mbijetojë është që të kemi një periudhë kalimtare të qeverisjes përmes një ‘Protektorati të butë ndërkombëtarë’, që do ta mbikëqyrnin sidomos amerikanet bashkë më BE-në. Kjo do të ishte zgjidhja më optimale për ta tejkaluar këtë konflikt të egërsuar politik midis dy partive të mëdha maqedonase”, thotë Ismaili. Ai thekson se LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë dëshmuar edhe më herët se nuk gëzojnë vetëdije minimale për të ndërtuar shtet demokratik ndërsa e vë theksin më shumë tek VMRO, e cila sipas Ismailit, ka dështuar totalisht në tre nivele: në nivelin etnik, juridik dhe nivelin politik. “Dështimi në nivelin juridik shihet më shumë kur kemi një ndërhyrje flagrante në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor, dhe ato që dolën nga përgjimet sa i përket manipulimeve të shumta në çdo cikël zgjedhor vërtetojnë se këtu shteti ka qenë në shërbim të një partie politike, e cila përmes veprimeve kriminale, vazhdon të qëndrojë në pushtet”, nënvizon Imer Ismaili.
Të dorëhiqen edhe anëtarët e KSHZ-së
Ismet Ramadani, ish-politikan dhe deputet shumëvjeçar në Parlamentin e Maqedonisë, konsideron se Qeveria kalimtare është propozim i duhur, por përbërjen e saj e sheh tërësisht nga ekspertë të dalluar të lëmive të ndryshme dhe që kanë autoritet të papërfolur në popull lidhur me krimin dhe korrupsionin. “Me patjetër duhet të shkohet në zgjidhje politike që mund të vijë vetëm pasi të tërhiqet Qeveria aktuale, ndërsa partitë duhet të merren vesh dhe të caktojnë një mandatar për krijimin e Qeverisë kalimtare, e cila në Kabinet - përveç kryeministrit që duhet të jetë një autoritet i padiskutueshëm në popull, edhe ministrat duhet të jenë ekspertë të dëshmuar dhe me përvojë profesionale dhe që nuk janë diskutuar asnjëherë për kriminalitet dhe korrupsion”, thotë Ramadani. Më tej, ai shton se roli kryesor i kësaj Qeverie do të jetë përgatitja e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike në mënyrë që Qeveria e ardhshme të mos diskutohet për legjitimitet demokratik, ndërsa pret që të kthehet besimi në institucione sigurisht me një kryeprokuror tjetër dhe ndryshime në udhëheqje të Gjykatave në të gjitha nivelet. Për të garantuar proces të mirëfilltë zgjedhor, Ramadani më tutje thekson se nuk mund të ketë proces të rregullt zgjedhor me përbërjen aktuale madje edhe të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili deri më tani ka qenë në shërbim të partive politike. “Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor aktualisht kemi përfaqësim ekstrem ku partitë kanë anëtarë dhe që këto anëtarë punojnë vetëm për interesa të ngushta partiake e jo shtetërore. Aty duhet të vijnë njerëz tërësisht apartiak që do të punonin për një proces zgjedhor të ligjshëm dhe do të pastronin Listën votuese, e cila deri më tani thuhet se ka rreth 200 mijë votues fiktive. Kur këtë ia shtojmë pikërisht përgjimet e bëra publike që flasin për shumë letërnjoftime të prodhuara, shihet qartë se kjo përbërje që udhëheq me procesin e zgjedhjeve nuk ka kredibilitet as minimal për të vepruar me tej”, vlerëson Ramdani.
Qeveri teknike me kryeministër shqiptar
Po qe se realizohet ideja për ndërmjetësim evropian në rivendosjen e dialogut dhe në sigurimin e proceseve transparente gjyqësore, dhe po qe se ky plan rezulton me pajtueshmëri për ndonjë format qeverie gjithëpërfshirëse, atëherë kryeministri i atij kabineti duhet të jetë shqiptar. Në rrethana të një polarizimi të skajshëm dhe konfliktualiteti armiqësor mes rivalëve kryesorë politikë maqedonas, qëndrimi i njërit apo ardhja e tjetrit nuk do të mundësonte tranzicion paqësor dhe ulje të gjakrave, përkundrazi, do ta bënte funksionimin e atij formati qeverisës të pamundur. Kështu shkruan Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së, në profilin e saj në Facebook, dhe e cila propozon që “një qeveri gjithëpërfshirëse me një kryeministër shqiptar do të kishte një mandat më të zgjeruar funksionimi: detyra e parë e saj do të ishte zgjidhja e çështjes së emrit; e dyta, organizimi i zgjedhjeve fer dhe demokratike; dhe e treta, garantimi i tranzicionit paqësor gjate vakumit institucional”. Qeveria me kryeministrin shqiptar, sipas Mehmetit, urgjentisht do ta rikthente në agjendën politike implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe do të caktonte afat kohor për realizimin e plotë në letër dhe në frymë të dispozitave të saj. “Marrëveshja e Ohrit është garanca për të ardhmen evropiane të vendit dhe Qeveria duhet të plotësojë këtë kriter themelor politik”.
No comments: